Ibrahim Rugova në sytë e studiuesve, mes letërsisë dhe politikës

Jun 15, 2016 | 17:00
SHPËRNDAJE

U bënë tashmë 10 vjet. Arkitekti i pavarësisë së Kosovës nuk mundi t’ia arrinte dot ditës së lume. E megjithatë ai ishte aty, kur më në fund u kry!

Rugova
Rugova

Në kuadër të protokollit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës, në 10- vjetorin e ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës organizojnë konferencën shkencore dhe Ekspozitën “Kujtesa e Rugovës”.

Edhe pse 10- vjetori i vdekjes së liderit kosovar ishte në muajin janar, nuk ka asnjëherë një limit kohor, për të folur për një nga figurat më karizmatike të politikës mbarëshqiptare dhe për një nga kritikët më të rëndësishëm në letrat shqipe.

Dhe “Kujtesa e Rugovës” është një aktivitet i veçantë ku studiues e kritikë do ta përkujtojnë Rugovën, përveçse si një politikan të shquar, edhe përmes një tjetër dimensioni, atij letrar. Sipas organizatorëve, “kjo konferencë synon rrokjen e shumanshme të figurës së Ibrahim Rugovës si krijues, si intelektual dhe si personalitet i papërsëritshëm politik mbarëkombëtar”.

Do të marrin pjesë në të ministrat përkatës të Kulturës, Mirela Kumbaro e Kujtim Shala, ndërsa do të referojnë në konferencë Persida Asllani, Mark Marku, Dhurata Shehri, Agron Gjekmarkaj, Nysret Krasniqi, Halil Matoshi etj., të cilët do të hedhin dritë mbi disa aspekte të figurës së Rugovës si letrar dhe politikan, mbi zbulesën dhe kujtesën, mbi kritikun, mbi koherencën dhe inkoherencën në ligjërimin politik, mbi themeluesin e shtetit modern të Kosovës etj.

Konferenca do të shoqërohet me një ekspozitë libri, përmes së cilës Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” sjell për publikun në Tiranë botime të Rugovës dhe për Rugovën, që janë pjesë e fondit të kësaj biblioteke.

Do të ekspozohen botimet e hershme, gjurmët e para si dhe do të vijohet me libra studimorë, teorikë, kritikë, eseistikë, biografikë, punime e ese të shkruara nëpër revista e gazeta etj.

Gjithçka e përzgjedhur në përpjekjen që të jepet sa më e plotë tabloja për jetën dhe veprën e Ibrahim Rugovës, një pikënisje që përkon me marrjen dhe dhënien e asaj çfarë krijohet dhe çfarë ruhet nga trashëgimia e shtypur e kujtesës për Rugovën. Me interes do të jetë edhe një ekspozitë fotografike dokumentare nga artisti Fahredin Spahija.

Sipas tij “fotografitë nuk janë bërë me idenë për t’i ekspozuar, porse ka qenë një lloj reagimi karshi këtij personaliteti të jashtëzakonshëm – ikonë edhe intelektuale, edhe politike e shqiptarëve”.

Mësohet se ky koleksion fotografik do t’i dhurohet Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura