HISTORIA/ I riu u hakmor gjatë dasmës për vrasjen e babait 19 vjet më parë

Jul 25, 2016 | 13:05
SHPËRNDAJE

Për gjakun e të atit vret të riun në mes të dasmës në fshat. Krimi i ndodhur mbrëmjen e së shtunës, në fshatin Orgjost në Kukës, tronditi të gjithë zonën e Gorës, e cila shumë rrallë ka shënuar ngjarje të tilla.

13819619_579762865545440_2029634828_n copy
Autori

Viktimë është 29-vjeçari, Miraim Isa, ndërsa autori Ismail Alidini, 24 vjeç. Ky i fundit u arrestua disa orë pasi qëlloi pas shpine, me thikë, bashkëfshatarin e tij.

KRIMI

Sipas Policisë, krimi ndodhi rreth orës 22:30, në fshatin Orgjost, të Kukësit. Në këtë fshat po kryhej ceremonia e një dasme dhe Isa ndodhej shumë pranë vendit ku po organizohej gëzimi familjar. Tradita e zonës e do që kur ka një festë të tillë në familjet e fshatit mblidhen aty të gjithë banorët, madje edhe ata që janë larguar në qytetin e Kukësit apo dhe jashtë tij.

13820786_579762858878774_438156192_n copy
Viktima

Edhe të shtunën, aty kishte shumë të rinj të fshatit, të cilët përcillnin vallet e dasmorëve. Mes tyre, edhe 29-vjeçari Miraim Isa. Bashkë me shokët ai po qëndronte shumë pranë klubit të fshatit që ndodhej pranë vendit ku zhvillohej dasma. Befas nga prapa, në befasi, ai u qëllua disa herë me thikë.

Edhe pse ishte errësirë, të pranishmit e tjerë e njohën, pasi bëhej fjalë për një bashkëfshatarin e tyre, pikërisht 24-vjeçarin, Ismail Alidini. Ai menjëherë u largua nga vendi i ngjarjes, ndërsa dëshmitarët, të tronditur kërkuan një mjet për të nisur të plagosurin rëndë drejt spitalit të Kukësit. Pak kohë më vonë, mjekët njoftuan se 29-vjeçari kishte ndërruar jetë për shkak të plagëve të mëdha që kishte marrë.

Policia e Kukësit u nis drejt fshatit, rreth 30 km larg, për të zbardhur ngjarjen e rëndë, ndërkohë që pas disa orësh kërkimi u arrit që të kapej autori i vrasjes. HAKMARRJA Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për një krim të ndodhur pas një sherri të çastit mes të rinjve, banues në të njëjtin fshat.

Por, ndërsa po verifikoheshin të dhënat, rezultoi se mes dy familjeve kishte një histori vrasjeje. Në vitin 1997, babai i 29-vjeçarit, Miraim Isa, Behram Isa, pas një grindjeje vrau me armë zjarri në oborrin e shtëpisë babanë e Ismail Alidinit, Memishin. Në atë kohë, djali i mbetur jetim ishte 5 vjeç, i cili rritej bashkë me rrëfimin e familjarëve të tij se si iu vra i ati në oborrin e shtëpisë. Në të vërtetë, vrasësi u kap nga Policia dhe u dënua me 13 vjet heqje lirie.

Ai para disa vitesh doli nga burgu dhe më pas vdiq në shtëpi, por duket se kjo nuk e ka zgjidhur situatën e rënduar mes dy familjeve. Nga burime të fshatit, Policia ka mësuar se, dy të rinjtë kishin debatuar pak kohë më parë dhe kjo duket se ka nxitur idenë e hakmarrjes nga ana e 24-vjeçarit, Alidini. Mbrëmjen e së shtunës ai shfrytëzoi errësirën dhe faktin se shënjestra e tij ishte në qendrën e fshatit, për të bërë ekzekutimin e tij.

Sipas Policisë, fakti i sherrit të mëparshëm ka provokuar hakmarrjen pikërisht te Miraim Isa, pasi viktima kishte disa vëllezër. Mësohet se për 19 vite me radhë, banorët e fshatit nuk kishin arritur që të zbusnin gjendjen mes dy familjeve, derisa djali i viktimës së ’97-ës mori hak. Nga ana e Policisë së Kukësit vrasja me thikë e Miraim Isës është cilësuar si “krim për shkak të gjakmarrjes”.

RIZA HOXHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura