IKMT dhe kryebashkiakët

Feb 28, 2015 | 13:23
SHPËRNDAJE

Kreu i INUK, Bici

DALLENDYSHE BICI 

  “Po i sulmoni kryebashkiakët politikisht?” “Po na sulmojnë politikisht!” Është kjo pyetje e ardhur këto ditë shpesh nga media në adresë të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, si një rrjedhojë e mbrojtjes, po e quaj, nga disa zyrtarë të lartë lokalë, që masat e IKMT gjatë punës së saj i konsiderojnë me prapavijë politike. Unë nuk dua të hyj në labirintet politike, sepse as filli i Arianës nuk do të më ndihmonte të dilja. Por dua të komunikoj për pak me qytetarët shqiptarë lidhur me veprimet e institucionit që unë drejtoj. Cili prej qytetarëve që banojnë në qytetet apo komunat e drejtuara nga zyrtarët që janë kallëzuar prej IKMT në Prokurori, mund të mos jetë dakord me këtë veprim?

A janë po të njëjtët qytetarë që gjatë azhurnimeve të përditshme që bëjmë ne në çdo qytet, ankohen për përçudnimin që i është bërë qytetit të tyre, pra territorit, pra pjesës institucionale që sipas ligjit më takon mua si drejtuese dhe Inspektoratit që mbron territorin, të mbrojë pikërisht territorin e Shqipërisë. E si e kemi filluar punën? As më shumë e as më pak, por duke denoncuar ata që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, madje më keq, e kanë shkatërruar me veprimet apo mosveprimet e tyre territorin. Kjo është në kompetencën time e të IKMT dhe këtë jemi duke bërë. Nuk është hera e parë. Por ndoshta afrimi i zgjedhjeve lokale në vend, agresiviteti dhe nxehtësia që marrin sa herë këto përballje politike, mund të kthejnë në shigjeta apo mburoja veprimet normale të një segmenti të shtetit. Nuk pati reagime të tilla vitin e kaluar. E pra kishte dhe atëherë kallëzime në Prokurori për zyrtarë të lartë, që siç shkruante media i përkisnin njërës apo tjetrës parti. Por ndoshta vjet nuk kishte filluar ende “viroza” e zgjedhjeve.

Mund të pyesni me plot të drejtë se pse po shkruaj. Me rrezikun maksimal, për të më quajtur patetike, mund të them se jo gjithçka në këtë vend duhet të përbaltet e të politizohet. Jo pas çdokujt e çdo institucioni fshihet një konspiracion, një urdhër verbal apo një lidhje e shkurtër. Kush është ai shqiptar që nuk është ankuar të paktën një herë për kryetarët e bashkive apo komunave të çdo kohe, që silleshin si “oxhaqe” më vete e bënin si të donin me ndërtimet? Por kur vjen koha që uji trazohet, që ligji nuk mbetet vetëm në letër, që shteti nis të vërë në punë ingranazhet e shumta që ka për të mbrojtur qytetarët, atëherë bëhet më e shfaqshme e vetmja mbrojtje, që prej 25 vjetësh funksionon në Shqipëri: sulmi politik. Pas këtij justifikimi, pas presionit mediatik e qytetar, që i jep jehonë këtij justifikimi, organet e Drejtësisë nuk mbeten të verbra, por lexojnë më shumë se kushdo këtë justifikim dhe… gjithçka mbetet në vend.

Uji vazhdon të jetë i qelbur. Ndërsa qytetarët, që vetë kanë marrë pjesë, njëra palë apo pala tjetër për të mbrojtur idhullin e radhës, i vënë gishtin institucionit: Hej ju, jeni politikisht të kapur! Ju veproni politikisht. A nuk ishin po këta qytetarë që u ankuan më parë?! Po flas për qytetarët, sepse ata më interesojnë të parët, sepse edhe unë vetë jam një qytetare që përherë kam dashur të mirën e vendit tim (rrezikoj akoma të më quajnë patetike, por mendoj se nuk është turp të thuash herë pas here që e do vendin tënd), dhe sot unë kam mundësinë dhe mbështetjen maksimale nga qeveria, pikërisht për të ndihmuar vendin tim, të përpiqet të dalë nga burgu i betonit ku e kanë zhytur për vite e vite me radhë papërgjegjshmëria dhe grykësia e shumë personave, me kollare apo pa të. Për mendimin tim, në gjykimin tim dhe në vendimin tim, çdo zyrtar, kryebashkiak, apo më pak në hierarki, për të cilin ne si IKMT do të kemi të vërtetuara shkeljet dhe abuzimet mbi territorin do të kallëzohen pa hezitim në organet e Drejtësisë.

Dhe e sigurt është se fushata elektorale mbaron një ditë para 21 qershorit, ndërsa puna e IKMT do të vazhdojë edhe pas kësaj date, jo vetëm me ish-zyrtarët, por edhe me zyrtarët e rinj. Ne kemi qenë transparentë përherë, puna jonë është më e dukshmja dhe pa përdorur modesti dua të them edhe shumë e vështirë. Për hir të kësaj ngarkese dhe presioni, por më shumë për hir të qytetarëve, të cilët po shohin më në fund një shtet që interesohet për ta, pa i pyetur më parë në kanë “mundësi ekstra” apo jo, unë ftoj këdo që e do vërtet vendin e tij të mos na paragjykojë. Kryebashkiakët nuk janë gjë tjetër, veçse zyrtarë të këtij shteti, pavarësisht se të zgjedhur nga vota e popullit. Dhe sot unë dua t’i bëj një pyetje cilitdo prej jush: Duam njerëz TË popullit, apo njerëz PËR popullin?

*Kryeinspektore e IKMT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura