Ia kaloi Ramosit me prezenca, Ronaldo: Krenar për rekordet me Portugalinë

Oct 11, 2021 | 11:52
SHPËRNDAJE

Kur flitet për Kristiano Ronaldon, dokumenti që mbledh statistikat e tij është gjithmonë në përditësim e sipër për t’i shtuar ndonjë rekord. Këtë herë, portugezit iu nevojitën vetëm 45 minuta për arritjen e radhës. Ai ishte në fushë në miqësoren e Portugalisë kundër Katarit dhe përfitoi nga rasti të parakalonte Serxho Ramosin duke u bërë futbollisti me më shumë prezenca në një kombëtare të kontinentit europian.

ronaldo

S’KA MBARUAR – Ky rekord i ri do të përditësohet sepse numri 7 vijon të japë kontribut për vendin e tij, teksa mbrojtësi spanjoll ka disa muaj që ka dalë nga radarët e Luis Enrikes. Objektivi i radhës është Soh Chin An, i cili ka zbritur në fushë 195 herë me përfaqësuesen e Malajzisë. Ky do të ishte një tjetër primat pas atij për prezenca në Champions. Sigurisht, Ronaldo nuk mjaftohet vetëm duke zbritur në fushë. Në fakt, në ndeshjen ndaj Katarit shënoi golin e parë ta takimit duke i hapur rrugë fitores së skuadrës së tij. Më realizimin e fundit, ai ngjitet në kuotën e 112 golave me kombëtaren, çka është rekord i cili vijon gjithashtu të rritet.

FJALA E CR7 – Arritjet pasojnë njëra-tjetrën, teksa sulmuesi i Mançester Junajtidit duket sikur nuk ka dëshirë të ndalet duke vijuar të regjistrojë statistika të reja ose të përditësojë të vjetrat. Ajo e portugezit është një histori suksesi e cila vijon të shkruhet, megjithatë të tjera rekorde priten. Të paktën duke u bazuar në fjalën e vetë 36-vjeçarit, i cili mendimin e tij ia ka besuar profilit personal në “Instagram” ku ka mbi 354 milionë ndjekës. “Rekordet janë gjithmonë të rëndësishme, por ato me kombëtaren kanë një rëndësi të veçantë. 181 ndeshje me fanellën e Portugalisë përbëjnë 181 arsye për të qenë krenar. Nuk mendoja kurrë se do të ishte e mundur t’u shënoja 46 shteteve të ndryshme”, ka deklaruar sulmuesi në postimin e tij.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura