“Ia futi!”

Aug 15, 2018 | 11:30
SHPËRNDAJE
Kiço Blushi
Kiço Blushi

KIÇO BLUSHI

Në komunikimin e sotëm nuk ka folje më të përdorur se kjo që kam vënë titull. Kërkova në Fjalorin e Gjuhës Shqipe dhe i habitur nuk e gjeta kurrkund kuptimin që ka marrë në këto vite me “liri dhe demokraci” shprehja: Ia futi! Nuk e di nëse folja “fut” merr fuqi të tillë vetëvepruese, me tendencë të kësollojtë asgjësuese edhe në gjuhët europiane. Por, nuk besoj që në shoqëritë e zhvilluara, demokratike, kjo “ia futi” të ketë përparësi para moralit shoqëror, para punës së ndershme, para bashkëpunimit, mirëbesimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mes njerëzish, madje edhe para ligjit.

Në ligjërimin e sotëm, “ia futi” ka tjetërsuar kuptimin fillestar të rrënjës “fut”, sepse tani vetëkupton rastet kur jo vetëm tinëzisht, por edhe hapur, shqiptari ia fut shqiptarit, qytetari qytetarit, i zgjedhuri votuesit, shitësi blerësit, mjeku pacientit, gjykatësi ligjit, vartësi shefit, prindi fëmijës (dhe anasjelltas), deputeti zgjedhësit. Madje, edhe Kryeministri hokatar mund “t’ia fusë” herë pas here popullit të vet (dmth t’ia punojë, t’ia hedhë, duke e bërë të zezën të bardhë, sapunin ta servirë për djathë…), e kjo të vlerësohet jo vetëm si veprimtari e moralshme, jo vetëm si politikë e natyrshme, por edhe si dhunti, si meritë e suksesshme e përdoruesit.

Aq e zhvilluar është kjo dukuri, sa në ballafaqimet e pozitës me opozitën, çdo të enjte në Kuvend, konkretisht në debatin mes Kryeministrit dhe kryetarit të opozitës e veçanërisht në përplasjet verbale Rama – Berisha, vëmendja jonë nuk përqendrohet në argumentet e në alternativat që krerët paraqesin, por në “suksesin” e flakëpërflaktë, flakëhedhës, të atypëratyshëm se kush ka mundur të shpartallojë e të poshtërojë publikisht kundërshtarin me batuta e shpoti të thikta, sa më të hidhëta…

Davanë e fiton kush ka ditur t’ia fusë tjetrit sa më thellë, sa më hidhur, sa më faikkonicërisht, po të citojmë Ramën, kryemjeshtrin e makinerisë propagandistike të markës “ia futi”…

Për hir të së vërtetës, paraardhësi i tij, Berisha, ka qenë edhe ai mjeshtër i futjeve në kohën e vet për kundërshtarët, por me sa duket Rama e ka sofistikuar edhe më këtë makineri. Kjo quhet politikë e sigurt dhe e suksesshme që të jep vota dhe të sjell ose të mban gjatë në pushtet. Po ia hoqe politikës shqiptare mekanizmin “ia futi”, ajo del pa kuptim, pa vlerë, pa dobi. Për këtë mjafton të dëgjosh e lëçitësh “debatin” Thaçi- Berisha për çështjen e kufijve të Kosovës, që të bindesh se çfarë fuqie e trysnie ka marrë në të dyja anët e kufirit folja “ia futi”. Kur Thaçi u tërhoq, duke pohuar se nuk e kishte pas fjalën për Berishën, ai humbi më shumë pikë se ç’fitoi fillimisht, në sulm. Kjo do të thotë se shprehja “ia futi” nuk pranon tërheqje, pendesë, keqardhje.

Në përditësinë tonë, si poshtë, në pazar, në komunikim me katundarin që shet fiq në trotuar, me hidraulikun, me taksistin, me policin apo me farmacistin, ashtu edhe lart, në qeveri, në administratë, në majë të shtetit, kush di t’ia hedhë, dmth kush ia fut tjetrit, duke shitur ilaçe, gënjeshtra, premtime e ushqime të skaduara, daç tinëz, daç hapur, daç me kandar, daç para kamerave, ai quhet burrë/grua i zoti, i aftë, i suksesshëm, i nderuar, i mençur, talent, inteligjent… Te ne, futësi kësodore ndihet i lartësuar, i respektuar, “burrë shteti”.

Fatkeqësisht, opinioni ynë publik është aq i kontaminuar, aq i pafuqishëm dhe i denatyruar, sa tanimë nuk të dënon, nuk të ndëshkon, nuk të detyron të ulësh kokën e të tërhiqesh i turpëruar po të kapesh në ‘futje’, në hile, në gënjeshtër e shpifje, përkundrazi.

Falë përdorimit dhe zgjedhimit në përditshmëri gati-gati si në jashtëkohësi të foljes “ia futi”, “ia futa”, meritokracia e sotme, biznesi, veçanërisht politika, paralelisht edhe jeta mediatike, akademike e publike, pra, oratoria e çdo politikani apo analisti janë të papërballueshëm, të pakonkurrueshëm. Rreshtimi dhe militantizmi në aksh parti, biznes apo shoqatë shqiptare, si në Shqipëri dhe në Kosovë, sot janë vënë nën hyqmin e shprehjes foljore “ia futa”, si garanci e vetme prokopie dhe suksesi. Kjo mënyrë të menduari dhe të vepruari me “ia futi” është statuti real dhe fuqiplotë, i pashkruar, që drejton veprimtaritë publike të organeve partiake, për pasojë edhe të atyre zyrtare e private. Po nuk dite të zgjedhosh, dmth të vesh në veprim këtë folje çudibërëse, është e kotë t’i hysh një karriere, një nisme. Këtë e kanë mësuar tanimë edhe të rinjtë që kanë lindur pas diktaturës e që sot mbushin radhët e FRPD-së, LRI-së dhe FRESH-it. Trajnimi që iu bëhet atyre çdo vit në Jalë me sa duket këtë mision ka.

Nuk ka fjalë e nuk ka folje në gjuhën shqipe që të ketë përftuar në këto vite fuqi kaq gjithëpërfshirëse e ndërvepruese. Sot, mjerisht, edhe të rinjtë e kanë kuptuar se ky është kushti parësor për të bërë karrierë, për t’u gdhirë i shquar, i pasur, madje edhe i paprekshëm nga organet e Drejtësisë: të jesh i aftë dhe i gatshëm t’ia fusësh tjetrit, kujto qoftë, mikut dhe armikut, shokut dhe fqinjit, të njohurit dhe të panjohurit. Pra, kush ka aftësinë (ndoshta më e saktë do të ish po të thoshim: kush ka pafytyrësinë) t’ia hedhë publikut, t’ia fusë blerësit, të poshtërojë kundërshtarin e partisë, sidomos të kryetarit, mundësisht para kamerave, pa i bërë syri tërr, ai e ka më se të sigurt të bëhet deputet, ministër, VIP, i pasur, edhe po qe mediokër e gjysmë analfabet. Nëse në kulturë mbizotëron tallavaja, si në jug e në veri, në kulturën politike e mediatike mbizotëron mendësia e foljes “ia futi”. Ky është modeli që i ofrohet rinisë.

Shembuj me emra të transformimit të një hiçi në figurë të lartë partie e qeverie nuk është e nevojshme të jepen, se janë aq të shumtë dhe aq të dukshëm, si në PD dhe në PS, si në hierarkinë e pushtetit dhe shtetit, por edhe në rrugë, sa nuk ia vlen të bëhen klasifikime. Aq më pak etiketime. Vetëm nëse dje, në diktaturë, të preferuar e të suksesshëm ishin fuksat, sot, në këtë kinse demokraci, janë futsat. Tashmë dihet që fuksat ranë kur u shemb sistemi, ndërsa futsat e sotëm, që mbajnë gjallë sistemin, kujtojnë dhe besojnë se bash për këtë arsye, pra, duke u njëjtësuar me sistemin demokratik, duke u zgjedhur me “vota të lira dhe demokratike”, duke u emëruar deputetë me lista lëpirësish, janë të përjetshëm, të paprekshëm, të imunizuar.

Nuk e dinë që sistemi i ndërtuar me ta e për ta gjithsesi do t’u hajë kokën, si kont Ugolini.

Sado të pushtetshëm e të paprekshëm duken sot për sot, edhe në qofshin Presidentë Republike a Kryeministër, do të gjendet dikush që t’ua fusë edhe atyre. Edhe në mos qoftë futësi koleg e rival, edhe po t’i shpëtojnë me ligje a me procedura futjes (në burg a në diskreditim publik), mjafton një tregtar anonim buke që gatuan me miell të kontaminuar, një kasap mishi Brazili, një shitës ilaçesh false, një pronar i medias, një trafikant droge i lagjes, apo një vrasës si ky Ritvani i Selenicës që t’u futet, si ajri i ndotur, edhe atyre brenda familjes. Sepse në shoqëritë e ndërtuara e të sunduara kësisoj nga futsat, askush nuk mund të jetë i sigurt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura