Identifikohen 2 nga viktimat e komunizmit që u gjetën në Dajt. Thirrja e zv.ambasadores së BE për prokurorët

Nov 2, 2019 | 9:58
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Komisioni Ndërkombëtar për Njerëzit e Zhdukur (ICMP), i financuar nga BE, njoftoi dje se ka identifikuar dy nga 13 viktimat e komunizmit, të gjetura në varrin masiv 313 në Dajt, afro 10 vite më parë. 

viktimat-e-komunizmit

Të dhënat u bënë të ditura gjatë një konference që u zhvillua në Tiranë, ku u prezantuan gjetjet, mbi identitetet e para të viktimave të komunizmit. Në këtë konferencë morën pjesë zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, zv.ambasadorja e BE, Monika Bylaite, dhe Drejtori Rajonal i ICMP, Mathevv Holliday.

Gjatë kësaj konference, u theksua se mbi 6000 persona të ekzekutuar në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës komuniste vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur. Po ashtu, eshtrat e dhjetëra personave të gjetur në varre masive presin të identifikohen. Ndonëse identifikimi i dy prej viktimave quhet arritje shumë e madhe, përfaqësues të Komisionit çmojnë se progresi i mëtejshëm për identifikimin e disa prej mijëra viktimave të regjimit komunist ka qenë i pamundur edhe për shkak se Prokuroria e Tiranës dhe ajo e Fierit nuk kanë qenë bashkëpunuese.

Edhe 30 vjet pas rënies se regjimit totalitar në Shqipëri, shumë krime çnjerëzore të asaj periudhe vijojnë të mbeten të pazbardhura. Edhe sot, mijëra familje që vuajtën persekutimin komunist nuk dinë ende se ku gjenden eshtrat e të afërmve të tyre, të vrarë gjatë diktaturës. Mbi 6000 persona u ekzekutuan nga diktatura komuniste, të cilët vazhdojnë të konsiderohen si të zhdukur, por edhe pse janë zbuluar varreza masive, si në zonën e Dajtit apo në Ballsh, sërish identifikimi i është i vështirë, duke i lënë trupat në morg, në pritje të përgjigjeve të ADN-s.

DREJTORI I ICMT

Methew Holliday, drejtori Rajonal i ICMP, për kërkimin e Familjeve të Personave të Zhdukur, theksoi se në Shqipëri ndodhen edhe 37 vendvarrime potenciale masive, ku autoritetet duhet të përqendrohen në të ardhmen.

“Familjet e 6000 personave ende presin për një përgjigje. Të humburit nuk janë të vdekur. Ne kemi gjetur në dy vende, dy persona të ekzekutuar në kohën e komunizmit, konkretisht në Dajt dhe në Ballsh. Por çfarë është raporti i kërkimit të ADN? Kjo gjë bën të mundur identifikimit e personit të humbur nëpërmjet profilit gjenetik me familjarët e tij. Saktësia është mbi 97 për qind për të evidentuar viktimat e komunizmit. Deri tani janë marrë më shumë se 20 përgjigje për vendvarrimin në Dajt nga viti 2010. Ky kërkim dhe identifikim do të bëjë të mundur qetësinë shpirtërore të familjarëve që kërkojnë eshtrat dhe identifikimin e njerëzve të tyre të dashur. Rreth 630 familje kanë raportuar për të afërmit e tyre të zhdukur, duke krijuar edhe një hartë me 37 vendvarrime potenciale masive ku mund të gjenden eshtra të tjera. Prokurorët duhet të japin urdhër për të kryer këto zhvarrime, pasi ka edhe të tjerë në Dajt që rezultojnë të zhdukur. E njëjta gjë duhet të bëjë edhe Prokuroria e Fierit, e cila ka për detyrë të regjistrojë çdo rast apo denoncim nga familjarët që kanë humbur të dashurit tyre në kohën e komunizmit. Ne do të vazhdojmë të mbështesim qeverinë shqiptare për të bërë procesin e identifikimit të personave të humbur në kohën e komunizmit”, u shpreh Holliday.

ZV.AMBASADORJA E BE

Sipas zv.ambasadores së BE, Monik Bylet, Shqipëria është e fundit dhe shumë e vonuar në procesin e gjetjes së njerëzve të zhdukur.

“Identifikimi i dy personave ndoshta mund të mos të duket shumë, por, gjithsesi është një fillim i mirë, pasi dy familje janë të qeta pas identifikimit të eshtrave. Historia nuk duhet të harrohet. Dhe popujt e BE-së e kuptojnë më shumë se kushdo tjetër këtë situatë që ndodhet Shqipëria. Në Parlamentin Europian u miratua një Rezolutë për kujtimin e viktimave nga sistemet ditaktoriale dhe totalitare. Në këtë kohë, prokurorët duhet të bëjnë më shumë kërkesa nëpër gjykatat e rrethit për të bërë rikërkime për të humburit e kohës së komunizmit, që nuk janë pak, por 6000 persona. Ky është një detyrim moral i shoqërisë për të gjetur personat e humbur për gjatë periudhës 45-vjeçare të diktaturës”, u shpreh ajo.

ZV.MINISTRJA VODA: KEMI REZULTATET E PARA PAS MARRËVESHJES ME ICMT

Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, ishte dje e pranishme në konferencën për shtyp me rastin e identifikimeve të para me ADN të viktimave të komunizmit, në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar të Personave të Humbur (ICMP) dhe suportin e Delegacionit të Bashkimit Europian. Në vitin 2018, qeveria shqiptare dhe ICMP nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila i hapi rrugë konkretizimit të përpjekjeve të shtetit shqiptar për trajtimin e kësaj çështjeje kaq të dhimbshme, të trashëguar nga e kaluara e errët e regjimit komunist.

“Përveç faktit se ky ishte një detyrim ligjor i vendit tonë, në zbatim të Kushtetutës, Ligjeve dhe Konventave Ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, gjetja dhe identifikimi i një numri sa më të madh të mundshëm të këtyre personave është edhe një detyrim moral i gjithë shoqërisë tonë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të përmbyllet rehabilitimi i plotë i viktimave, rikthimi i dinjitetit dhe mbyllja e mijëra historive të dhimbshme. Sot, akoma pa u mbushur viti nga ratifikimi i marrëveshjes së bashkëpunimit me ICMP, kemi rezultatet e para konkrete të një pune të përbashkët të institucioneve shqiptare dhe eksperteve të ICMP”, u shpreh Voda.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura