I lidhur me kunatin e Lul Berishës dhe “bosin” e kartelit të drogës/ Kush ishte 34-vjeçari shqiptar që iu bë atentat në Ekuador me mbi 20 plumba (DETAJE)

Jan 23, 2022 | 20:00
SHPËRNDAJE

34-vjeçari shqiptar Ergys Dashi mbeti të shtunën viktimë e një atentati me armë zjarri, në një restorant në afërsi të portit të Guayaquilit në Ekuador, i cili konsiderohet si një “portë” hyrëse e sasive të mëdha të kokainës.

vrasja ekuador

“News 24” raporton se viktima ka pasur lidhje me Plarent Dervishajn dhe Eldi Dizdarin, dy emra të njohur për drejtësinë. Kujtojmë që Dervishaj u shpall në kërkim ndërkombëtar më 8 dhjetor të dy viteve më parë dhe gjatë arratisë është strehuar në Dubai.

Plarent Dervishaj është akuzuar si anëtar i bandës së Durrësit. Më 20 qershor të 2019-ës Dervishajt, i njohur si kunat i Lul Berishës, iu bë atentat në autostradë. Ai u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, edhe pse akuzohej për të paktën vrasjen e katër personave dhe plagosjen e tre të tjerëve.

Një tjetër person që ka lidhje me Ergys Dashin është Eldi Dizdari që ka rënë në prangat e karabinerëve italianë gjatë një megaoperacioni anti-drogë.

Dizdari njihet si një person që bënte lidhjet mes bosëve të drogës në Amerikën Latine dhe kishte lidhje shumë të forta me Ndraghetën. Dizdari u arrestua gjatë operacionit “Los Blancos” ku u prangosën dhjetëra persona, mes të cilëve shumë shqiptarë që cilësoheshin nga mediat si drejtues të kartelit.

Emri i Dizdarit lakohet po ashtu në ngjarjen që ndodhi në ish-bllok, ku mbeti i vdekur Fabiol Gaxha.

VRASJA E ERGYS DASHIT

Ngjarja ndodhi natën e së shtunës, 22 janar, rreth orës 19:00, kur dy persona njëri prej tyre me një buqetë me lule, hynë në restorant duke iu shmangur stafit dhe kërkuan kartën e vaksinimit teksa më pas kanë qëlluar drejt Ergys Dashit, shkruajnë mediat ekuadoriane. 

Në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës kanë grumbulluar mbi 20 fishekë të markës Fame, tip 9×19 , sipas karakteristikave të dhëna nga hetuesit. Gjithashtu ata konstatuan se viktima ka marrë disa të shtëna në pjesën ballore të kafkës.

Fillimisht nuk dihej identiteti i të ndjerit, por pas dërgimit në Laboratorin e Kriminalistikës u konfirmua identiteti i tij dhe origjina nga Shqipëria.

Gjatë ngjarjes së rëndë u plagos edhe një vajzë e re, e identifikuar si Angie Romero, 26 vjeç. Ajo ishte ulur në një tavolinë pranë vendit ku ndodhej 34-vjeçari shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura