“I zhgënjyer nga Kolela, nuk kishte dëshirë të fliste me mua”, Engjëll Hoti tregon “divorcin” me Partizanin: Nuk kthehem me të si trajner

Jun 6, 2023 | 17:51
SHPËRNDAJE

Engjëll Hoti duket se e ka mbyllur me Partizanin. Të paktën për sa kohë që në stolin e kësaj skuadre mbetet trajner Xhovani Kolela.

bandicam 2023-06-06 16-35-13-683

Mesfushori i cili i shpall kampion me të kuqtë në sezonin që sapo u mbyll, ka treguar në një intervistë për emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV’ se si ka rrjedhur situata mes tij dhe të kuqve dhe se pse ai ishte larguar nga vëmendja gjatë muajve të fundit.

“Të jesh kampion është një ndjenjë shumë e mirë, sidomos që në dy vitet e fundit kam dalë dy herë kampion dhe është ndjesi shumë e mirë.

Kam qene pak keq me shëndet në ditët e fundit dhe nuk kam mundur të jem pjesë e festës por kam komunikuar me Facetime me çunat.

Çdo trofe e shijon kur shpallesh kampion, e vështirë të thuhet kush nga dy titujt ishte më i mirë. Me Partizanin ka qenë pak më emocionues se u rivalizua deri në fund sepse me Tiranën ishim me pikë larg dhe u fitua titulli shumë herët.

Nuk jam penduar që kalova nga Tirana te Partizanit.  Kjo ishte lëvizja e duhur. Dola kampion. Me dy tituj do të thotë që kam bërë lëvizjen e duhur.

Nuk ka qene e lehtë në fillim se e kam pasur kontratën me klubin e Tiranës dhe çunat atje janë shumë të mirë. Por futbolli vazhdon, ne luajmë futboll për të pasur sukses dhe këtë e arritëm këtë vit.

A do festoja po t’i shënoja Tiranës? Varet nga loja, nga minuta, nuk di ta them e festoj apo jo. Nuk e di, është situata emocionale…

Për mua ka qenë një sezon mjaft pozitiv, në fillim e kam nisur me dëmtim të vogël të kavilja por jam rikuperuar shpejt. Në pjesën e dytë të sezonit kishim moskomunikim për vazhdimësi kontrate dhe pastaj situata ka vazhduar që të mos luaja si titullar. Ka qenë e vështirë kjo situatë. Ky është futbolli, ndodh gjithkund. Ndoshta ka qenë moskomunikimi i duhur, që të mos ndodhte kjo gjë.

Kontrata duhej të mbronte këtë verë dhe nuk e di, mosmarrëveshja nëse do të rrija apo ata kanë menduar ndoshta që do të largohem patjetër. Pra komunikimi nuk ka qenë si duhet, por jemi profesionistë dhe bëjmë punën tonë e vazhdojmë.

Jam në bisedime me presidentin drejtpërdrejt, nuk merrem me të tjerë. Me të do të flas dhe do të vendosim si do të bëjmë për të ardhmen.

A kam dëshirë të vazhdoj te Partizani? Po, besoj që po se golat nuk kamë munguar, aksionet nuk kanë munguar, dëshira nuk ka munguar. Ndoshta edhe komunikimi me Kolelën nuk ka qenë edhe aq i mirë, pasi kam qenë edhe pak i mërzitur. Nuk e di pse, nuk ka pasur ai dëshirë të fliste shumë me mua. Kështu ndahen rrugët, nuk e di. Të them të drejtën nuk e di, nuk kam pasur më muhabet me të, kam qenë pak i zhgënjyer të them të drejtën.

A do vazhdoj me Kolelën trajner? Nuk besoj.

Marini nuk është më. Por edhe para, që 3-4 javët e fundit, kam qenë në kontakt me Gaz Demin dhe Olsi Ramën dhe tani të shohim çfarë është më e mira për klubin, mua, të gjithë. Të shohim se cila është më e mira për të gjithë.

Do të flas edhe me presidentin, ai më jep fjalën e fundit se kam shumë besim të ai. Nëse ka edhe të tjera opsione, ka edhe interesim tjetër, normalisht edhe dëshira për qëndruar te Partizani është shumë e mirë. Kemi bërë një grup shumë të mirë, një organizim shumë të mirë, edhe kushtet shumë të mira. Edhe presidentin e kemi shumë afër dhe këtë titull e meriton shumë edhe presidenti për çfarë ka bërë për ne nga fillimi deri në fund. Partizani është klub mjaft stabilizues.

Isha deri tani me pushime, janë edhe më duket 7-8 ditë derisa të fillojë stërvita dhe deri atëherë do marrim vesh se si do të shkojmë.

Klubi e di më mirë, unë nuk mund të them nëse unë rri e ai ik, klubi vendos. Do flas me ta e do të shohim.

Kthim te Tirana? Vështirë, nuk besoj, jo. E kam bërë një lëvizje nga Tirana te Partizani, të kthehem prapa është e vështirë, nuk e di.

Akuzat për vjedhje nga Tirana? Kur ke luajtur një kampionat shumë të mirë e nuk e merr me pikë të barabarta me vendin e parë, je shumë i mërzitur. Diferenca ka qenë pjesë e klubit dhe investimit se Partizani ka pasur thuajse 18 lojtarë që janë aktivizuar rregullisht e Tirana më pak e kjo besoj se ka qenë diferenca pse ne jemi bërë kampion. Se kampionati është i gjatë, ka lëndime e kartona e loja nuk varet vetëm nga 11

Interesim nga klube të tjera ka, si brenda dhe jashtë. Për momentin nuk them emra, të presim edhe pak.

Duhet të shohim cila është më e mira për lojtarin, klubin, cili është plani në vazhdimësi, kush është trajner e kush jo, çfarë qëllimi ka. Jam ambientuar në jetën e Tiranës, më pëlqen shumë por tani të shohim”, theksoi Hoti në intervistën e tij.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura