“I kanë ditët e numëruara”/ Basha sfidon Metën, Ramën dhe Berishën: Si trekëndëshi i Bermudës! Kryeministri: Edhe ti je pjellë e atij llumi

Oct 29, 2021 | 9:11
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Seanca e djeshme parlamentare u shndërrua në një maratonë përplasjesh mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha. Për herë të parë dje në foltoren e Parlamentit, kryedemokrati Lulzim Basha bëri përgjegjës treshen Rama-Berisha-Meta për prapambetjen e Shqipërisë.

Në fjalën e tij në foltoren e Parlamentit, kryedemokrati Basha u shpreh se ka mbaruar koha për atë që ai e quajti “Trekëndëshin e Bermudës” (Rama-Berisha-Meta). “Trekëndëshi i Bermudës i ka ditët e numëruara! Kështu që jepini gajret njëri-tjetrit sa të doni, por shpëtim nga ajo për të cilën u keni hyrë në hak shqiptarëve, ti i pari dhe mbi të gjithë, nuk keni për të pasur.

Gjërat kanë ndryshuar një herë e mirë”. Basha e sfidoi Ramën se do ta ketë përballë në përballjen politike, ndërkohë që e ftoi kryeministrin Rama që të votojë vetingun politik. . Përgjigjja e Kryeministrit Rama ishte me ironi, duke i thënë se ai ishte i gatshëm që ta ndihmonte në çfarëdolloj mënyre, që ta ketë përballë në betejat politike.

Sa i përket vetingut politik, Rama konfirmoi se është i gatshëm të ulet në tryezë për të negociuar me opozitën, por Rama e paragjykoi se Basha e kërkon atë për t’i bërë presion Sali Berishës, i cili prej disa muajsh ka nisur bashkëbisedimin me demokratët dhe rivalizon Bashën. “Unë ta kuptoj ty se ku e ke hallin me atë vetingun tënd, ta kuptoj shumë mirë ku e ke hallin, është gjetje e lodhur në fakt, që të jemi të qartë, se nuk ta beson njeri ty, megjithatë unë nuk dua ta diskutoj, sepse unë i qëndroj atij parimi që kam thënë. Hajde ta diskutojmë, siç meriton të diskutohet”.

DEBATI I PLOTË

Edi Rama: E kam shumë krenari, nuk është zotësi në raport me të tjerët, por sa kilometra kam bërë unë e sa njerëz kam takuar unë për shkak të detyrës, nuk i kanë bërë bashkë të gjithë kryeministrat që nga formimi i shtetit shqiptar, kurse zotrote nuk takon dot as partinë tënde sot. Nuk del dot nga zyra të shkosh të takosh njerëzit e tu, të partisë tënde e më tregon ti mua se ç‘është të jesh pranë njerëzve?! Pranë njerëzve është ajo që ti nuk e mëson dot, sepse je vonë për ta mësuar, por të paktën dilu zot atyre njerëzve të tu, se i ke dhe 95% e mos i lë rrugëve e mos hajde këtu të bësh leksione morali e të ndysh shtëpitë e shqiptarëve sa herë del, ulu e ngri “hajdutë, kriminelë, bosa e stërbosa”. Nuk ta ka borxh njeri, Lulzim dhe arsyeja pse ti nuk fiton, nuk janë as kriminelët, as bosat, as të gjithë ata që ti rendit. Arsyeja pse ti nuk fiton je ti, sepse me këtë mënyrë të foluri, nuk të beson askush. Ti gënjen veten tënde dhe me këtë mund të gënjesh dhe të tjerët për njëfarë kohe, por ndrysho sa nuk është vonë. Ta kam thënë dhe herë tjetër, unë jam këtu për të respektuar këtë institucion, për të respektuar këtë përgjegjësi që kemi marrë bashkërisht, për të të respektuar edhe ty bashkë me partinë tënde, por që kjo është partia më e bukur e lindjes, “Give me a break”.

Lulzim Basha: Je bërë kaq i lexueshëm saqë me çdo fjali të gjithë e kuptojnë se ku e ke hallin. E ke hallin ti te Partia Demokratike, ke hall ti se sa demokratë mbledh unë. Të ka marrë malli ty? Të ka marrë malli? Thuaj më ka marrë malli për Sali Berishën dhe Ilir Metën, thuaje ta dëgjojnë të gjithë. Shko dhe ti në “foltore”, ose fillo foltoren tënde. Bëni “Trekëndëshin e Bermudës” dhe qani hallin bashkë të tre nëse i keni të njëjta. Unë jam këtu për të qarë hallet e shqiptarëve, as të tuat, as të Sali Berishës dhe as të Ilir Metës. As të atyre që ju rrinë nga mbrapa juve. Kështu që, ti të paktën dil hapur, mos u fshih. A do ta plotësojnë dëshirën ty demokratët të na kthesh pas? Të jesh i sigurt që jo. Jo, s’kanë për ta plotësuar, mua do të më kesh përballë, jo Sali Berishën. Mua që të munda në 2011- ën dhe ta mbusha gropën e Hajdin Sejdisë, ta zhduka parfumin Hajdin Sejdia nga qendra e Tiranës dhe aty doli pastaj që nuk ishte bashki, por ishte bankomat. Ti e di vetë ku u arratise 3 javë me radhë derisa more veten për t’u rikthyer. E di edhe unë. Se disa miq i ke ti, por disa miq i kam dhe unë.

Edi Rama: Sa për PD-në, Lulzim, nuk jam unë i shqetësuar fare dhe unë nuk i referohem fare asaj që ndodh në PD, përveçse, e këtë e kam thënë, kur ti më fton ta bëj këtë gjë, ose kur dikush tjetër këtu na fton ta bëjmë këtë gjë. E kur ju na ftoni në këto hulli, atëherë çfarë të them unë? Kur ti thua që ti duhet të shkosh pranë njerëzve, çfarë të të bëj unë ty? Ti më kërkon me zor të të them “po ti ku i ke njerëzit?”. Se unë nuk e di. Unë të kërkoj me qiri, por nuk të shoh gjëkundi tjetër përveç se në atë kutinë e vogël të “News24”. Ku i ke njerëzit? Çfarë të bëj unë? Ti thua, populli po vuan, ata që ngrihen që në sabah në çadra. Po ku e di ti kush ngrihet që në sabah në këtë vend? Se e dinë të gjithë që ti ngrehesh vonë.

Lulzim Basha: Pra që t’i themi gjërat shkoqur dhe qartë, këtu ka një betejë midis 30 viteve llum të tranzicionit dhe pa diskutim maja e llumit je ti, pa diskutim llumi nuk i takon vetëm një partie, kemi edhe ne pjesën tonë të llumit, por unë të siguroj që atë pjesë tonën të llumit që e keni peshkuar mirë tetë vitet e shkuara, një pjesë e ke pasuruar, një pjesë e ke graduar, një pjesë e ke grepuar, e ke përdorur, e ke hedhur kundër opozitës, e ke hedhur kundër ndryshimit, kundër proceseve demokratike që në fund të fundit çfarë janë?! Janë mënyra e një shoqërie për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Pa kaluar në përplasje sociale. Atë pjesë të llumit Partia Demokratike dhe unë jemi të vendosur ta pastrojmë deri në fund. Sado të subvencionosh ti oligarkët dhe mediat e kapura apo të kundërtën. Sakrifica e demokratëve në emër të shqiptarëve nuk do të shkojë kot. Masakra zgjedhore e 25 prillit nuk do të mbajë gjatë. Vendosmëria ime është e pakthyeshme!

“Trekëndëshi i Bermudës” i ka ditët e numëruara! Kështuqë jepini gajret njëri-tjetrit sa të doni, por shpëtim nga ajo për të cilën u keni hyrë në hak shqiptarëve ti i pari dhe mbi të gjithë, nuk keni për të pasur. Gjërat kanë ndryshuar një herë e mirë. Një pas një, brinjët e “Trekëndëshit të Bermudës” do të bien.

Edi Rama: Më flet mua për llumin e tranzicionit e tani ke filluar këtë fjalinë e bukur që edhe PD ka pjesën e vet të llumit. O Lulzim, po nëse PD-ja ka pjesën e vet të llumit, unë fjalën llum nuk e përdor, nuk e kam përdorur ndonjëherë, as për PD-në, që të jemi të qartë, se është fjalë e madhe. Po nëse PD ka pjesën e vet të llumit, ajo pjesa e llumit të ka nxjerrë ty, more Lulzim, ti je pjella më e brilantinosur e atij llumi, kështu që kujdes se nuk e kam unë fare për të mbajtur me gajret foltoren. Foltorja është gajreti i Shqipërisë. Çfarëdo që të bëj unë, foltorja është një gajret aq i madh për Shqipërinë, sheh Shqipëria dhe mban brinjët me dorë me foltoren. E kur thua ti që do apo nuk do, mua do të më kesh përballë, vallaj kjo është pastaj çfarë të të them unë ty. Po unë ty të dua përballë gjithmonë, dihet ajo punë. Unë të kam dashur, të dua e do të të dua, e nuk di si të të ndihmoj, realisht dhe nuk e kam cinike këtë, por realisht për ta ngritur në një nivel tjetër debatin, se vjen këtu, e di çfarë bën ti? Ti vjen këtu ekzaktësisht duke lexuar abetaren që të ka mësuar ai llumi nga i cili tani po na distancohesh.

Basha për vetingun politik: E di ç’ke, bëhu ti burrë një herë në jetën tënde dhe votoje vetingun e politikanëve. T’i marrim me radhë dhe ndryshe nga rregulli i vjetër, mos ta fillojmë nga plaku, po ta fillojmë nga i riu. E bëj unë i pari vetingun, mos ki merak, në të gjithë komponentët e tij. Bëje ti i dyti dhe pastaj të gjithë të tjerët në këtë sallë dhe të gjithë politikanët, nga i pari tek i fundit. E ke fare të thjeshtë, do t’i japësh fund këtij monologu që bën këtu, ku të ka shteruar edhe mundësia për të përsëritur të njëjtat figura letrare, e ke shumë të thjeshtë: voto vetingun në politikë.

Edi Rama: Sa për atë sfidën e madhe që bën ti, unë nuk dua të bëj komente këtu. Unë ta kuptoj ty se ku e ke hallin me atë vetingun tënd, ta kuptoj shumë mirë ku e ke hallin, është gjetje e lodhur në fakt, që të jemi të qartë, se nuk ta beson njeri ty, megjithatë unë nuk dua ta diskutoj, sepse unë i qëndroj atij parimi që kam thënë. Hajde ta diskutojmë, siç meriton të diskutohet, me ekspertët tuaj, me ekspertët tanë, ku doni të dilni, si doni ta bëni, mbi cilat praktika të mira ndërkombëtare bazohet, në cilat vende ka treguar që ka sukses, çfarë thonë partnerët tanë për këtë punë, çfarë thonë institucionet? Nëse neve na del që kjo nismë është shpëtimtare për vendin, patjetër që ne do ta votojmë. Nëse na rezulton që kjo nismë është një kamerdare si ato të fëmijëve që fryhen me gojë për të bërë sikur notojnë, në formë peshkaqeni, atëherë ne do të themi: “Lulzim, vazhdo vëlla, bëj rolin e peshkaqenit të gomës që të mbrohesh nga peshkaqeni i ‘foltores’”.

Lulzim Basha: Mua nuk më dhemb asnjë dhëmb e para e punës. I kam dhëmbët e mi ta dish dhe gjenetikisht i kam goxha të fuqishëm edhe kujdesem për to. Kështu që mos e qaj hallin e dhëmbëve të mi, sepse njëherë që të kafshuan, u zhduke 3 javë, nuk i the as partisë se ku shkove. Apo jo? Apo e ke harruar? Një herë që të kafshuan dhëmbët e mi, 3 javë u zhduke fare. Vetëm ti dhe unë e dimë se ku shkove, nga burime të ndryshme.

Rama: Nëse do dhe je serioz të bësh procese këtu në këtë Parlament, bashkë me ne, për ato nisma që i ke lançuar, duhet të kuptosh që ne nuk kemi kohë për të humbur, por angazhohemi me të gjithë kohën për t’i bërë këto seriozisht. Zotrote e ke treguar më shumë se një herë që jo vetëm me shifrat, por edhe me germat ke probleme dhe e lexon siç të konvenon në atë moment, kur improvizon ditën e radhës në politikë. Më vjen shumë keq! Ti ke leximin tënd, puna jote, por ne nuk mund të hyjmë më në proces ndryshimi Kushtetute e ligjesh këtu, duke të besuar ty se si lexon ti. Po të them dhe njëherë tjetër, nëse nuk do që ta ndërpresim përfundimisht këtë mënyrë komunikimi dhe nëse nuk do që dhe ne ta kthejmë me mosrespekt, jo duke nxjerrë nga goja ato që guxon të nxjerrësh ti, se shkove deri te kafshimet tani, se ke qenë aleat me një që kafshonte publikisht deri dje dhe të ka mbetur dhe kafshimi si strapallë në kokë dhe e nxjerr këtu se sa herë ke kafshuar ti dhe si kafshon ti. Goxha burrë. S’je goxha burrë, ndaj e bën këtë. “Kafshoja, kur kafshoj unë, ti e di si kafshoj unë”. Çfarë janë këto muhabete, ku i bën? Je këtu a nuk je? Po të shohin njerëzit, nuk je në ëndërr, është ora 12 e gjysmë e drekës, zgjohu. Zgjohu e lëri këto.

Lulzim Basha: Në qoftë se ka diçka për të mbajtur duart në hundë është era e kërmës që qelb këtë sallë, e regjimit të instaluar duke blerë vota, duke shkrirë në një shtetin me partinë dhe të parit të këtij regjimi që krekoset mbi këtë pleh. Siç e di ti fare mirë, siç e di edhe unë, nga partnerët tanë, ti duhet ta dije nga Policia jote, se ndoshta ta thotë drejtori i ri se kush bos kokaine ka rezervuar çfarë kati te ndërtesa më e lartë në Shqipëri, të cilën COVID-i nuk e ndaloi. Siç nuk ndaloi kullat e tjera që zotrote i kishte planifikuar që kur ishte kryetar i bashkisë, që i vinte erë aq e mirë saqë mund të shpiket edhe ndonjë parfum me emrin “Gropa Hajdin Sejdisë”.

Shehi: Kjo sallë nuk është e dy njerëzve, do ta zhvlerësoj politikisht

Kreu i LZHK-së, deputeti Dashamir Shehi, ngriti shqetësimin se deklaratat e replikat mes Kryeministrit dhe liderit të PD-së, Lulzim Bash-ës, po marrin shumë kohë në seancat plenare ku janë 140 deputetë. Për Shehin replikat e tyre i shërbejnë jetës parlamentare, por ato nuk duhet të jenë pa fund pasi salla nuk është vetëm e këtyre dy vetëve, por një sallë ku kanë të drejtë të flasin të gjithë. Një nga deputetët më të vjetër në parlament bëri me dije se do ta zhvlerësonte politikisht e moralisht këtë lloj salle, pasi kjo punë po teprohet, ose në të kundërt seanca të mbyllet dhe gjithsecili të shkojë në punën e tij.

“Unë s’mund t’ju jap mend, por një këshillë të vogël, kemi gjithë mëngjesin këtu që kryetari i opozitës me Kryeministrin bëjnë replikë këtu. Bëjnë shumë mirë, por s’mund të jetë pafund kjo se ky është dialog pastaj jo më Parlament. Unë e kuptoj dëshirën që kanë për të folur, absolutisht, edhe unë jam pak llafazan, por ka një kufi. E drejta është që atyre zotërinjve t’u japim fjalën të flasin sa të duan jo pafundësisht këtu. Këtu ka njerëz që ka edhe hapësira të tjera kush e pengoi kryeministrin të flasë? Një dit në javë mblidhemi këtu na kanë votuar 140 për të dhënë nga një mendim se po qe për 2 vetë kjo punë hajde ta mbyllim e ikim gjithsekush. Se do ta zhvlerësoj politikisht e moralisht këtë lloj salle që nuk është e dy vetëve as e tre vetëve, por e gjithë shqiptarëve kemi të drejtë të flasim të gjithë të japim ide. Mos ofendohet askush këtu se përfaqësoj këtu një ide që është nga të gjithë palët se të gjithë e kuptojnë që kjo punë po teprohet javë për javë”, tha Shehi. Teksa foli për projektligjin për Eurobondin, Shehi tha se: “Borxhi është borxh, një vend që është borxhli është peng për shumë gjëra, nëse s’do e shlyejë ekonomikisht do e shlyejë politikisht, duke dorëzuar disa nga sovranitet e veta, në tavolinën e negociatave ndërkombëtare. Ndaj borxhi do marrë me kujdes, do treguar sa është marrë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura