‘I theu dhëmbin, e shtriu përtokë’, zbardhet dëshmia e Fadilit kur tentoi ta vriste gjyqtaren në Golem

Sep 7, 2017 | 10:23
SHPËRNDAJE

Tregtari Fadil Kasemi, i arrestuar më 31 gusht, për vrasjen e gjyqtares Fildes Hafizi, ka tentuar në mënyrë të dukshme t’i shmanget përgjegjësisë, pasi kërcënoi me armë ish-gruan e tij në korrik 2015, shkruan “Panorama”.

Fadil Kasemi dhe gjyqtarja Hafizi
Fadil Kasemi dhe gjyqtarja Hafizi

Dokumentet hetimore të çështjes, të cilat janë siguruar dje nga gazeta “Panorama”, zbardhin dëshminë që i arrestuari ka dhënë zyrtarisht pasi u arrestua me akuzën, se kërcënoi gjyqtaren në prani të fëmijëve në plazhin e Golemit në Kavajë.

Atë ditë, gjyqtares i janë shkaktuar shenja në fytyrë, ndërsa prej dhunës i është thyer dhëmbi, evidenton raporti mjekoligjor i kësaj çështjeje për dëmtimet fizike te 39-vjeçarja.

“Pas ngjarjes, Fadili është ulur në shezlong, duke mbajtur kokën me duar dhe kur ka shkuar policia për ta shoqëruar, është prezantuar me gjeneralitete të sakta dhe nuk ka paraqitur rezistencë. Nga verifikimi me gypin dikator alkooli, rezultoi se shtetasi Fadil Kasemi kishte përdorur pije alkoolike dhe përmbajtja e alkoolit ishte 0,1% – 0,2 %.

Ai ka pretenduar se ka konsumuar vetëm raki dhe verë në sasi që nuk justifikojnë atë shkallë përqendrimi të konstatuar”, thuhet në dokumentet e çështjes. Sipas saj, i pandehuri Fadil Kasemi gjatë hetimit ka pretenduar se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe nuk i perceptonte drejt gjërat, por ka thënë se arma dhe çanta nuk janë të tijat.

“Në lidhje me çantën, ka pretenduar se ajo i përkiste një personi që nuk e njihte e që e kishte provokuar, duke iu ulur në tavolinë, si dhe i kishte marrë çelësat e veturës dhe i kishte futur në çantë”, thuhet më tej në dokumentet zyrtare të çështjes së hetuar në Prokurorinë e Kavajës dhe të gjykuar në gjykatën e këtij qyteti.

Sipas hetimit, edhe makina tip “BMW”, çelësat e së cilës u gjetën e u sekuestruan në çantën ku ishte pistoleta, i përkiste Fadil Kasemit i cili e kishte blerë pa bërë dokumentet përkatëse, pasi e kishte në provë për disa ditë.

ÇFARË NDODHI NË PLAZH

Më 19.07.2015, rreth orës 16:00, shtetasja Fildes Hafizi së bashku me djalin e saj, A. Kasemi, ka dalë nga dhoma që kishte marrë me qira në plazhin e Golemit për të shkuar te shezlonget në anë të detit, kur ka parë se drejt tyre po afrohej ishbashkëshorti i saj, i pandehuri Fadil Kasemi. Ky i fundit, kur ka konstatuar se Fildesi e ka parë, është afruar me vrap, pa i lënë mundësi Fildesit që të largohet apo të fshihet.

Sapo e ka arritur, Fadili ka tentuar të hapte një çantë (marsupio) dhe të nxjerrë diçka prej saj. Fildesi, duke dyshuar se ai donte të nxirrte armë, i është drejtuar duke iu lutur që të mos i linte fëmijët jetimë, si dhe ka tentuar t’i marrë çantën.

Fadili ka reaguar, duke e goditur në fytyrë me grusht dhe e ka rrëzuar në rërë. Ata janë përleshur fizikisht me njëri-tjetrin e aty fillimisht ka ndërhyrë djali i tyre A., i cili ka parë të atin të hapë çantën e të tentoje të nxjerrë prej andej një send, që ai e ka identifikuar pistoletë, por që nuk e ka nxjerrë atë.

Aty kanë ndërhyrë dhe persona të tjerë, pushues që ndodheshin aty. Duke përfituar nga kjo ndërhyrje, Fildesi ka mundur t’i marrë çantën që kishte rënë në tokë e të vrapojë drejt hotel “Horiozontit”, ku ka kontaktuar me pronarin, shtetasin Saimir Gjuzi, i cili ka konstatuar se kjo shtetase kishte shenja dhune në fytyrë dhe po bërtiste:

“Po më vret, po më vret” dhe i ka kërkuar ndihmë, si dhe të njoftonte policinë. Policia ka mbërritur shumë shpejt e shtetasja Fildes Hafizi i ka dorëzuar çantën, të cilën e kishte pasur i pandehuri Fadili Kasemi.

TRAZHGIM SOKOLAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura