“I këndoj fëmijërisë, s’është turp të jesh nga një vend i varfër”

May 23, 2016 | 19:24
SHPËRNDAJE

Në tekstet e tij ka shumë dashuri. Nuk është ajo që rëndom gjejmë nëpër këngë, me dhimbje, lot, psherëtima, lamtumira…

Sepse dashuria për Vlashent Satën nuk është vetëm ajo e një çifti. Por është edhe ajo për babën, nanën, për shokët e fëmijërisë, me të cilët do të donte të takohej prapë e të ngrinte balonat.

Përpara se të jetë pianist, kantautor, Vlashent Sata është artist në shpirt. Është e vështirë sot të dëgjosh një të ri që të flasë për fëmijërinë, aq më tepër nëse ka bërë sukses në jetë e jeton në Paris.

Vlashent Sata

Jo për fëmijërinë Hi-Tec, me kompjutera, smartfonë, videolojëra, kanale televizive të dedikuar fëmijëve të grupmoshave të ndryshme… por për atë fëmijëri që e kanë përjetuar ata që kanë lindur përpara viteve ’90, me karroca me kushineta, topa-gropa, kopaca dhe balona që u ngecnin bishtat te kumbulla e komshiut…

Të gjitha këto duken si një jetë tjetër, jo vetëm për ata që as e dinë se çfarë janë, por edhe për ne. Ritmi i jetës na ka bërë të harrojmë gjithë çka qenë e bukur atëherë. Por ja që vjen Vlashenti dhe na i kujton të gjitha në një koncert, të titulluar “Hana e plotë”, ashtu si albumi i tij me të njëjtin emër, të cilin e ka realizuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

Me ftesën e Qendrës Kulturore “Tirana”, artisti 33- vjeçar rikthehet pas gati një viti me një tjetër koncert, që do ta japë në sallën “Shekspir” të Teatrit të Metropolit në datat 25 dhe 26 maj, paraprirë nga një tjetër në Shkodër, prej nga është edhe origjina e tij. Nga Shkodra rrjedh edhe dialekti në të cilin ai preferon t’i këndojë këngët, edhe pse në të përditshmen ai nuk flet me të folmen e Shkodrës.

KONCERTI

Kur doli për herë të parë jashtë shtetit, ishte ende shumë i ri dhe mahnitja ishte e pashmangshme. “Unë nuk e dija që fëmijët mund të kishin dhomë më vete. Më bënte çudi që kishin edhe furçë dhëmbësh personale”, tregon Vlashenti, pa fshehur asgjë nga ajo përballja e parë me botën “e jashtme”, që në kohët e “Zeçhino D’oros”. Por më pas gjithçka u bë e zakonshme dhe ato që nuk ktheheshin dot më ishin pikërisht vitet e kaluara në vendlindje, duke rendur me fëmijët e tjerë.

“Kjo ka qenë jeta jonë dhe nuk kemi pse të identifikohemi me bojërat e një jete që nuk ka qenë e jona”, thotë kantautori. Ai e pranon se në fillim i vinte turp që vinte nga një vend i varfër, por tani jo më, tani do t’i vinte turp të identifikohej me diçka që nuk i përket. E pikërisht mbi këto gjëra në dukje të vogla, Vlashent Sata ka ndërtuar gjithë albumin e tij, por jo vetëm, gjithë krijimtarinë e tij.

Ai është ndër të paktët artistë shqiptarë, për të mos thënë i vetmi që ka preferuar të krijojë dhe të këndojë shqip. Një zgjedhje që ka riskun e moskuptimit me vete, por, nga ana tjetër, e bën atë edhe më tërheqës, sidomos në Francë, ku mosnjohja e gjuhës shton edhe më shumë kuriozitetin për ta dëgjuar e për të mësuar më shumë mbi të.

“Për fatin tim të mirë, stili im i të krijuarit, të kënduarit është pëlqyer, madje është i pangatërrueshëm me të tjerë. Në Francë është muzika e fjalës dhe atje i jepet jashtëzakonisht shumë rëndësi tekstit, ashtu si edhe unë.

Publiku është gjithnjë i interesuar të dijë më shumë dhe unë përpiqem t’ua shpjegoj gjithnjë tekstet e mia”, thotë ai. E në këto këngë ai i këndon dashurisë së pazëvendësueshme të nënës, më- suesit të tij të parë, babës, shokëve të fëmijërisë… Por këngët e tij kanë edhe karakter social, herë edhe thumbues.

Në këngën “E di unë” ai përpiqet të ngacmojë karakterin e shqiptarit, që nuk e pranon kurrë se ka diçka që edhe mund të mos e dijë.

“Fëmijët janë më të pastër, ata nuk thonë ‘e di unë’, ndërsa të rriturit e kanë të vështirë ta pranojnë se nuk e dinë diçka.

E kam dëgjuar shpesh këtë dhe vendosa të bëj një këngë, por pastaj mendova se këtë e bëj edhe unë, ndaj dhe dola në pasqyrë me i thënë të vërtetat së pari vetes”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura