“I tronditur nga ky akt kriminal”/ Presidenti Meta reagon pas sulmit ndaj autobusit të nxënësve në Kosovë: Autorët meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor

Nov 26, 2021 | 22:15
SHPËRNDAJE

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për ngjarjen e rëndë të shënuar mbrëmjen e sotme në Deçan të Kosovës ku një person qëlloi me armë zjarri drejt një autobusi me nxënës, ku mbetën të vrarë 3 persona.

ilir-meta

Me anë të një postimi në Facebook, Meta ka ngushëlluar familjarët e personave të vrarë.

Postimi i Presidentit Ilir Meta:

Thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit, ku sipas të dhënave paraprake raportohet për tre humbje jete dhe një të plagosur. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe solidaritetin e plotë familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës, duke bashkëndarë me ta dhembjen e madhe për këtë ngjarje shumë të rëndë.

Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë dhe përgëzoj ekipet mjekësore për përkushtimin dhe profesionalizmin, që po dëshmojnë! Kam besimin e plotë se institucionet përgjegjëse dhe drejtësia në Republikën e Kosovës do të zbulojnë sa më parët autorët, që meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:00 në fshatin Gllogjan në zonën e Deçanit në Kosovë. Deri më tani, ngjarja ende mbetet e paqartë pasi nuk dihet se sa persona kanë qenë ata që kanë qëlluar me armë zjarri ndaj autobusit.

Si pasojë e të shtënave, mbetën të vdekur 3 persona, shoferi i autobusit dhe dy nxënës. Ndërkohë mediat kosovare raportojnë edhe një viktimë të katërt, por ende nuk ka një verifikim zyrtar nga autoritetet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura