I “mbeti në derë” Romës se nuk e blinte dot Milani, Zaniolo kërkon të bëjë paqe: Jam në dispozicion

Feb 1, 2023 | 20:00
SHPËRNDAJE

Nikolo Zaniolo u kthye nga hero, në të urryerin e tifozerisë së Romës në dy javët e fundit. Futbollisti i kombëtares së Italisë, i cili i dha Romës Ligën e Konferencës me golin e tij në finale ndaj Fejnordit, kërkoi me çdo kusht që të largohej gjatë merkatos së janarit.

zaniolo

Ai arriti deri aty sa edhe nuk pranoi të grumbullohej nga Murinjo për sfidat e fundit, duke u “divorcuar” praktikisht jo vetëm me klubin, por edhe me tifozerinë, sidomos pasi u aludua se ai priste një ofertë nga Milani. Megjithatë, ofertat nuk mbërritën e tani Zaniolo është i detyruar të vazhdojë te Roma, që ka në dorë nëse do ta aktivizojë apo jo, në pritje të verës ku do të mundohet ta shesë përfundimisht lojtarin.

Vetë Zaniolo, me një letër publike që ka dërguar te “ANSA”, ka shprehur sot gatishmërinë e tij për t’u vënë në dispozicion të Romës. “Janë thënë dhe janë shkruar shumë gjëra që më përkasin në këto javë të fundit dhe shumë prej tyre nuk janë të vërteta. E ardhmja është në duart tona, unë po shtrij dorën time dhe vihem në dispozicion të plotë të familjes së Romës”, shkruhet në këtë letër të futbollistit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura