I zuri frymën me shirit ngjitës dhe i mbuloi kokën me qese plastike/ Gjykata e Kukësit e liroi, zbulohen detaje tronditëse nga vrasja që Burim Duraku kreu në Greqi

Jun 25, 2022 | 18:05
SHPËRNDAJE

Gjykata e Kukësit ka shuar masën e sigurimit për shtetasin Burim Duraku, banues në fshatin Morinë, i cili akuzohet për veprën penale “Vrasje në bashkëpunim”, duke bërë që 34-vjeçari të fitojë lirinë.

burim duraku

Duraku rezulton një person me precedentë të theksuar kriminal, ku mes të tjerash akuzohet për vrasje në bashkëpunim të një shtetaseje greke në vitin 2010.

LISTA E NGJARJEVE PER TE CILAT AKUZOHET

Më datë 26.03.2010, në vendin e quajtur Argostoli te Kefalinias, dyshohet se shtetasi Burim Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D., të maskuar kanë hyrë tek banesa e një shtetaseje greke, ndaj të cilës kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike, si dhe i kanë marrë një sasi monedhash.

Më datë 06.04.2010, në vendin e quajtur Trapezaki Livathi te Kefalinias, dyshohet se shtetasi Burim Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D. kanë thyer derën e banesës së një shtetasi grek, ku kanë marrë sende me vlerë.

Më datë 16.04.2010 në vendin e quajtur Argostoli te Kefalinias, dyshohet se këta dy shtetas kanë hyrë në banesën e një shtetaseje greke, të cilën e kanë lidhur dhe kërcënuar me thikë dhe pasi i kanë marrë një sasi lekësh, janë larguar duke e lënë me gojë të mbyllur.

Më datë 01.05.2010, në vendin e quajtur Argostoli te Kefalinias të Greqisë, shtetasi Burim Duraku, në bashkëpunim me shtetasin Sh. D., të maskuar janë futur në banesën private të shtetases greke A. V. Pasi kanë tentuar pa sukses të shpërthenin me një mjet të mprehtë derën midis kuzhinës dhe sallonit, e cila ka qenë e kyçur, e kanë thyer derën dhe janë futur brenda. Aty kanë gjetur shtetasen greke A. V., të cilës i kanë lidhur duart dhe këmbët me një shirit vetëngjitës. Më pas kanë grisur me thikën një copë xhakete dhe e kanë mbështjellë me shiritin vetëngjitës duke i zënë frymën e më pas i kanë vënë në kokë një qese plastike dhe si pasojë e asfiksisë ajo ka gjetur vdekjen. Këta dy shtetas më pas i kanë vjedhur një shumë të hollash dhe disa sende të çmuara.

Po ashtu ka rezultuar se këta dy shtetas kanë hyrë në shtetin grek në mënyrë të paligjshme, pa respektuar formalitetet ligjore të kalimit kufitar nëpërmjet ndonjë pikë kufitare të atij shteti.

© Panorama.al

Te lidhura