I preu kokën nënës e ia vari te dera, autori i krimit makabër del në gjyq. Ja sjellja e tij

Aug 10, 2020 | 10:59
SHPËRNDAJE

“Arrest në burg” vendosi sot gjykata për Olsi Çekiçin, për krimin e rëndë që ka kryer. Ai i mori jetën nënës së tij, Firdes Çekiçit, duke i prerë kokën e më pas ia vari te dera.

Ai akuzohet për “vrasje me dashje për shkak të marredhenieve familjare” dhe “dhunë në familje”.

Ashtu si dhe pas krimit, autori është shfaqur shumë i qetë në sallën e gjyqit.

NGJARJA

Një grindje për të lehurat e qenit duket se u bë shkak për ngjarjen e rëndë.

Sipas dëshmisë së vajzës 15- vjeçare të autorit, ajo ndodhej te fqinja, ndërsa kur doli pa se çfarë kishte ndodhur.

“I shtrova tavolinën babait për të ngrënë dhe shkova te komshiu ngjitur për të kërkuar diçka. I lashë edhe babin tim, edhe gjyshen në shtëpi. Dëgjova të bërtitura dhe dola kur pashë se çfarë kishte ndodhur. Mora biçikletën dhe shkova në Komisariatin e Pogradecit që të thërrisja Policinë”, është shprehur e mitura.

Sherri për të lehurat e qenit është bërë shkak sipas fqinjëve për ngjarjen horror.

Vëllai i autorit ka hedhur në drejtim të qenit një send për shkak se ai po lehte, ndërsa ky dyshohet se është bërë shkaku i asaj që u kthye më tej në një krim makabër.

Gjithçka ka ndodhur në kuzhinën e shtëpisë së familjes Çekiçi, ku autori, pasi goditi me mjete të forta nënën e tij, arriti deri aty sa t’i priste asaj kokën dhe më pas t’ia varte te porta e shtëpisë.

FQINJËT

Vajza erdhi tek unë sepse donte një bombol për t’i bërë kafen gjyshes. Siç më tha edhe vetë Firdesi, kishte qenë në arë dhe kishte vrarë pak këmbën, vajza i kishte bërë mjekim popullor me qepë e kripë. Ndërkohë që po flisnim, dëgjuam të bërtitura, por më shumë zërin e Olsit, kur erdhi një nga fëmijët e lagjes dhe i tha dil shpejt se babi ta theri nënën. Ajo vrapoi zbathur dhe, pa hyrë mirë në shtëpi, mori biçikletën dhe iku. Unë s’po merrja vesh çfarë u bë, kur del Olsi në derë të shtëpisë me diçka në dorë dhe ishte gjithë gjak. Më pyeti se ku shkoi vajza, por i thashë që nuk e pashë. Ishte fare i qetë. Në atë kohë erdhi Policia. Aty pashë edhe të vëllain, por edhe ai ishte tërë gjak, me kokën e çarë. Më pas atë e dërgoi Policia në spital“, tregon Tatjana, fqinjë e familjes Çekiçi.

Fqinjët ishin ata që pas veprimeve të Policisë, u përballën me skenën e krimit të rëndë, ndërsa Sami Shyti tregon:

Fola me vajzën e viktimës direkt pas ngjarjes. Ajo kishte qenë te komshia ngjitur dhe kishte lënë në shtëpi babain me gjyshen. Kishte dalë nga fqinja kur ngjarja kishte ndodhur dhe më pohoi se ajo ka shkuar deri në Komisariatin e Pogradecit me biçikletë për të lajmëruar Policinë. Për qenin ishin zënë, por me saktësi nuk e di. Hymë në banesë kur mbaroi Policia veprimet. Ngjarja kishte ndodhur në kuzhinë. Midis dy divaneve në tokë, kishte dy gisht gjak. Bashkëshortja ime e pastroi. Jemi tmerruar nga ajo çfarë pamë. E dinim që kishte probleme ai, por jo deri në këtë pikë”.

Mjekja e familjes: Nuk isha në dijeni të këtij rasti

Ndërkohë, Olsi Çekiçi rezultonte një person i kartelizuar për problemet e shëndetit mendor, madje vetëm pak muaj më parë ai kishte dalë nga Spitali i Elbasanit dhe ishte rikthyer në shtëpi.

Olsi Çekiçi njihej si përdorues i rregullt i lëndëve narkotike në sasi të mëdha.

Përdorimi i këtyre lëndëve në sasi të tilla i jepte çrregullime mendore, duke e kthyer në person të dhunshëm. Si person me probleme të tilla ka qenë i shtruar 3 herë në Spitalin e Elbasanit, ku edhe është i kartelizuar. Problemi është i njohur edhe për Policinë për shkak të dhunës që ushtronte ndaj familjes.

Diagnoza e përcaktuar nga mjeku psikiatër për Olsi Çekiçin ishte “Çrregullim psikotik i shkaktuar nga abuzimi me substancat”, por 44-vjeçari e refuzonte mjekimin, madje disa herë nëna e tij kishte kontaktuar me mjekun, pasi ai nuk shkonte as për konsulta.

Mjekja e Qendrës Shëndetësore Buçimas, Besjana Zyferi, ka bërë të ditur se 44- vjeçari nuk është ndjekur si rast nga ana e mjekut të familjes së kësaj qendre. Për Olsi Çekiçin, mjeku i familjes nuk ka qenë në dijeni të rastit.

Pranë kësaj qendre shëndetësore rezulton se viktima Firdeus Çekiçi ka një kartelë shëndetësore për shkak se trajtohej për sëmundje të moshës, por në asnjë rast, sipas mjekes, nuk ka kërkuar ndihmë për të birin.

Zyferi gjithashtu tha se me asnjë rast nga ana e specialisteve psikiatër apo Spitalit Psikiatrik nuk i është kërkuar të ndiqet problemi shëndetësor i 44-vjeçarit, ndërsa tha se rastin e ka mësuar nëpërmjet mediave.

Kujtojmë që gjatë marrjes në pyetje, autori gjakftohtë nuk shprehu pendesë, ndërsa kërkoi që shteti të kujdeset për vajzën e tij të mitur dhe vëllain e tij me probleme shëndetësore.

Ai u arrestua nga Policia në banesë, ndërsa kishte përdorur një kosore për kryerjen e aktit barbar. Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, autori ishte gjakftohtë dhe nuk shprehu pendesë.

“Nuk jam i penduar, një ditë kjo kishte për të ndodhur. Amanet vajzën dhe vëllain ia le shtetit”- deklaroi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura