I plagosuri i Mamurrasit: Po prisnim autobusin, gruaja shpëtoi për fat

Sep 26, 2015 | 6:40
SHPËRNDAJE

Tre nga personat që mbetën të plagosur dy ditë më parë gjatë shkëmbimit të zjarrit në Mamurras, kanë qenë kalimtarë të rastit dhe nuk kanë pasur lidhje me ngjarjen.

Mes tyre edhe vetë babai i viktimës, 59-vjeçari Idriz Tafa, i cili ka qenë rastësisht pranë vendit ku u qëllua me armë nga makina në makinë.

Vendi i ngjarjes
Vendi i ngjarjes
Ndërsa dy të tjerët, Altin Çoku 30 vjeç dhe Besim Xhetani, 68 vjeç, thjesht janë banorë të Mamurrasit, i njohin personat që ishin përfshirë në konflikt, por nuk kanë asnjë lidhje familjare apo shoqërore me ta.

Oficerët e grupit hetimor kanë shkuar dje në Spitalin e Traumës ku kanë marrë dëshmitë e dy prej të plagosurve, njëri prej të cilëve, Arjan Tafa, kushëriri i viktimës, është arrestuar. Deklarimet u janë marrë Altin Çokut dhe Besim Xhetanit, të cilët dje kishin dalë nga reanimacioni dhe ishin shtruar në pavijonin e kirurgjisë.

Burime nga grupi hetimor thanë se Çoku ka përjashtuar çdo mundësi që të ketë qenë i përfshirë në konfliktin e armatosur, ndërsa ka shpjeguar rrethanat se si është gjendur në vendin ku ndodhi masakra.

“Kam qenë me gruan duke pritur autobusin. Ishim të dy në këmbë. Në një moment u përplasën dy makina pak hapa para nesh. Kaluan shumë pak sekonda dhe filluan të qëllojnë nga makina në makinë. Të shtënat ishin automatike. U shtrimë të dy barkas në tokë që të mos na kapnin plumbat. Ndërkohë ndjeva një si therje poshtë brinjëve dhe kur vura dorën, pashë që po më dilte gjak. Aty e kuptova që isha plagosur. Pyeta gruan nëse ishte mirë, por ajo për fat nuk ishte goditur nga plumbat”, ka treguar i plagosuri Altin Çoku.

Ndërsa ka sqaruar se personat e përfshirë në konflikt, si nga familja Tafa, ashtu edhe nga ajo Mamli, i njeh si banorë të Mamurrasit, por nuk ka asnjë lidhje me ta.
e.d

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura