“I thyen 5 brinjë”- Shërbeu 20 vite si mjek në Shqipëri, tmerret e përjetuara të doktorit nga Mali i Zi në burgjet e komunizmit! I biri tregon për revoltën në qeli: Epilogu ishte tragjik

Oct 3, 2023 | 15:04
SHPËRNDAJE

ÇANO NORA/ Në Gjirokastrën e viteve ’60-’70, emri i Drago Vujosheviçit ishte i dashur e respektuar për mbarë komunitetin e qytetit dhe jo vetëm. Gjirokastriti i natyralizuar që vinte nga Mali i Zi, e vuri pa kursim në shërbim të qytetarëve dijen dhe aftësitë e tij, duke iu gjendur pranë orë e çast gjithkujt që kishte nevojë për ndërhyrjen e tij.

Mirko Vujosheviç

Plotë 20 vite shërbeu ditë e natë në spitalin e qytetit. Në krye të 20 viteve jeta e tij do të merrte kthesën e papritur. Ai mjeku I talentuar nga një vend I huaj që nuk e quajti kurrë të huaj veten në qytetin e ngurtë, një ditë do të kryqëzohej si agjent i shërbimeve të huaja që bënte agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe diktaturës së proletariatit.

Befasia që përjetuan gjirokastritët pas këtij lajmi të pabesueshëm, ishte e jashtëzakonshme. Shumëkush ndër ta shprehu dyshimet e veta. Se nuk bindej që një njeri si ai, një mjek human e i papërtuar, një qytetar model e një intelektual mendjendritur, nuk mund të shkelte në dërrasë të kalbur. Po mjerisht lajmi kishte qenë i vërtetë dhe doktor Drago do ndërronte qytetin e dashur të Gjirokastrës me qytezën e zymtë të Spaçit.

Çfarë kishte ndodhur dhe si përfundoi doktori i talentuar e i dashur për mbarë qytetin në prangat e Sigurimit të Shtetit, kush ishin njerëzit që i deshën tragjedinë dhe çfarë përfaqësonte për komunitetin e gjirokastritëve doktor Drago Vujosheviçi. Për këto dhe gjithçka tjetër mbi historinë e tij rrëfen për gazetën “Panorama” Mirko Vujosheviçit, I biri i doktor Dragos. Edhe pse ka disa vite që ai ka ndërruar jetë, në Gjirokastër për të flasin me admirim e mirënjohje, njëlloj si atëherë që u shërbente me dashuri e profesionalizëm.

Mbi dy dekada u ndenji pranë të sëmurëve që kishin probleme me lëkurën në krahë të doktorëve më në zë të kohës, dr. Vasilit të madh, Vasil Labovitit, dr. Kristaq Xhumbit, dr. Hodo Çela, dr. Islam Buci etj. U bënë vite që në dhomën “112”, në repartin e dermatologjisë nuk bëhen më vizita nga Dr. drago, por sa herë që para kësaj dhome kalojnë pacientë, nuk rrinë pa e kthyer kokën me mirënjohje për doktorin që të priste me buzëqeshje dhe me dorën në qafë. Dr. Mirko është ca i ndrojtur, se mos del nga “kufijtë” e modestisë, por aty për aty e gjen fillin e bisedës dhe tregon për çfarë mban mend nga raportet me të atin dhe ngjarjet që tronditën jetën e tij dhe të familjes…

Mirko Vujosheviç (2)

Zoti Mirko, babai juaj ka qenë një mjek me emër në qytetin e Gjirokastrës që në mesin e viteve ’70 është dënuar për agjitacion e propagandë. Diçka më konkrete për jetën e tij…

Im At lindi në 21 janar 1922, në Podgoricë të Malit të Zi, nga dy prindër të njohur në komunitet për inteligjencë dhe në marrëdhënie të afërta me të tjerët. Ishin ata prindër të cilët hodhën “themelet” e rrugës ku do të ecte në to, i biri i tyre më vonë. Ishin kohë të vështira mik, dhe për të mbijetuar duhej shumë punë, nga mëngjesi në darkë. Niseshin për në punë me agun e mëngjeseve dhe ktheheshin në mbrëmje vonë me dritën e hënës. Gjyshi dhe gjyshja ime, edhe punonin për të mbajtur fëmijët me bukë, por edhe me rritjen e shkollimin e tyre nuk e linin jashtë vëmendjes asnjëherë.

Me tim At merreshin shumë. Ai e kishte jetën përpara. Shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare e mbaroi këtu në fshatin e tij në Fundina të Podgoricës. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin e Podgoricës. Im At, edhe pse në moshë të re, mori pjesë aktive në luftën kundër okupatorëve italianë dhe atyre gjermanë. U bë anëtar i partisë komuniste jugosllave. Mbas luftës e kishte ëndërr të vazhdonte studimet për mjekësi në Bashkimin Sovjetik. Dhe për atje iu dha e drejta. U bë student në qytetin e Rostovit.

Studimet i përfundoi me rezultate të larta. U kthye në Atdhe ,por këtu nuk e lanë as të bënte pushimet të qeta, se ndiqej nga U.D.B. Ky ishte shkaku që im At mori vendimin për të ardhur si emigrant në Shqipëri. Ishte viti 1946.

Si e tregonte babai rrugëtimin për në Shqipëri. Si e pritën aty?

Në fillim u vendos në qytetin e Fierit. Aty punoi si mjek, ku u shqua për përballimin e detyrave kundër malaries. Iu shtrua punës së bashku me kolegët e tjerë shqiptarë. Në atë kohë u njoh edhe me nënën time dhe krijuan familjen. Shkurt, e pritën mirë dhe im atë siç tregonte ndjehej i lumtur e i qetë.

Mirko Vujosheviç (3)

Në Fier shkoi pa përfunduar studimet për mjekësi…

Në vitin 1947, në Tiranë u hap dhe Fakulteti i Mjekësisë, ku u regjistrua im At, për të vazhduar studimet e ndërprera në Bashkimin Sovjetik. Mori dhe nënshtetësinë shqiptare. Studimet në Tiranë i përfundoi me sukses në vitin 1952. Por, s’mbeti me aq. U caktua që të punonte dhe të specializohej për dermatolog në klinikën ku ishte drejtor dr. prof. Kërçiku. Në vitin 1961 u transferua në rrethin e Gjirokastrës.

Në Gjirokastër tha se do të merrnin fund njëherë e përgjithmonë lëvizet që e kishin munduar dhe që ia kishin bërë të vështirë jetën. Ky qytet për të do të ishte “stacioni” i fundit. Atje do të punonte ,do të rregullohej dhe do të kishte edhe një banesë të tij. Sytë i kishte nga puna në spital dhe nëpër rrethe, por edhe nga famija, se unë dhe vëllai ishim të vegjël. Nuk u mjaftua vetëm në pozicionin e shefit të dermatologjisë në spitalin jugor, por bënte edhe vet vizita për të sëmurët dhe ata të prekur nga sëmundjet e lëkurës, që kishin nevojë për konsultën dhe vizitën e Doktorit.

Ai vinte në Gjirokastër nga Mali I Zi në kohën kur Shqipëria dhe Jugosllavia ishin në konflikt të hapur. A e ndjente veten të huaj doktor Drago në qytetin jugor?

Asnjëherë. Në atë qytet magjik ,e pritën mirë të gjithë. Edhe vet ishte babaxhan, i dashur dhe i afruar me të gjithë. Ai ishte malazez, por e ndjente veten edhe gjirokastrit. Me fjalën e mirë me cilindo, me dorë në qafë, me mjekët ,me pacientët, me qytetarët. Në Gjirokastër njerëzit ishin me kulturë. Të afronin dhe të respektonin. Aq më tepër jabanxhinjtë. Por, im At s’e quajti veten kurrë jabanxhi.

Kjo i jepte ngrohtësi shpirtërore dhe ia bënte punën më të lehtë. Në një kohë të shkurtër e bëri pavijonin e dermatologjisë model jo vetëm në Jug të vendit, por në mbarë Shqipërinë. Ai e modernizoi dhe e bëri funksional dhe për shumë vite e drejtoi me kompetencë e profesionalizëm. Nuk i vinte rëndë kur e ndalonin në rrugë dhe i kërkonin ndihmë.

Në çdo çast ishte i gatshëm t’i shërbente gjithkujt. Po ishte dhe njerëzor. I ftonte njerëzit për kafe, u hiqte drojën dhe bisedonte me ta shtruar si të ishin të një familjeje. Kishte shumë shok e miq im At në Gjirokastër e jo vetëm. Dhe miqësinë me shqiptarët s’e la që të “ftohej” kurrë. Gjithnjë më këshillonte: “Mbaji shokët djalë! Mos vë pasurinë në plan të parë. Lekët sot i ke, nesër s’i ke. Miqësia s’të humbet asnjëherë!”.

Si e kujtoni periudhën kur doktor Drago shërbente në Gjirokastër?

Kujtoj veçanërisht vështirësitë që kishte në atë periudhë shërbimi shëndetësor. Gjirokastra asokohe kishte vetëm një ambulancë, makinë e markës angleze që kishte mbetur nga ndihmat e “U.N.R – as”, në vitin 1945. Shoferi i saj e mirëmbajti sa ia zgjati jetën edhe 30 – 40 vjet.

Kur erdhën ambulancat nga vendet komuniste, atë ambulancë e mori Drejtoria e Shërbimit Shëndetësor, që në vitet 60 e drejtonte dr. Shemsho Baboçi e në vitet ’70, dr. Vladimir Bashari. Kjo ambulancë shpinte në çdo fshat të rrethit të Gjirokastrës një ekip për eliminimin e sëmundjeve infektive dhe sëmundjeve të tjera që preknin banorët. Në atë ekip bënte pjesë edhe im At, doktor Drago Vujosheviçi, i arrestuar nga shteti komunist jugosllav për arsye politike, i cili për arsye politike erdhi në Shqipëri për strehim. Po çuditërisht, dhe në Shqipëri e arrestuan për politikë…

Mirko Vujosheviç (4)

Cilët ishin shokët e miqtë më të afërt të doktor Dragos në Gjirokastër?

Doktorët Vasil Zhusti, Përparim Hoxha, Kristaq Xhumbi dhe Andrea Nika, ishin ata që rrinin më afër tij. Andrea ishte gjinekolog, por nuk e kishin me sy të mirë në Gjirokastër, ata të komitetit të partisë së rrethit, prandaj u detyrua të ikte me punë në Spitalin e Elbasanit. Erdhi pas disa vitesh në vendlindje, por me hapjen e kufijve iku njëherë e përgjithmonë në shtetin fqinjë, Greqi.

Ja, kështu i trajtonte sistemi i asaj kohe njerëzit e zgjuar dhe puntorë. Im At për këto gjëra nuk na fliste kurrë në shtëpi. Dhe ne ia dinim tipin dhe nuk e pyesnim.

Përse e arrestuan doktorin më në zë në qytetin e Gjirokastrës?

Është një histori e tërë kjo. Lajmi i arrestimit të tim eti, na ra si bombë, ne si familje, por dhe në tërë qytetin. Kujt i shkonte ndër mëndje ,se atë burrë me një karrierë profesionale, me një sjellje qytetare dhe humane, i dashur dhe fjalëmbël me këdo, do t’i hidhnin hekurat në mes të qytetit. Atë ditë të tmerrshme ishte mjek roje. E arrestuan si “armik të popullit” nën akuzën “Për agjitacion dhe propagandë” kundër qeverisë shqiptare.

Im At ishte duke pirë kafe me ca miqtë e tij te një lokal tek “Ura e Lumit”, disa dhjetëra metra nga spitali. Në atë moment erdhi një xhip sovjetik me shpejtësi dhe ndali tek këmbët e tyre. Pluhuri që u ngrit, u përhap ngado.

U hapën dyert e pasme të xhipit dhe me shpejtësi dolën tre oficerë ushtarakë, ku njëri prej tyre mbante pistoletën në dorë. Ishte ai që iu drejtua tim ati duke i thënë: “Drago Vujosheviç, në emër të popullit, jeni i arrestuar!”. – Përse, ç’kam bërë që më arrestoni? – i pyeti doktori. – Ke ngrënë bukën e Enver Hoxhës dhe ke bërë duvanë e Titos,- foli një oficer që rrinte në krahë të shoferit. Dhe aty për aty e lidhën e futën në xhip dhe e larguan. Ishte shtator i vitit 1978.

Pastaj, hetuesia dhe gjyqi famëkeq kundër Drago Vojosheviçit…

E saktë! Vërtet gjyq tim eti, të cilin donin që ta dënonin me çdo kusht, për t’i “mbyllur” gojën e të mos shprehej më se ç’kishte parë e dëgjuar në Jugosllavi e në Bashkimi Sovjetik. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura, por fjala “shfryu” dhe u përhap si erë te të gjithë, se im At ishte shprehur se në Jugosllavi të rinjtë janë të lirë dhe ndjekin modën, se në biseda me njerëzit kishte ngritur figurën e Titos dhe se ai i kishte siguruar popullit jugosllav mirëqenie, ndërsa këtu në Shqipëri njerëzit vuajnë, se gjendja në treg ishte për ibret dhe se doktori kishte bërë krahasime për fuqinë blerëse këtu dhe në Jugosllavi.

Me çfarë ia faktonin këto akuza?

Me dëshmitarë. Në gjyq morën pjesë tre dëshmitarë. Pashk Simoni, Ksenofon Xhixho dhe një Llukan, që mbiemri s’më kujtohet. Ja ç’tha Pashk Simoni në gjyq, me zë të lartë: “Doktor Drago më ka thënë se fshati këtu në Shqipëri është katandisur keq, se nuk kanë të ardhura, se shtypi ynë nuk pasqyron realitetin, por gënjen dhe shkruan se në Jugosllavi vuajnë masat punonjëse dhe ka ngritje të çmimeve, se klasat e përmbysura nuk përbëjnë asnjë rrezik për çështjen e socializmit”.

Edhe dëshmitarët e tjerë, LLukani dhe Ksenofoni, i përforcuan ato që tha Pashk Simoni. Kaq mjaftuan që trupi gjykues, duke dëgjuar edhe prokurorin e çështjes, të mbldhej dhe të merrte vendimin: “Drago Vujosheviçi është marrë me agjitacion dhe propagandë dhe ka bërë krim kundër shtetit shqiptar”.

Dhe fundi…

Fundi dihej. Gjykata e Rrethit Gjirokastër, pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit, pasi dëgjoi prokurorin, i cili kërkoi të deklarohej fajtor sipas akuzës dhe në bazë të nenit 99/1 1975 të KP të dënohet me 10 vjet heqje lirie. Bëri shtatë vjet e tre muaj. U kthye nga burgu i tjetërsuar në fizik e në gjendjen shpirtërore..

Mirko Vujosheviç (5)

Ku e kreu dënimin?

Në Pukë, në Burgun e Qafë Barit. Aty mori pjesë dhe në revoltën e majit të vitit 1983. Shkak për revoltën u bë puna e rëndë me turne në minierë. Ishte marrë një vendim, që ai i burgosur, nëse nuk bënte normën në turnin e tij, do të dënohej duke qëndruar në punë edhe gjatë turnit tjetër. Presioni i madh dhe sjellja harbute e komandës së policisë së burgut, ngjalli urrejtje të madhe te të burgosurit.

Shkak u bë se një të dënuar politik, djalin 18-vjeçar Ndue Pishën, e urdhëruan që të vazhdonte punën në dy turne, se s’kishte bërë normën. Shefi i Policisë, i shoqëruar edhe nga dy policë të tjerë. Nduen e thirrën në zyrë dhe pa i kërkuar sqarime, filluan që ta rrihnin barbarisht. Të bërtiturat e tyre i dëgjuan dhe shokët e Ndues që ishin jashtë hekurave të penxheres.

U revoltuan dhe i kërkuan komandantit të Policisë që të tërhiqej nga dhuna ndaj atij të dënuari, por ata vazhduan me rrahjen edhe më tepër. Situata agravoi. Revolta mori përmasa të mëdha. Epilogu ishte tragjik. Nga të dënuarit u pushkatuan tre vet. Tim At e keqtrajtuan deri sa i thyen 5 brinjë. Një bashkëvuajtës tjetër, Sandër Sokolin, e thyen në mes, ngaqë i rënduan përsipër policët. Fatkeqësisht, ai nuk u mbijetoi dhe vdiq i gjymtuar.

Pas revoltës, tim At e çuan në kampin e të burgosurve në Lezhë. Nga plagët e marra, ndihej shumë keq. E shtruan dhe në spitalin e burgut. Infermieri që e mjekonte ishte dr. Kosovrasti, i cili shërbente në atë spital. Pos revolta vijoi me disa që i çuan në qeli dhe i rrihnin tri herë në ditë, disa të tjerë i çuan në Tiranë dhe i ridënuan dhe me 10 vite të tjera. Shto këtu dhe tre të pushkatuarit.

Ndërkohë, ju trashëguat profesionin e babait…

Studimet i kisha filluar para se të futej babai në burg në vitin 1972. U diplomova mjek në vitin 1978 dhe u emërova mjek i Përgjithshëm. Në fillim, më çuan në Dhoksat, një fshat I Lunxhërisë. E dashuroja me shpirt profesionin. E doja punën si askush tjetër. S’pretendoja që të isha me një punë në qytet.

Profesioni ynë ashtu ishte, do sakrifikoje. Të duhej të ishe pranë të sëmurëve, të shpëtoje jetë njerëzish. Por, ç’ndodhi pas arrestimit të babait tim? Më hoqën nga Dhoksati, që ishte afër me qytetin dhe më transferuan në Zagorinë e Poshtme. Atje punova 10 vite. Këtu do ndaloj pak, për të falënderuar ata banorë të mrekullueshëm, që më mbanin afër dhe më bënë të mos e ndjeja mungesën e familjes, se ata mu bënë si familjarët e mi. U jam mirënjohës për gjithë jetën!

Kur u larguat nga Shqipëria?

Gruan e mora nga lagjja “Manalat” e Gjirokastrës. Kjo lidhje e bëri edhe më të vështirë largimin për në vendin tim të origjinës, Podgoricën. Por, një ditë vendosëm të ikim së bashku me gruan dhe fëmijët, për në Malin e Zi. Ishte mendim i të gjithëve si familje. Në 22 nëntor të vitit 1990, me lejen e qeverisë shqiptare, erdhëm këtu në vendlindje. Na pritën shumë mirë. Unë dhe gruaja, me njohjen e diplomës si mjek, nga Fakulteti i Mjekësisë të Beogradit, punuam si mjekë. Tani në pension.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura