Qeveria, Idrizi: Tani duam një ministri

Jun 28, 2015 | 21:29
SHPËRNDAJE

Deklarata është bërë dje nga kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili ka paraqitur nëpërmjet shifrave rritjen e forcës së tij politike në këto zgjedhje vendore, të cilat justifikojnë edhe kërkesat e çamëve në marrëveshjen e bashkëqeverisjes me Kryeministrin Rama.

Shpetim Idrizi

“Ne do të kërkojmë që të jemi në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe kur them në të gjitha nivelet, përfshihet edhe ai ministror. Këto janë zgjedhjet vendore, por sigurisht që tregojnë qartësisht forcën e PDIU, forcën e saj elektorale të qëndrueshme.

Besoj që ky rezultat dhe grupi jonë parlamentar do të ndikojnë në cilësinë dhe sasinë e marrëveshjes që ne do të bëjmë me maxhorancën për pushtetin qendror”, u shpreh Idrizi. Kreu i PDIU-së nënvizoi faktin se PDIU është renditur si forcë e katërt politike në këto zgjedhje, duke u rritur me 35% në raport me zgjedhjet e vitit 2013.

Idrizi theksoi edhe faktin se të tre kandidatët e propozuar nga PDIU në 61 njësitë vendore arritën të dalin fitues, kjo edhe falë mbështetjes që marrin nga koalicioni i majtë. “Në kuadër të ASHE-së, ne fituam 3 bashki nga 3, ku vendosëm kandidatët tanë të përbashkët dhe u rritëm nga 45 mijë në 60 mijë vota.

Ne kemi 60 këshilltarë në të gjithë vendin. Me rezultatet në terren, me shpërndarjen e votës në të gjithë qarqet, jo vetëm në 5 qarqet ku ne kishim bastionet tona, PDIU u konfirmua si parti e gjithë shqiptarëve, jo vetëm e çamëve, si mundohet ta kufizojë një pjesë e rivalëve tanë politikë, pse jo dhe ndonjë kancelari e ndonjë shteti fqinj.

Kemi arritur rezultate spektakolare dhe në bashki të tilla si: Dibër, Kukës, Lezhë, Malësi e Madhe, Devoll, gjë që na bën krenar për ofertën tonë elektorale, të qëndrueshme, cilësore, kombëtare”, tha kreu i PDIU-së. Sa i takon cilësisë së zgjedhjeve vendore, Idrizi i konsideron ato pozitive, por kërkon një reformë që të ndalë administrimin e zgjedhjeve nga partitë politike.

“Mbeten problematika disa çështje të administrimit zgjedhor, ky proces vazhdon të dominohet nga partitë e ashtuquajtura të mëdha. Ato kontrollojnë komisionet në të gjitha nivelet, ato ndikojnë dhe gjykatat zgjedhore, ato kontrollojnë hapësirën mediatike, parcelizojnë administratën publike dhe vendore, ato politizojnë jetën tonë publike.

Kjo është arsyeja pse procesi ka ende probleme në të gjithë etapat e tij, në fushatë, në votim, në numërim, në administrimin e ankesave”, theksoi Idrizi. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura