I mituri “i zhdukur” për azil në Francë, policia heton dy prindërit

May 5, 2015 | 0:33
SHPËRNDAJE

TIRANE – Një 15-vjeçar nga Tirana rezulton të ketë udhëtuar jashtë Shqipërisë me qëllim aplikimin për azil në Francë. Në lidhje me këtë rast Policia e kryeqytetit ka nisur procedim penal në ngarkim të prindërve të tij, pasi ata i janë drejtuar Policisë për të bërë kallëzim 4 muaj pasi djali i tyre kishte kaluar kufirin. Bëhet fjalë për një djalë 15 vjeç me iniciale R.M., nga fshati Yrshek i Tiranës, i cili pas verifikimeve të kryera nga ana e Policisë Kufitare dhe Interpol Tiranës rezulton të jetë larguar para 4 muajsh nga Shqipëria.

Foto ilustruese

Burime nga Policia thanë se ka nisur procedim penal për prindërit e tij, të cilët kanë lejuar udhëtimin e paautorizuar të të birit, të paktën ashtu siç kanë pretenduar në Polici dhe janë paraqitur për të bërë kallëzim shumë vonë. Nga verifikimet e kryera është konfirmuar se i mituri është strehuar prej disa javësh në një hotel në Francë, ku ndodhen edhe disa shtetas të tjerë shqiptarë, me të cilët nuk ka lidhje farefisnore. E ëma e 15- vjeçarit, 48-vjeçarja me iniciale K.M., ka pretenduar në Polici se nuk ka qenë në dijeni për udhëtimin e të birit dhe aq më pak të ketë dhënë autorizim për largimin e tij.

Ajo ka deklaruar se gjatë kësaj kohe që djali nuk ndodhej në shtëpi, ai i ka thënë se ndodhej me disa shokë duke punuar në jug të Shqipërisë, por nuk kanë pasur mundësi financiare që të ushtonin atje për ta verifikuar. Ajo ka deklaruar se në momentin e parë që mësuan se djali ishte larguar nga Shqipëria, i janë drejtuar Policisë. Pasi është vënë në dijeni të rastit të 15- vjeçarit që ishte larguar nga Shqipëria i pashoqëruar nga prindërit, Policia e Tiranës ka regjistruar procedim penal me akuzën “braktisje e fëmijëve të mitur”. Ndonëse nga ana e prindërve të të miturit është theksuar se ata nuk kanë qenë në dijeni të udhëtimit të tij drejt Francës, sipas burimeve ngjarja konsiderohet si braktisje e fëmijës, deri në momentin që të konfirmohet me prova konkrete largimi i ndodhur në këtë rast. Sipas ligjit për Policinë Kufitare dhe Migracionin, është e përcaktuar qartë se si procedohet në rastet e kalimit të kufirit në rastet e të miturve. Në nenin 36 të këtij ligji, thuhet se të miturit i nënshtrohen, si të rriturit, kontrollit të plotë të dokumenteve. Ndërsa në rast se është i pashoqëruar nga prindërit, ai duhet të jetë i pajisur me një autorizim të noterizuar, ku duhet të kenë nënshkruar babai e nëna për të lejuar udhëtimin e tij. Në këtë rast dyshohet se 15-vjeçari ka pasur me vete një autorizim të falsifikuar, për të cilin ka nisur një tjetër hetim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura