Idrizi ultimatum “rebelëve”: S’pranoj shantazh nga askush, të largohet kush do

May 18, 2017 | 9:47
SHPËRNDAJE

Sinan Idrizi driblon bojkotin. Në një prononcim telefonik nga Amerika ku gjendet për arsye pune, administratori thekson se nuk është në dijeni që ekipi të ketë bojkotuar. Por, Idrizi ka sqaruar se nuk pranon që t’i bëhet shantazh, ndërsa tha se lojtarët që nuk dëshirojnë të qëndrojnë janë të lirë që të largohen.

Sinan Idrizi

“Nuk ka bojkot te Flamurtari. Unë nuk e di nga dalin këto gjëra. Lojtarët kanë patur dje (pardje) një dialog me mua dhe kaq. Dje (pardje) ata kanë qenë pushim. Çfarë janë këto histori që dalin? Nëse ka dikush që ka bojkotuar stërvitjen ma gjeni dhe ka punë me mua. Unë mbaj përgjegjësitë e mia për anën financiare.

Sinan Idrizi

Nuk lejoj asnjë që të më bëjë mua shantazh, qoftë lojtarë, media apo rrjete sociale. Kush të dojë të qëndrojë, kush të dojë të iki. Unë nuk kam lekë më. Merreni si të doni këtë gjë. U bëj thirrje tifozëve të Flamurtarit dhe qytetarëve të Vlorës që për të mbajtur ekipin, të vënë nga 1 dollarë për klubin.

flamurtari partizani

E kam thënë edhe një herë këtë gjë. Nuk ka njeri që të më kërcënojë dhe të më bëjë mua presion. Më gjeni kush është ai lojtar që bojkoton dhe ka punë me mua pastaj. E përsëris edhe një herë, kush të dojë të qëndrojë, kush të dojë të iki. Unë nuk merrem më me këto histori”, tha fillimisht Idrizi.

KUSHTI

Administratori kërkon nga lojtarët vetëm fitore në dy ndeshjet e mbetura. Në të kundërt, Idrizi kërcënon se do të aplikojë gjoba për lojtarët. “Unë i njoh përgjegjësitë e mia, ndërsa lojtarët të njohin përgjegjësitë e tyre. Atëherë meqë qenka kështu puna, unë dua dy fitore në dy ndeshjet e mbetura. Nuk do të toleroj asnjë rezultat tjetër.

Flamurtari

Ose fitore me Laçin dhe Korabin, ose do të marrin gjoba të gjithë lojtarët pa përjashtim! Unë nuk toleroj më! Nuk ka shanse. Unë mbaj përgjegjësitë e mia që më takojnë, ata të mbajnë peshën e fanellës. Çfarë është kjo? Ku është parë të vendosësh 50 milion lekë premio dhe të dëgjosh nga këto përralla?!

Flamurtari gol Korabit

Unë do të jem të premten në Vlorë dhe do të takohem me lojtarët që mund të kenë ndonjë shqetësim të tillë. Por unë nuk besoj se ata bojkotojnë stërvitjet. Them se këto janë shantazhe nga ata që nuk e duan Flamurtarin. Por, nëse i ka vajtur mendja ndonjërit prej lojtarëve që të bojkotojë, ka punë me mua.

Flamurtari stervitje 2

E përsëris, kush do të qëndrojë, kush do të iki. Janë të lirë të gjithë të bëjnë zgjedhjen e tyre. Ata të shikojnë të fitojnë dy ndeshjet e radhës tani, në të kundërtën do të veproj siç di unë. Do të ketë gjoba drastike sipas kontratës, për dalje nga objektivat”, përfundoi Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura