Idrizi iku. Po çamët?

Mar 31, 2015 | 12:30
SHPËRNDAJE

SAMI NEZA

   Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, ka zgjidhur dje dilemën e gjatë të tij për të qëndruar afër koalicionit të majtë apo për të hyrë brenda tij. Por ndërsa ka zgjidhur më siguri të plotë këtë mëdyshje për veten, po aq e sigurt është se nuk ka zgjidhur dilemën për të gjithë çamët që mbështetën PDIU-në. Idrizi doli, por nuk dihet a dolën çamët.
Ai personalisht kthehet natyrshëm tek aleanca me PS dhe ngjan të jetë më në shtëpi sesa edhe vetë Edi Rama. Shpëtim Idrizi ka qenë anëtar i PS-së, drejtues i disa institucioneve të rëndësishme gjatë kohës që PS ishte në pushtet kur Nano ishte kryetar i saj dhe i investuar prej këtij të fundit në karrierën e tij, që përfshin më pas edhe të qenët deputet i PS në dy legjislatura.
Është e paqartë nëse drejtuesit e PDIU-së dhe Grupi i tij Parlamentar kanë të gjithë të njëjtin shpengim si kryetari i tyre ndërsa lënë opozitën e djathtë. Por është më se e pritshme që një numër i madh mbështetësish të PDIU e presin pa entuziazëm këtë ndryshim kursi politik dhe ideologjik nga drejtuesit e partisë së tyre, edhe pse jo aq të papritur.
Çamët të shikuar si grup politik kanë anuar gjithnjë djathtas. Për shkak të marrëdhënieve të këqija me regjimin komunist, persekucionin e tyre nga Enver Hoxha, ata përfaqësonin një kategori të persekutuarish jo thjesht nëpërmjet internimesh apo burgjesh politike, por përmes një segregacioni social të një lloji të veçantë, që margjinalizonte në shumë plane këtë grup shqiptarësh, që ishin dëbuar nga trojet e tyre etnike prej ushtrisë dhe bandave nacionaliste të shtetit grek. E djathta shqiptare e vendosi çështjen çame në diskutim ndërkombëtar. Edhe pse rezultatet janë ende të vogla, hapja e këtij debati dhe ndërkombëtarizimi i tij janë meritë e forcave të djathta politike e veçmas e PD-së. Aspirata çame është artikuluar përmes kësaj partie për vite me radhë, pavarësisht organizimit që ata kishin rreth shoqatës “Çamëria”.
Në zona të tilla, si Vlorë, Sarandë, por edhe në Lushnjë e Durrës, e djathta shpesh përfaqësohej me personalitete çame, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë me PS apo parti të tjera të majta. Çami më i shquar në PS, i cili i bie të jetë gjysmë çam, është Shpëtim Idrizi.
Socialistët kanë dështuar të kenë çamët e vet. Edhe ku vendosën të ndërtojnë një parti politike të komunitetit çam, që pritej të ndante votat e këtij komuniteti nëpërmjet Partisë Aleanca Popullore, e ndërtuar enkas për zgjedhjet e 2013-s, ata nuk ia dolën të ndajnë votën e komunitetit. Por sot e rëndësishme është të kesh aleat kryetarin e partisë, kush e vret mendjen për ndjesitë e votuesve.
Megjithatë, afrimi i PDIU me socialistët nuk ka ardhur papritur edhe për një rreth më të gjerë sesa ai i kryetarit të saj. Që në qershor të 2013-s kishte përpjekje, biseda, takime dhe strategji përmes të cilave synohej afrimi i PDIU me PS dhe koalicionin qeveritar. Qeveria e majtë mbajti në punë një sërë zyrtarësh të lartë të PDIU, deri në rang zëvendësministri, gjë që nuk e bëri as me specialistë të thjeshtë kur binte rasti për demokratë, republikanë apo ballistë.
Në fakt, ka pasur një histori flirtimi të heshtur mes disa strukturave të PDIU-së me socialistët edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2011. Rezultati në Durrës dhe Berat, ku koalicioni PD-LSI humbi, u ndikua në një farë mase edhe nga devijimi i votës së çamëve; në Durrës, për shkak të influencave të biznesit çam në këtë qytet që mbështeti kryetarin e Bashkisë në detyrë, ndërsa në Berat për shkak se kandidati i LSI-së kishte histori të vjetra mospëlqimi me komunitetin çam të atij qyteti. Por këto kanë qenë raste të izoluara, të cilat nuk përcaktojnë prirjen kryesore të elektoratit çam, por deri diku lajmërojnë për sjellje konformiste, ngjashëm me atë të LSI-së, të grupeve përcaktuese apo orientuese brenda këtij komuniteti.
Për këdo që ndjek me vëmendje politikën shqiptare, dalja nga koalicioni i djathtë i Idrizit ishte qartësisht e paravendosur kur ai u përfshi në Komisionin për ndarjen e re administrative, dhe se harta finale kishte përfshirë edhe shijet e tij, duke ndarë në disa raste zona të pastra me ndikim të PDIU. Ky ishte shpërblimi për pjesëmarrjen në reformën territoriale. Taktika e Idrizit ngjan të ketë qenë frytdhënëse në një afat të shkurtër, pasi Rama do të japë për të ato bashki të ndara enkas në hartë që në krye të herës. Por, si gjithë taktikat që janë të bereqetshme në afat të shkurtër, mund të kenë pasoja negative në afat të gjatë, qoftë për elektoratin e kësaj partie, sukseset e saj në gara politike, por edhe në çështjen çame.
Rritja e aleancës qeveritare edhe me PDIU heq pak mjegull edhe mbi vetë problematikat që ka koalicioni. Koalicioni i zgjeruar për zgjedhjet lokale justifikon ndonjë rezultat të lartë për të majtën, duke relativizuar akuzat e pritshme të PD-së për manipulim. Mbetet të shihet sjellja e PBDNJ, e cila ka vetëm një deputet në Parlament, nëse do të jetë e përfshirë në koalicion me çamët ose Dule do t’i qëndrojë deklaratës së tij se nuk përfshihet në bashkëqeverisje me PDIU.
Por, më tepër se kaq, PDIU në koalicionin qeveritar relativizon qartë peshën e LSI-së në këtë koalicion. Nëse nuk bëhet fjalë për diçka më të madhe, pra një krisje të shpejtë të Ramës me Metën, një gjë është e sigurt, që Idrizi është një komponente e koalicionit që e bën Ramën më të pavarur nga numrat e deputetëve të Metës në Parlament. Rama nuk humbet gjë nga pesha e socialistëve në qeverisje. Humbet vetëm LSI e cila tani, ajo dhe vetëm ajo, duhet të hapë vend për PDIU, qoftë në qeveri, qoftë në administratë dhe në përgjithësi në vendimmarrje. Natyrisht vetëm me partinë e Idrizit dhe pa Metën ai nuk bën maxhorancë. Por ai bën maxhorancë me fenomenin e dilematikëve dhe konformistëve, të cilët më pas gjithnjë i bëjnë numrat që i duhen cilësdo qeveri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura