IKM letër Ministrisë së Financave: Afati i depozitimit të Pasqyrave Financiare të shtyhet edhe 15 ditë përtej përcaktimeve ligjore

Jul 29, 2022 | 7:31
SHPËRNDAJE

Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) në një letër drejtuar ministres së Financave Delina Ibrahimaj, drejtoreshës së QKR znj.Pranvera Fagu dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama kërkohet shtyrja edhe me 15 ditë të tjera përtej përcaktimeve ligjore të afatit për dorëzimin e pasqyrave financiare.

ekonomia

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë më herët sqaroi se bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar e-Albania.

Kontabilistët në letrën e tyre thonë se nga mosfunksionimi i sistemit bënë që ngarkimi dhe depozitimi i pasqyrave financiare kërkon një kohë të gjatë fizike dhe për pasojë çon edhe në tejkalimin e afatit ligjor për dorëzimin e tyre. Për këtë arsye ata kërkojnë shtyrje të afatit edhe 15 ditë të tjera përtej shtyrjes bazuar në Kodin e Procedurave Administrative, me qëllim mospenalizimin e bizneseve.

Kryetari i këshillit të drejtimit të IKM kontabilisti Sotiraq Dhamo më herët tha për Monitor se mungesa e udhëzimit të nga Ministria e Financave për shtyrjen e afatit të dorëzimit të pasqyrave financiare po konfuzon dhe streson bizneset. Dhamo shtoi se shtyrja e afatit nuk ka efekt negativ te të ardhurat, pasi pasqyrat e tatimfitimit janë dorëzuar që më 31 mars.

Kërkesë e IKM për shtyrjen e afatit të dorëzimit të Pasqyrave Financiare për vitin 2021

Znj. Delina Ibrahimaj

Ministër i Financave dhe Ekonomisë

Znj. Pranvera Fagu (Behushi)

Qendra Kombëtare e Regjistrimit.

Për dijeni: Z. Edi Rama

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Të nderuar,

Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM) është organizatë e profesionistëve, të cilët mbajnë titullin Kontabilist i Miratuar dhe ushtrojnë aktivitetin në fushën e kontabilitetit, hartimit të Pasqyrave Financiare dhe të Konsulencës financiare dhe tatimore për të gjitha shoqëritë tregtare dhe personat tregtar.

Në përputhje me kërkesat e Ligjit Nr. 9723datë 03.05.2007 “Për regjistrimin e Biznesit” i ndryshuar, të gjithë shoqëritë tregtare dhe personat tregtare (të cilët kanë detyrimin ligjor për dorëzimin e Pasqyrave Financiare), duhet që brenda datës 31.07.2022 të dorëzojnë pasqyrat financiare dhe raportet që shoqërojnë ato në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në mënyrë elektronike.

Nisur nga fakti se gjatë muajit Korrik portali qendror e-Albania u sulmua nga hakerat dhe se kryeministri Z. Edi Rama, me të drejtë e quajti një sulm mbi shtetin Shqiptar, u pamundësua dhe shërbimi për depozitimin e Pasqyrave Financiare në QKB për disa ditë.

Me gjithë rikthimin e shërbimeve të e-Albania, anëtarët e IKM kanë pasur dhe kanë vështirësi në depozitimin e Pasqyrave Financiare pasi sistemi për shkak të ngarkesës apo edhe të ndonjë shkaku tjetër nuk është 100% funksional. Ky mos funksionim i sistemit bënë që ngarkimi dhe depozitimi i pasqyrave financiare kërkon një kohë të gjatë fizike dhe për pasojë çon edhe në tejkalimin e afatit ligjor për dorëzimin e tyre.

Në kushtet që aktiviteti i portalit e-Albania u ndërpre për disa ditë, koha e gjatë që duhet për të bërë depozitimin e Pasqyrave Financiare pas rifillimit të aktivitetit të portalit si dhe periudha e ngarkuar e fund muajit korrik dhe e pushimeve, kërkojmë që të shtyhet afati i depozitimit të Pasqyrave Financiare në QKB për një periudhë te paktën 15 ditore në mënyrë që mos të penalizohen bizneset për tejkalimin e afatit ligjor.

Mbetemi në pritje të një përgjigje të shpejtë si dhe të njoftimi zyrtar nga ana juaj për shtyrjen e afatit të depozitimit të Pasqyrave Financiare në QKB./ Marrë nga Monitor.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura