Idrizi: Ekipi tregoi klas në Kukës, urime Ramadanit për titullin kampion

May 12, 2017 | 12:30
SHPËRNDAJE

Sinan Idrizi ka mbetur i kënaqur me Flamurtarin në Kukës. Pavarësisht humbjes, administratori ka përgëzuar grupin për karakterin e shfaqur në fushën e lojës. “Ekipi ishte klas. E ndoqa ndeshjen me Kukësin nga stadiumi dhe ekipi luajti shumë mirë. Ekipi zhvilloi një lojë të bukur dhe luajti me dinjitet përballë një kundërshtari si Kukësi. Futbollistët tanë luajtën me dinjitet dhe me shpirt në fushë.

Sinan Idrizi

Ata treguan karakter, si dhe dëshirë për të bërë më të mirën dhe për të dalë me një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje. Por nuk ishte e thënë. Flamurtari humbi, por me një rezultat minimal, pasi në Kukës ne jemi mundur edhe shumë thellë. Kjo tregon se kemi një ekip shumë të mirë dhe me kualitete, por edhe një trajner profesionist siç është Duro. Unë i përgëzoj lojtarët dhe stafin për gjithçka dhanë në fushë në ndeshjen me Kukësin, pavarësisht rezultatit”, u shpreh fillimisht Idrizi gjatë një bisede me gazetën.

GJYKIMI

Numri një i klubit nuk ka pranuar që të komentojë në lidhje me gjykimin në ndeshjen me Kukësin. Idrizi tha se nuk merret me arbitrin, por nga ana tjetër theksoi se deklarata e Shpëtim Duros mjafton, pasi është specialist.

“Nuk merrem me gjykimin unë. Nëse është shprehur trajneri Duro për këtë dhe ka pasur rezerva, unë nuk kam ç’të shtoj më, pasi Duro është specialist dhe natyrisht që i shpreh gjërat ashtu siç janë. Unë nuk dua të merrem me gjyqtarët, nuk e kam bërë ndonjëherë dhe s’dua ta bëj. Besoj se mjafton që të gjithë, pra gjithë bota në këto momente merret me gjykimin, ndaj nuk më pëlqen që të merrem me këtë çështje dhe të komentoj më tej”, tha administratori.

VAZHDIMËSIA

Sinan Idrizi kërkon maksimumin në tre ndeshjet e mbetura, duke filluar me Partizanin.

“Futbollistët të shikojnë tani ndeshjen e radhës. Kanë mbetur edhe tre finale deri në fund. Kërkoj angazhimin maksimal të lojtarëve për të bërë më të mirën në këto ndeshje të mbetura. Na duhet maksimumi dhe jam i bindur se ekipi do të marrë rezultate pozitive. Dua të them nuk e shoh aspak Flamurtarin të rrezikuar për të rënë nga kategoria. Ne do të qëndrojmë në Superligë. Do të shikoni surpriza në vijim, por edhe gjatë kampionatit të ardhshëm”, tha ai.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai nuk hezitoi të uronte ish-trajnerin, Zekirija Ramadani, për titullin kampion me Trepçen ’89 në Kosovë. “Urime Ramadanit për suksesin me ekipin që drejton. Një njeri dhe një trajner me vlera, një profesionist që e njeh mirë sportin. Nuk paskam gabuar kur e cilësova blerjen më të mirë te Flamurtari. Të dalin profesorët tani dhe të më thonë të kundërtën”, përfundoi administratori i Flamurtarit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura