I riu, shantazh 15-vjeçares me videon intime që kishte xhiruar me të. I merr 3 mln lekë

Jul 5, 2015 | 12:05
SHPËRNDAJE

Një 21-vjeçar nga Vlora ka kryer marrëdhënie seksuale me një minorene, që kishte njohur në Facebook dhe më pas i ka kërkuar asaj shuma parash duke e kërcënuar se do t’i publikonte videon intime.

Gjykata e Krimeve të Rënda

Ky është dyshimi i Prokurorisë për të pandehurin Ervin Bajrami, i cili po gjykohet te Krimet e Rënda për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”. Sipas Prokurorisë, e gjendur nën presionin e Bajramit, 15-vjeçarja E.Q. i ka dhënë atij shuma të ndryshme parash, gati 3 milionë lekë të vjetër në total, të cilat i merrte fshehurazi te kursimet e prindërve të saj.

Gjykata për Krimet e Rënda nisi dje procesin gjyqësor ndaj 21-vjeçarit. I pandehuri Bajrami u shfaq i penduar në sallën e gjyqit. Përmes avokatit të tij, Lazer Sokoli, ai tha se e pranonte akuzën dhe shfaqte pendesë të thellë.

Më tej, ai kërkoi të gjykohej me procedurën e gjykimit të shkurtuar, kërkesë që u pranua nga Gjykata. Referuar kërkesës për gjykim, procedimi ndaj 21-vjeçarit kishte nisur në nëntor të vitit 2014. Ai është kallëzuar nga e ëma e minorenes për akuzat e “marrëdhënieve seksuale me dhunë” dhe për “shtrëngim me anë të kanosjes për marrjen e pasurisë”.

Sipas hetimeve ka rezultuar se kallëzuesja ka vënë re mungesën e një sasie prej 1150 euro në banesën e saj. Dyshimi i saj se ishin marrë nga një person i familjes është miratuar nga vajza e saj e mitur, e cila ka pranuar se i ka marrë ato pas kërcënimeve të Bajramit. Ajo i ka rrëfyer të ëmës së ishte njohur me të pandehurin në Facebook në periudhën shtator-tetor 2014.

Pas disa bisedave ata janë takuar në afërsi të banesës së saj. Sipas saj, ajo ka hipur në automjetin e tij dhe kanë shkuar në pyllin e Sodës, ku nën dhunë psikologjike ai e ka përdhunuar. Në vijim, ai i ka thënë asaj që e kishte regjistruar në video gjatë aktit seksual dhe nëse nuk do t’i jepte para do ta publikonte atë në internet. “Për ta bërë të besueshëm këtë fakt, i pandehuri ka ndryshuar emrin e profilit të tij në Facebook, duke i vënë emrin e të dëmtuarës”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.

Gjatë kohës që ka marrë shuma lekësh nga e dëmtuara, ai i ka dërguar asaj edhe sms në numrin celular. Sipas Prokurorisë, pas veprimeve hetimore nuk është provuar akuza e “përdhunimit” dhe i pandehuri është dërguar për gjykim vetëm për gjobëvënien ndaj minorenes. ar.ba

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura