“I vrava se jam Jezu Krishti”

Mar 5, 2014 | 7:40
SHPËRNDAJE

Autori i vrasjeve, Altin Piroli. Foto e marrë nga TV KLAN
Deklarata kontradiktore. Dy viktimat jepnin para me fajde, por mohohet konflikti për borxhe.

Vrasësi i dyfishtë në Polici: I kisha inat, kishin para

“Unë jam Jezu Krishti. I vrava se më zunë rrugën e Perëndisë”. Altin Piroli, autori i ekzekutimit të dyfishtë mëngjesin e djeshëm në Laç, ka dhënë deklarime që të linin përshtypjen e një të sëmuri mendor.
I riu që udhëtoi për 5 kilometra i armatosur me dy pistoleta, nga fshati i tij në qendër të Kurbinit, ka hutuar policinë me dëshminë e tij. Ai është marrë në pyetje në disa seanca radhazi, duke dhënë çdo herë deklarime të ndryshme. Pasi pretendoi se ishte Zoti që e kishte shtyrë drejt vrasjes së vëllezërve Gentian dhe Andre Cara, 30-vjeçari ka thënë se i kishte inat dy bashkëfshatarët e tij. “Nuk i shihja dot me sy. Ata kishin lekë, ndërsa unë jo”, ka vazhduar të thotë më tej Altin Piroli, ndërsa ka shtuar se shpesh vëllezërit e kanë vënë në lojë atë. Policia ka marrë në pyetje dëshmitarët e ngjarjes, mes tyre dhe kamerierin e lokalit dhe persona që ndodheshin pranë vendit ku u vranë dy vetë dhe u plagosën dy të tjerë. Mësohet se deri në momentin e krimit, Piroli kishte hyrë e dalë 3 herë nga lokali i vëllezërve Cara, ku kishte pirë 3 kafe radhazi. Hera e katërt ka qenë fatale për dy djemtë e rinj, të cilëve nuk u ka shkuar në mendje se brenda pak çastesh do të mbeteshin viktimë e plumbave. Kamerieri i lokalit ka treguar se nuk ka pasur asnjë debat me fjalë mes viktimave dhe autorit para se ai të qëllonte me pistoletë ndaj tyre, duke hedhur akoma më mister mbi motivin. Një tjetër element që pritet të zbardhet nga policia është fakti se ku i ka gjetur armët e krimit Piroli. Ai ka lëvizur me to gjatë të gjithë mëngjesit, derisa ka kryer vrasjen e më pas plagosjen e dyfishtë. Fillimisht është dyshuar se autori i ka vrarë me paramendim dy vëllezërit Cara, për shkak të një konflikti për shkak të parave me fajde që ata jepnin. Por, kjo pistë nuk është mbështetur pas dëshmive të marra paraprakisht nga grupi hetimor. Banorët e fshatit Zhejë dhe të njohur të dy palëve kanë treguar se 30-vjeçari prej 10 ditësh kishte shfaqur shqetësime, ndonëse nuk ishte agresiv me bashkëfshatarët e tij apo personat e tjerë me të cilët shoqërohej.

Pistat e krimit
1-    Autori ka qenë në kushtet e çrregullimeve mendore

2-    Konflikt parash mes viktimave dhe autorit

3-    Autori është bërë objekt talljesh nga viktimat

KURBIN / ELVIS HILA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura