Idrizi: Në zgjedhje të cunguar, dy parti kanë kapur peng sistemin zgjedhor

May 12, 2017 | 12:59
SHPËRNDAJE

“Ne hymë në këto zgjedhje të cunguar. Me një formulë ku dy partitë e mëdha, jo vetëm e kanë kapur peng sistemin zgjedhor, por e mbajnë peng me konfliktualitet”.

Kështu u shpreh kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, gjatë një takimi me banorë të njësisë nr.1 dhe nr.2 në Tiranë, për zgjedhjet e 18 qershorit.

idrizi

Në këtë takim ishte e pranishme deputetja Mesila Doda, si dhe kandidatët e PDIU-së për deputet në Qarkun e Tiranës, Marin Rami, Arjan Hamiti e Alfred Deshati.

“Duhet t’ju kujtoj korifejt e humanizimit europian, baballarët e liberalizmit dhe demokracisë luftuan pikërisht kundër përqëndrimit të pushtetit absolut. Kundra përqëndrimit të pushteti në vetëm një dorë. Ata luftuan për demokraci, decentralizim e pluralizëm. Ku po shkojmë ne sot? Ne sot kemi një kastë politike e cila është e mbërthyer në disa duar. Kjo është arsyeja që ne hymë në këto zgjedhje të cunguar. Me një formulë ku dy “mamuthët e mëdhenj” të politikës, jo vetëm e kanë kapur peng sistemin zgjedhor, por e mbajnë peng me konfliktualitet, pikërisht qytetarëve shqiptarë që ata të mos kuptojnë ku është interesi i tyre. Prandaj ne ju ftojmë që ti bashkoheni slloganit tonë “Veç një Atdhe”,- u shpreh kryetari i PDIU-së.

Shpëtim Idrizi u bëri apel shqiptarëve të mos largohen nga Shqipëria, por ti bashkohen PDIU-së, në mënyrë që politika të mos ngelet në duart e disa partive, por në duart e të gjithë shqiptarëve.

idrizi1

“Unë jam shpresëplotë që edhe në ditët në vazhdim, gjysma e spektrit politik shqiptarë do ta gjejë mundësinë për të hyrë në këto zgjedhje. Unë bëj thirrje vazhdimisht për kompromis, për zgjidhje, sepse nuk garojnë thjeshtë partitë politike, por është mundësia e qytetarëve shqiptarë që një herë në 4 vjet, të zgjedhin. Ka shumë politikanë shqiptarë të tjerë që kanë edhe një Atdhe tjetër rezervë. Kanë një Atdhe tjetër, që pasi ta vjedhin e plaçkisin këtë vend, e braktisin. Ne nuk kemi Atdhe tjetër. Nuk mund t’ja lemë këtë vënd të marrëve. Ne duhet të jemi koshient dhe duhet të kuptojmë që Shqipëria është një vend i begatë, me mundësi të jashtëzakonshme dhe politikanët nuk duhet që të vrasin shpresën e shqiptarëve. Prandaj duhen zgjedhje të lira e transparente. Prandaj unë ju ftoj që të votoni një forcë politike kombëtariste, që interesin kombëtar, interesin e qytetarëve, e ka vënë në themel të ekzistencës së saj. Unë ju ftoj që të votoni PDIU-në, votoni nr.5. Votoni PDIU-në, të mos ta lemë politikën shqiptarë në duart të 2-3 partive, apo në një pakicë liderësh partiakë, të cilët ja ku e kanë katandisur këtë vend pas 27 vjetësh. Ejani ti bashkohemi forcës sonë politike, partisë e cila ka propozuar një pakt të madh kombëtar, për të gjithë ata që mendojnë e kanë veç një atdhe, për të gjithë ata që nuk duan ta braktisin këtë vend, për të gjithë ata që nuk presin llotarinë amerikane, për të gjithë ata që mendojnë se Shqipëria është një vend i begatë dhe ne shqiptarët mund ta ndërtojmë jetën e fëmijëve tanë këtu, hajdeni ti bashkoheni PDIU-së”,- u shpreh z.Idrizi gjatë takimit me banorë të Njësinë nr.1 dhe nr.2 në Tiranë.

Ndërkohë deputetja Mesila Doda tha se PDIU ka verifikuar listën e kandidatëve për deputet, në mënyrë që asnjë prej tyre të mos ketë lidhje me të shkuarën komuniste.

“Në gjithë këto vite nuk kemi parë asnjë fushatë si kjo që po zhvillohet sot. Është një fushatë e cila qytetarëve shqiptarë nuk u ka ofruar asnjë platformë, as platformë ekonomike, as platformë politike. Janë vetëm dy palë të cilat grinden me njëra-tjetrën dhe ajo që po ofrojnë është një fytyrë tejet anormale e politikës. Pamë letrën e Komisionerit Hahn, i cili foli për bojkotin e një pjesë të madhe të politikës shqiptare në zgjdhjet e 18 qershorit. Ne i kërkojmë forcave politike që ti japin një shans normalitetit të këtij vend, jepini një shans qytetarëve shqiptarë të kenë mundësi të votojnë, të kenë mundësi të zgjedhin normalisht. Jepini mundësi Shqipërisë të mos ketë përplasje, sepse qytetarët shqiptarë e meritojnë.

Ne kemi çuar të gjitha listat për deputetë, që të verifikojmë nëse kanë apo jo lidhje me të kaluarën. Kjo është PDIU, ko është politika jonë dhe ne nuk do të kemi në radhët tona, asnjë person i cili ka lidhje me regjimin dhe spiunët e së kaluarës”, – tha Mesila Doda.

Edhe kandidati për deputet në Tiranë Marin Rami, tha se të rinjtë në PDIU kanë gjetur atdheun e tyre, sepse PDIU mbron kauzat dhe dinjitetin kombëtar. “Ndaj të gjithë të rinjtë të bashkohen me ne për atdheun”,- tha Marin Rami.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura