I prekur nga Covid-19, piktori i njohur Mustafa Arapi shtrohet në spital/ Vajza e tij ka një apel për Edi Ramën dhe Ogerta Manastirliun

Jan 17, 2021 | 16:00
SHPËRNDAJE

Piktori i njohur Mustafa Arapi është shtruar në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, për shkak të Covid-19 që e ka përkeqësuar gjendjen e tij shëndetësore.

must

E bija, studiuesja Dorina Arapi i bën thirrje kryeministrit Rama dhe ministres së Shëndetësisë Manastirliu që t’i japin vëmendjen e duhur babait të saj, që është një personalitet i kulturës shqiptare.

“Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën shqiptare”, shkruan ajo në rrjetet sociale.

Statusi i plotë

Dje babi im, Mustafa Arapi, u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Për shkak të kovidit, i është prekur një pjesë e mushkërive.

Mustafa Arapi, babai im, është baba e bashkëshort i shkëlqyer, mik, njeri i nderuar, piktor i nivelit botëror, restaurator i shkëlqyer me një kontribut prej 40 vjetësh në fushën e restaurimit.

Nga puna e tij restauruese, sot brezat e rinj dhe kultura shqiptare trashëgon dhe admiron Onufrin, Qipriotin, Çetirët, Zografët, banesa tradicionale, kisha, afreske, ikona e studimeve e plot të tjera. Pedagog, artist, studiues, pjesëmarrës i lëvizjeve të dhjetorit ’90, Mustafa Arapi meriton vëmendjen maksimale të shtetit, pavarësisht të gjitha shërbimeve që mjekët e infermierët po i ofrojnë. I falënderoj shumë mjekët, infermierët e gjithëkënd në spital që po i dedikohen pacientëve në këto momente të vështira!

Por i drejtohem Kryeministrit z. Edi Rama, Ministres së shëndetësisë znj. Ogerta Manastirliu, që shteti dhe institucionet të japin vëmendjen e duhur për babain tim dhe për këtë personalitet të kulturës shqiptare. Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën shqiptare. Ju faleminderit nga zemra gjithëkujt për ndihmën e vëmendjen!

Shpërndajeni këtë mesazh,… kush dëshiron.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura