“I lejova se njerëzit janë të stresuar nga Covid-i”/ Si u dënua nga gjykata i riu që theu orën policore duke luajtur ‘playstation’

Oct 21, 2021 | 13:37
SHPËRNDAJE

Një i ri nga Tirana është detyruar nga gjykata e kryeqytetit që të punojë për 80 orë në shërbim të publikut, pasi nuk iu bind urdhrave të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve për kufizimet anti-Covid.

play-850x450

Djali i ri me inicialet K.K., theu urdhrat, duke shkelur distancimin social. Vendimi i gjykates thekson se ai u gjet nga shërbimet policore në një ‘playstation’ pranë rrugës “Emin Duraku”, ku qëndronte përtej orarit të lejuar.

Por teksa në ‘playstation’ kishte edhe persona të tjerë që po frekuentonin këtë ambient përtej orës 23:00, i riu rezultoi pas kontrollit të dokumenteve që ishte i punësuar dhe duhet ta kishte mbyllur biznesin. Por K.K., përpara policisë është justifikuar, e megjithatë nuk ia ka dalë dot që t’i shpëtojë përgjegjësisë penale.

“Shkelja e orarit të lejuar për ushtrimin e aktivitetit në ‘playstation’ erdhi si pasojë e këmbënguljes së klientëve që po luanin me video-lojëra me njëri-tjetrin dhe më kërkuan medoemos që ta mbaronin lojën e nisur. Kjo gjë më ndodhi për herë të parë dhe ngaqë njerëzit janë të stresuar nga Covidi, i lejova të luajnë”, dëshmon në polici 25-vjeçari K.K.

Ndërkohë hetimi ka dërguar në polici për t’u marrë në pyetje edhe administratorin e ambientit për ‘play-station”. Megjithëse shefi është munduar ta shpëtojë vartësin, duke deklaruar se ai po mirëmbante kompjuterët, nuk ka mundur që të justifikojë se përse aty gjendeshin edhe klientët duke luajtur.

Edhe ai është gjobitur, ndonëse rezulton se e ka apeluar pranë komisionit të shqyrtimit të kundra-vajtjeve dhe ende nuk e ka paguar gjobën.

Prokuroria bie dakord me mospërfundimin e lojës, duke evidentuar se “në rastin konkret, lokali ka qëndruar i hapur pas orës 22:00 kur duhej të mbyllej për shkak të masave anti-Covid 19 dhe se dy persona kishin filluar lojën dhe për shumë pak kohë do ta përfundonin atë për t’u larguar më pas”.

“Ndërsa pjesa tjetër e personelit, ishte e pajisur me leje për punë pas orës 22:00”, theksohet në vendimin gjyqësor.

Në vendim theksohet gjithashtu se K.K., paraqet rrezikshmëri të ulët shoqërore dhe se ai ndjek masterin profesional dhe ndërprerja e procesit arsimor do të sillte pasoja në formimin e tij.

Gjithë të tjerët rezulton se shpëtuan nga procedimi, ku përfshihen edhe klientët që u konstatuan se po qëndronin jashtë banesës përtej orarit të caktuar nga Komiteti i Ekspertëve.

Si rrethanë lehtësuese për ta, u prezantua stresi i shkaktuar nga Covidi dhe fakti që ata po argëtoheshin pas ngarkesave emocionale që ka sjellë pandemia tanimë gati dyvjeçare dhe botërore.

Nga të dhënat, thuhet se përgjegjësinë e ka marrë përsipër vetëm 25-vjeçari që ka deklaruar se ishte dakord që të kryejë punë në interes publik, pasi sipas tij, “ai i ndihmoi qytetarët të argëtohen dhe mos t’i ndërpresë, teksa po luanin, ndonëse ora kishte kaluar përtej 22:00 dhe ai për çështje minutash po bëhej gati që lojtarët ta mbyllnin betejën on line”./GazetaSi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura