“Ikin politikanët që kanë lidhje me krimin”, deputeti i PD sqaron Vettingun: Nuk kemi kontakte me PS

SHPËRNDAJE

JUXHIN MUSTAFARAJ/ Partia Demokratike e sheh vetingun në politikë si vazhdim të ligjit të dekriminalizimit që u miratua në vitin 2015. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD, Oerd Bylykbashi, sqaron për “Panorama”, se vetingu në politikë është seria e dytë e dekriminalizimit të politikës, e cila lindi si nevojë për shkak se kriminelët në Parlament u zëvendësuan me të deleguarit e tyre. “Ky ligj është faza e dytë e dekriminalizimit. Dekriminalizimi është veting. Përmes atij ligji u nxorën jashtë Parlamentit të gjithë ata ligjvënës që kishin dënime penale, por, ndërkohë, përballë situatës kur Kryeministri ata kriminelë i zëvendësoi me të komanduarit e tyre në Parlament, lind nevoja për veting në politikë.

Oerd-Bylykbashi_3

Qëllimi i ligjit të dekriminalizimit në kohën kur u miratua dhe i këtij ligji që ne po propozojmë, është mbrojtja e institucioneve demokratike nga influenca e politikanëve të lidhur me krimin në vendimmarrje dhe politikëbërjen e institucioneve. Vetingu në politikë duhet të kuptojmë që nuk është drejtësi. Është akt administrativ, veprim pastrimi. Objektivi i ligjit është që të largojë çdo politikan të lidhur me krimin”, deklaron Bylykbashi për “Panorama”. Për deputetin e Komisionit të Ligjeve, debati i hapur në lidhje me kontrollin e pasurisë së politikanëve është një shashkë e hedhur në publik nga maxhoranca. Bylykbashi i referohet nenit 176/2 në pikën 5 të ligjit të depozituar në Parlament kur thotë se edhe pasuria është një element që do të largojë politikanët nga Parlamenti. “Edhe në këtë ligj ikën nga politika për pasurinë, ndryshe nga shashka që është hedhur në publik. Neni 176/2 në pikën 5 është e përcaktuar që çdo deputet që nuk justifikon pasurinë në një vendim të organit kushtetues, ai ikën nga detyra. Është në projektligj. Edhe në ligjin e vetingut nuk ka asnjë pikë që të thotë ‘ikën baxhanaku i gjyqtarit’”, sqaron Bylykbashi. Pika që i referohet deputeti i PD thotë: “Kur subjekti i përmendur në pikën 1 (Deputeti, kryetari i bashkisë, ministri apo Kryeministri) nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra.

bylykbashilsa

LIGJI

Bylykbashi mohon të ketë pasur kontakte me zyrtarë të PS-së për të diskutuar në lidhje me propozimin ligjor të demokratëve, por thekson se për aq kohë sa ligji është i njëjtë me vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nuk ka asgjë për të negociuar. “Nuk kemi pasur kontakte me përfaqësues të PS. Por, në rastin e propozimit në fjalë, nuk ka asgjë për të diskutuar, pasi ky nuk është një ligj i ri. Nuk kemi shkruar një tekst të ri, është identik teksti që kemi në Kushtetutë për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve të lidhur me krimin”, sqaron deputeti i PD. Bylykbashi bën një paralele mes gjyqësorit dhe politikës kur kujton se për aq kohë sa nga sistemi i drejtësisë po largohen gjyqtarë për kontakte të papërshtatshme, e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me ligjvënësit në Parlament që u japin tendera miqve të tyre. “Nëse një gjyqtar rezulton se ka vendosur në favor të një krimineli të dënuar me 21 vite burg, ýtë cilin deklaron se e ka mik shtëpie dhe nga vendimet e tij krimineli ka fituar tendera me miliona euro, ai largohet pa diskutim nga vetingu. Po ashtu, kur një deputet deklaron miqësinë me një kriminel të dënuar me 21 vite burg dhe kur krimineli fiton tendera me miliona euro në zonën elektorale të deputetit mik shtëpie, deputeti duhet të largohet, sepse i ka hapur kriminelit derën e institucionit publik, përveç derës së shtëpisë”, deklaron Bylykbashi.

PANORAMA

 

Te lidhura

 

Artikulli paraprakEMRAT/ Grabitja e Katedrales në Korçë, gjykata liron dy të arrestuarit, policia prangos tre të tjerë
Artikulli tjetërJava e katërt e Superiores, përcaktohen oraret

S'KA KOMENTE

Comments are closed.