Idrizi: Nuk e kam harruar gjyqin me FSHF-në dhe Gjikën, kampionati do të ketë aleanca

Aug 11, 2017 | 10:58
SHPËRNDAJE

Flamurtari do të hedhë në gjyq FSHF-në dhe ish-presidentin Shpëtim Gjika. Është vetë administratori që e konfirmon këtë fakt për “Panorama Sport”. Në një prononcim të dhënë dje për gazetën, Sinan Idrizi tha se nuk do të tolerojë për heqjen e 6 pikëve sezonin e kaluar dhe kjo çështje, sipas tij, nuk është mbyllur ende. Ai paralajmëron se po bën gati të gjithë dokumentacionin për të çuar përpara drejtësisë të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë situatë.

idrizi

“Çështjen e heqjes së pikëve do ta çoj deri në fund. Mos kujtoni se iku koha dhe që kam harruar, jo, përkundrazi. Me FSHF-në kam për të bërë një betejë ligjore. Po ashtu, do të mbajnë përgjegjësi ligjore të gjithë ata që kanë drejtuar Flamurtarin. Unë po bëj gati faturat e mikut tonë (i referohet Shpëtim Gjikës), kontratat legale dhe ilegale që ka pasur me trajnerët dhe futbollistët.

Nuk toleroj ekonominë ilegale unë. Nuk jam nga ata unë që të mos paguaj Tatimet dhe me këto lekë të blej ndeshjet. I kam kërkuar disa herë ndihmë FSHF për të luftuar së bashku këtë ekonomi. Nuk i kam kërkuar presidentit të FSHF-së ndihmë, për të më dhënë ndonjë lekë për rrogat e lojtarëve, jo, dhe këtë nuk do ta bëj kurrë, por i kam kërkuar ndihmë për të luftuar këtë ekonomi ilegale.

Nuk më ndihmoi dhe vjet mua më hoqën pikët. Pse nuk më thirri vjet në shtator që të uleshim ta zgjidhim këtë çështje? Unë paguaj 30% në shtet Tatime, ndaj më hoqën pikët, kush është ai që nuk i njeh? A njeh FSHF ekonominë e futbollit? Në këtë gjë, FSHF-ja më duket problematike dhe ata nuk dinë ta menaxhojnë”, tha fillimisht Idrizi.

DUKA

Pak kohë më parë, nëpërmjet “Panorama Sport”, administratori Sinan Idrizi i bëri thirrje presidentit Armando Duka që të ngrinte të gjitha funksionet dhe të largohej nga FSHF-ja deri pas zgjedhjeve që gara të mos paragjykohej. Por Duka nuk reagoi pas kësaj deklarate. Për këtë fakt, Idrizi shprehet:

“Është problem i tij që vijon të qëndrojë në krye të FSHF-së. Unë mendoja se do të rikandidonte edhe ai në mars dhe për këtë i bëra thirrje që të ngrijë pozicionet, që të mos paragjykohet gara. Në FSHF i gjen me qiri njerëzit që mendojnë për sportin. Por ndoshta ka vendosur që të mos rikandidojë, ose nuk do të më dëgjojë mua.

Gjithsesi, ne e kemi shprehur votën tonë dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë gjë. Ne nuk jemi kundërshtarë të individit Armando Duka, por jemi kundër menaxhimit dhe informalitetit, ne nuk jemi të këtij sistemi. E patë sa bukur bëhen zgjedhjet në Shqipëri?! Ai tjetri humbi dhe ngriu pozicionin derisa u bën zgjedhjet e tjera, pse nuk e bëjnë edhe këta të FSHF-së këtë gjë?”, tha Idrizi.

ALEANCAT

Sinan Idrizi deklaron se edhe kampionati i ri do të ketë aleanca. Por, sipas tij, Flamurtari është jashtë tyre. “Kampionati që paragjykohet dhe anatemohet vetëm në fushë nuk luhet. Aleanca mund të bësh në politikë, në ekonomi, por jo në futboll. Por me keqardhje mund të them se në Shqipëri ashtu funksionon.

Thuhet dhe dëgjojmë shpesh se ‘ky e ka mbyllur me atë, ai me këtë’. Dhe kjo nuk është e mirë. Unë them se me këtë sistem kështu do të ndodhë edhe në këtë sezon që do të nisë në shtator. Pra, kampionati do të jetë me aleanca. Ne nuk jemi bërë pjesë e tyre dhe kurrë nuk do të bëhemi. Jemi për futbollin që luhet në fushë. Më vjen keq për faktin se gara në futboll paragjykohet pa filluar mirë”, përfundon Idrizi.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura