Iku pa shprehur asnjëherë ndjesë për dramën që shkaktoi komunizmi! Nga jeta në Bllok te vdekja në Laprakë, kush ishte Nexhmije Hoxha (fotot e fundit)

Feb 27, 2020 | 10:40
SHPËRNDAJE

12-41

Vdiq dje në moshën 99-vjeçare Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha, ish-drejtoresha e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë Komitetit Qendror të PPSH-së.

Ajo, bashkëpunëtorja më e afërt e kreut të regjimit, do të kujtohet gjatë në kujtesën e shqiptarëve si një ndër përgjegjësit kryesor të krimeve të komunizmit, që nuk kërkoi kurrë falje për to.

Asnjë pendesë nuk shprehu gruaja e shefit të diktaturës për 59,009 të internuarit e periudhës 1944-1990 dhe për 7022 fatkeq që vdiqën në kampet e tmerrshme, për 5.577 burra dhe 450 gra që u dënuan me vdekje dhe për dhjetëra e qindra të tjerë që u vranë në kufi, madje deri në fillimin e viteve ’90. Pavarësisht se shkroi e botoi dhjetëra libra si askush i moshës së saj, Nexhmije Hoxha në asnjë rast nuk reflektoi, qoftë dhe një grimë, ndaj dramës së tmerrshme që jetuan shqiptarët në regjimin që drejtoi me grusht të hekurt bashkëshorti i saj. Asnjë pendesë nuk mori me vete gruaja që la mbrapa një histori të trishtë.

Po kush ishte Nexhmije Hoxha…

13-36

JETËSHKRIMI

Nexhmije Hoxha lindi më 8 shkurt të vitit 1921, në Manastir. Në vitin 1928, familja e saj u vendos në Tiranë. Shkollën e mesme e kreu në Institutin Femëror Pedagogjik në Tiranë. Pas çlirimit përfundoi me korrespodencë studimet në Fakultetin e Histori-Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi. Ka marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Rinisë Komuniste të Shqipërisë, 22-23 nëntor të vitit 1941.

14-22

Gjatë luftës mori pjesë si delegate në të gjitha konferencat kombëtare, si atë të Pezës, Labinotit dhe Përmetit. Pas çlirimit të vendit kreu funksione të larta partie dhe shoqërore. Në Kongresin e Parë të PKSH-së u zgjodh anëtare e Komitetit Qendror.

Për një kohë kishte qenë edhe presidente e Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë.

Ka qenë deputete e Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat. Ka qenë drejtore e Drejtorisë së Propagandës, Arsim-Kulturës në KQ të PPSH-së. Nga viti 1966 e në vazhdim, kreu detyrën e drejtorit të Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste pranë KQ të PPSH-së..

Në vitin 1988 u zgjodh kryetare e Frontit Demokratik të Shqipërisë. Në janar të vitit 1992 u arrestua me akuzën e abuzimit të fondeve dhe u dënua me 9 vjet burg, të cilat u bënë 11 kur ajo apeloi në gradën e dytë të gjykimit. Me Enver Hoxhën u martua më 1 janar të vitit 1945. Ka tre fëmijë, 2 djem dhe një vajzë.

nexhmije

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura