I sollën dëm shtetit 1.2 milionë euro, ‘Apeli’ lë “arrest shtëpie” dy zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe përmbaruesin

Feb 3, 2023 | 7:43
SHPËRNDAJE

Edhe pse u arrestuan me kërkesën e Prokurorisë, pas një denoncimi të kryer nga një bankë, dy zyrtarët e Ministrisë së Financave bashkë me përmbaruesin, janë lehtësuar sërish po nga prokuroria.

arlindgjokutaj

Për ta dje Apeli ka marrë vendimin për t‘i lënë në arrest shtëpie. Kështu më kërkesë të prokurores Arta Marku, Gjykata e Apelit në Tiranë zbuti masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie” për sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, drejtorin juridik Fatmir Hoxha dhe përmbaruesin Alban Ruli. “Këto akte të prodhuara nga administrata nuk sjellin pasoja, u ndryshua masa e sigurimit me kërkesën e palës mbrojtjes. Jemi të bindur në pafajësinë e të mbrojturit prej nesh”, u shpreh avokati Sokol Hazizi.

Ndërkohë, Ilir Thana u la në burg. Zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe përmbaruesi u arrestuan pak javë më parë pasi akuzohen se firmosën dokumente për t’i kaluar 1.2 milionë euro kompensim një qytetari me emrin Ilir Thana, të cilin e trajtuan si ishpronar, pa qenë i tillë. Ilir Thana mori përmes bankës vetëm 400 mijë euro dhe pjesa tjetër e parave do t’i kalonte në muajt në vijim. Gjithçka u bë për një magazinë që shteti ia shiti Thanës në 1992-n, por Komisioni i Kthimit të Pronave ia mori 3 vite më vonë për t’ia kaluar pronarëve të vërtetë, duke dëmshpërblyer me këste Ilir Thanën me vlerën e pronës sipas çmimit të tregut. Në 2021, edhe pse ishte dëmshpërblyer një herë, Ilir Thana duke përdorur përmbaruesit arriti në vlerësimin e pronës që nuk ishte më e tija, deri në vlerën 1.2 milionë euro.

SKEMA E MASHTRIMIT NGA THANA

Gjithçka lidhej me një kontratë blerje të firmosur mes Ilir Thanës, i arrestuar në dhjetor 2022 dhe Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar për privatizimin e një objekti magazinë nr. 2 në vitin 1992. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, kontrata u shpall e pavlefshme dhe palët u kthyen në pozicionin e mëparshëm. Ndaj Ilir Thanos u kthye shuma prej 103.046 lekësh me të cilën ky shtetas kishte blerë objektin e magazinës. Ministria e Financave transferoi në llogarinë e Ilir Thanës shumën prej 284.139, sa vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga Sektori i Publikimeve në INSTAT.

Më tej, Ilir Thana i është drejtuar Zyrës Përmbarimore e cila në kundërshtim flagrant me ligjin ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920, duke u hequr dhe trajtuar si ishpronar Ilir Thanën në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status. E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë Ilir Thanës është në kundërshtim me ligjin dhe u tha se cenoi Buxhetin e Shtetit me rreth 1.2 milionë euro.

Prokuroria bëri me dije publikisht se Ministria e Financave ka kaluar në favor të Ilir Thanës shumën prej 48.118.366 lekësh. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të një gruaje me inicialet Sh.P. po ashtu gjatë fazës hetimore prokurori i çështjes saktësoi se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit të Ministrisë së Financave dhe zyrtarit Gjokutaj, kanë shpërdoruar detyrën, duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura