Idrizi: Klubet që duan lojtarët tanë duhet të vijnë të trokasin, Bregun nuk e presim gjatë

Dec 13, 2017 | 15:05
SHPËRNDAJE

Sinan Idrizi jep sinjale për shitje të lojtarëve në janar. “Panorama Sport” publikoi në numrin e djeshëm lajmin se Danilo Alvesh pritet të largohet nga kuqezinjtë në janar, pasi drejtuesit e Flamurtarit nuk duan që ta lënë të lirë në verë duke qenë se i përfundon kontrata. Në këto kushte, braziliani ka dalë në shitje nga klubi, edhe pse drejtuesit nuk duan që për momentin të deklarojnë diçka të tillë.

idrizi

Megjithatë, edhe pse nuk specifikon emra konkret lojtarësh, administratori Idrizi shprehet i hapur për këdo klub që kërkon të afrohet për të blerë futbollistët e Flamurtarit. Në një prononcim të dhënë dje për gazetën, ai theksoi se kush nuk gjen vend në ekip, mund të largohet në janar dhe kushdo nga klubet që kërkojnë lojtarët e Flamurtarit, mund të kontaktojë me të.

danilo

I pyetur për një mundësi shitje të Alveshit dhe të ndonjë lojtari tjetër, Idrizi u shpreh: “Pse, çfarë ka Danilo? Kemi apo nuk kemi ne lojtarë për të shitur? Them se është shpejt akoma për të folur për këtë çështje. Por, meqë po më pyesni, dua të them se ata që nuk gjejnë dot vend te Flamurtari apo duan të ikin diku tjetër, e kanë derën të hapur. Këtë thirrje e kam edhe për klubet. Nëse duan ndonjë lojtar tonin, le të trokasin në derë”.

BREGU – Flamurtari pritet që të bëjë një “çmenduri” për Dejvi Bregun, edhe pse deri më tani ka afruar dy sulmues që kanë karakteristika të përbashkëta me vlonjatin që luan për Luftëtarin e Gjirokastrës. Mirëpo, me sa duket, mesfushori i krahut nuk dëshiron të rikthehet në vendlindje, pasi kërkon të luajë jashtë Shqipërisë. Administratori i Flamurtarit paralajmëroi dje se Bregu ka vetëm pak kohë në dispozicion për t’u menduar.

Dejvi Bregu

“Bregu është një nga lojtarët që kërkohet nga trajneri Duro dhe është në planet e tij. Unë personalisht kam diskutuar me presidentin e Luftëtarit dhe kemi rënë parimisht dakord për blerjen e lojtarit. Por, tani i takon Bregut që të vendosë. E ka vetë lojtari në dorë, por nuk ka shanse që ne të presim gjatë. Duhet që Bregu të vendosë sa më shpejt”, theksoi Idrizi.

MERKATO – Në fund, kreu i klubit vlonjat konfirmoi se surprizat në merkaton e Flamurtarit nuk kanë përfunduar. “Ka surpriza të këndshme në Vlorë akoma. Janë vërtet surpriza, jo karamele dhe çokollata”, u shpreh me një batutë administratori. Ai u ndal edhe te dy lojtarët e ardhur së fundmi, serbi Igor Nedeljkoviç dhe sulmuesi nga Maqedonia, Muarem Muarem.

Muharem Muharem

“Janë lojtarë shumë të mirë. Nuk bëjmë muhabete çmimesh, edhe pse ju keni thënë se janë të shtrenjtë. Flasim për lojtarë që na duhen ne. Do të kemi të tjera surpriza në janar”, përfundoi kreu i klubit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura