I rilindur te Kukësi, “snajperisti” Shkodra: Besoj që e mbajmë vendin e dytë, ja sekretet

Mar 12, 2018 | 21:54
SHPËRNDAJE

Donjet Shkodra është njeriu i golave spektakolarë. Këtë herë perla e realizuar prej tij ndihmoi Kukësin që të përmbyste disavantazhin me skuadrën e Teutës. Mesfushori i verilindorëve ka shënuar deri tani 2 gola dhe ka dhënë kontribut në arritjen e rezultateve pozitive. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai flet për golin, për fitoren dhe, mbi të gjitha, për formën e mirë që po kalon.

shkodra

Donjet, shënuat një tjetër gol dhe duket se jeni në momentin tuaj më të mirë?

Ishte një gol i bukur. Jam shumë i kënaqur për këtë gol, por mbi të gjitha për fitoren e ekipit. Tek unë s’ka ndryshuar asgjë, vetëm se kam 3-4 ndeshje që luaj në pozicionin tim natyral dhe kam shënuar 2 gola. Mendoj që në çdo ndeshje të bëj më mirë.

Pas largimit të Bakajt, po e bëni ju rolin që kishte ai…

Më parë, trajneri ka pasur nevojë për mua në pozicione të ndryshme dhe unë jam munduar të bëj më të mirën. Por, dihet që çdo futbollist jep më të mirën në pozicionin e tij natyral. Në rolin tim, mendoj se jam më i dobishëm.

Pse mendoni se ndeshja me Teutën ishte shumë e vështirë?

Nuk mendoj se na e bëri kundërshtari të vështirë ndeshjen, por ia bëmë vetes. E kemi të vështirë të menaxhojmë rezultatin kur jemi duke fituar. Nuk e di ku është faji.

Pse Kukësi pëson shumë gola? Mos ndoshta ju mesfushorët duhet ta mbroni më shumë mbrojtjen?

Nuk është e vërtetë që ne nuk e ndihmojmë. Mendoj që golat e pësuar vijnë nga goditjet standarde ose nga cilësitë individuale të ndonjë lojtari kundërshtar.

Keni shënuar 2 gola me Kukësin, por mendoni se me pozicionin e ri mund të shënoni më shumë?

Ndoshta, por do të kërkoj të bëj më të mirën në çdo ndeshje. Pastaj golat do të vijnë. Nuk jam i fiksuar për të shënuar, por për të fituar ndeshjet. Roli im nuk ka shumë lidhje me golat, por natyrisht që do të tentoj të shënoj sa herë të kem mundësinë. Rëndësi ka që ta ndihmoj ekipin. Nëse skuadra ecën mirë, unë sigurisht që jam i kënaqur.

shkodraa

Sa gola keni objektiv për të shënuar në këtë sezon?

Nuk mendoj për objektiva golash.

Cili është sekreti i rigjetjes së formës tuaj?

Mendoj që janë ndeshjet e luajtura në vazhdimësi dhe vetëbesimi. Një lojtar që qëndron në stol për 6 muaj, mendoj që i nevojitet kohë, jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht, me qëllim që të rigjejë formën e tij. Fatmirësisht, këtu kam gjetur një ekip cilësor dhe lojtarë shumë të mirë. Stafi është i shkëlqyer dhe për këtë fakt çdo lojtar jep më të mirën.

Cilat janë synimet e Kukësit?

Synimet tona janë ndeshja e radhës, pastaj llogaritë do t’i bëjmë në fund. Ne futemi në fushë me synimin për ta fituar atë ndeshje, i kemi të gjitha mundësitë për ta bërë. Ekipi po konsolidohet. Sigurisht që kemi shumë punë për të arritur më të mirën, por jemi në rrugën e duhur.

Këtë javë shkoni në Gjirokastër. Çfarë ndeshje është dhe çfarë rezultati prisni?

Pres një ndeshje të vështirë me futboll të mirë. Kemi një ekip të fortë dhe po kalon një formë pozitive. Qëllimi ynë është të marrim rezultat pozitiv. Qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi e dimë vështirësinë e kampionatit dhe të Kupës.

Mendoni se e rrezikoni vendin e dytë? Kujt i trembeni?

Jemi 6 pikë para, por nuk jemi 100% të sigurt për vendin e dytë. Duhet të bëjmë çdo javë më të mirën. Kam besim se do ta mbajmë këtë pozicion.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura