Idrizi: Qiratë t’i paguajë Gjika, trajneri të zbriste një kat më poshtë për paratë

Nov 13, 2017 | 14:24
SHPËRNDAJE

Sinan Idrizi konfir mon ultimatumin e Përmbarimit zbuluar ekskluzivisht nga “Panorama Sport”. Administratori i Flamurtarit e ka cilësuar këtë çështje si çudinë e radhës. I kontaktuar dje nga gazeta, Idrizi tha se detyrimin prej 6 mijë eurosh duhet ta paguajë ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika.

Idrizi dhe Gjika

Por ai hedh si opsion që kjo pagesë mund të bëhet edhe nga ish-trajneri Ernest Gjoka, i cili ka jetuar në këtë shtëpi dhe ka përfituar nga Flamurtari 100 mijë euro. Administratori tha se nuk e paguan këtë detyrim, por pranon se mund të përballet me bllokimin e llogarive bankare të klubit. “Po, është e vërtetë ajo që ju keni publikuar në gazetën tuaj. Neve na ka mbërritur një letër dhe kjo është çudia më e fundit. Na kërkojnë që të paguajmë 6 mijë euro për periudhën 2012-2013-2014.

Janë detyrimet e qirasë së shtëpisë ku kanë jetuar ish-trajnerët Hulian Rubio dhe Ernest Gjoka. Erdhi gjoba e radhës. Na thonë së brenda 30 ditëve duhet të paguani ose do të shkoni në gjyq dhe vjen Përmbarimi pastaj. I thashë atij zotërisë që është edhe pronari i shtëpisë: ‘Me kë e keni bërë kontratën ju vëlla?’. ‘Me Gjikën’, më tha.

Idrizi dhe Duro

Ndaj edhe i thashë ‘Po mirë more, një kat më poshtë e keni Gjikën, pse nuk i keni trokitur dhe merrjani atij paratë?!’. Këtu ka probleme që nuk dihet ku fillojnë të parat dhe ku mbarojnë të fundit. Kur unë vonoj pagesat, pasi bllokohen kontot e Flamurtarit nga Përmbarimi, ju thoni nuk ka lekë. Ky po na hedh në gjyq dhe do ta fitojë gjyqin se ka kontratë, por ne do të na bllokohen llogaritë bankare. Si do t’ia bëjmë rastit konkret?

Ka pasur një kontratë trajneri Ernest Gjoka me klubin, madje ka fituar edhe disa gjyqe dhe nga Flamurtari ka marrë 100 mijë euro. Le ta paguajë vetë Gjoka atë shtëpi ku ka jetuar. Pse duhet të ndëshkohemi ne gjithmonë? Bashkia nuk i njeh këto detyrime. Të gjithë janë jetim në këto çështje. Të gjithë janë për opinione në ‘Facebook’, ndërsa kur vjen puna për pagesë, shmangen”, tha fillimisht Idrizi.

RREZIKU PËR PIKËT

Në një kohë që u mendua se gjërat ishin qetësuar, e shkuara nuk i lë të qetë vlonjatët. Klubi ka trashëguar borxhe nga bashkia, të cilat edhe vetë Idrizi nuk i di. Nëse detyrimi prej 6 mijë eurosh që është për qiranë e banesës ku janë jetuar trajnerët Rubio dhe Gjoka, nuk do të paguhet për 30 ditë, rrezikohet bllokimi i llogarive bankare. Por në rastin më të keq për ndonjë borxh më të madh që mund të shfaqet në horizont klubi mund të penalizohet edhe me heqje pikësh. Por, administratori thotë se nuk paguan detyrime ilegale dhe nuk i druhet asnjë dënimi.

Idrizi

“Pse do të na hiqen pikët ne? Unë detyrimet ilegale të shtetit nuk i paguaj. Ato lekë janë detyrime për të tretët. Them se nuk ka mbaruar këtu beteja gjyqësore. Të dy palët një ditë shumë të shpejt do të përballen me gjyqet për evazion fiskal. Kanë krijuar një sistem këta me ata njerëzit që kanë në FSHF. Por loja vazhdon, nuk ka mbaruar. Neve na kanë dënuar, na kanë hequr 6 pikë. Kemi njoftuar Ministrinë e Financave dhe po presim reagimin e radhës. Këta nuk luftojnë ilegalitetin.

idrizi

Rasti konkret është ai i Gjokës. Është rast flagrancë ku pjesa që duhet të shkojë në arkat e shtetit shqiptar, shkon në xhepa dhe FSHF-ja nuk ka asnjë lloj reagimi. Atëherë këta më bëjnë që edhe unë të shkoj në Tatime dhe të deklaroj rroga lojtarësh 100 mijë lekë, apo 150 mijë lekë siç i kanë pasur.

Di që është një komision që është ngritur nga ministria dhe do të merret me këtë çështje. Në fakt janë disa çështje, të shikojmë se çfarë do të bëhet”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura