‘I humburi’ rrëfen çfarë ndodhi në Bregun e Lumit e Astir/ Nga protestat te pandemia, Fatos Kongoli me një roman për aktualitetin

Oct 28, 2020 | 10:00
SHPËRNDAJE

ANILA DEDAJ/ “Ne kishim shpresa të mëdha që ta bënim Shqipërinë si gjithë Europa. Unë e të tjerë dilnim e brohorisnim me gishtat lart. Por ajo që ndodhi këtu në vend të demokracisë me “D” të madhe, është një karikaturë demokracie”.

auto_maxresdefault1603831256

Shkrimtari Fatos Kongoli e di fort mirë se asnjë vend, nuk mund të pretendojë ndryshimin, nëse qytetarët qëndrojnë indiferentë ndaj manovrave jodemokratike ndaj kambanës për zgjim ndërgjegjeje, i bie përmes mjeshtërisë së fjalës dhe natyrisht letërsisë. “Stinë pandemie” është botimi i tij më i fundit (nga shtëpia botuese “TOENA”), i promovuar këtë të martë në ambientet e “Kalasë së Tiranës”. Personazhet “i thërret” nga një prej romaneve të tij më të suksesshëm siç është “I humburi”, për t’i zhvendosur 3 dekada pas, në vitin 2020.

Nga ngjarjet e eksodit të famshëm të marsit të ’91-shit, te po i njëjti muaj i këtij viti, Fatos Kongoli, “Thesar Lumi” e të tjerë personazhe të tij, mbërthejnë përmes një rrëfimi të qëndisur me sarkazëm e autoironi realitetin e sotëm. E megjithatë mjeshtëria e të treguarit, bën që shqetësimi të shkojë te lexuesi e të nxisë reflektim rreth ngjarjeve të bujshme si ajo Bregut të Lumit apo Astirit. Ndonëse, pasiguria që edhe ky rrëfim do të pasohet me mosreagim ndihen, si në libër ashtu edhe në fjalët e shkrimtarit gjatë këtij takimi surprizë me lexuesin.

GËRMADHAT NË VEND TË NJË LAGJEJE

Në romanin “Stinë Pandemie” të Fatos Kongolit, historia e krijimit të një lagjeje, nis me imazhin e gërmadhave të mbetura prej saj. Mandej, ndonëse me personazhet e shqetësuar prej britmave të banorëve që protestojnë, e ndërhyrjeve të Policisë, ai kapërcen në vitin ’90 për të treguar se si “ardhacakët” zëvendësonin “ikanakët” e mandej të dyja palët ndërtonin në atë truall shtëpi e objekte pa leje. E gjitha kjo, “duke trashëguar dëshirën për të ikur”.

Shkrimtarin e shqetëson qasja që shteti, Policia pati ndaj këtyre njerëzve që jetuan aty prej vitesh.

“Më ka ngelur në mendje mënyra se si u shpërngulën ata gjynahqarë nga lagjja e tyre në një mëngjes të ftohtë me shi, në orën 5 të mëngjesit. Policia siç e dhanë dhe televizionet kishte bërë tre rrethime, ku as shtypi nuk hyri dot të shihte se ç’ndodhi atje. Pra, në orën 5 të mëngjesit, Policia u sul barbarisht dhe i përzuri nga shtëpitë banorët. Atje kishte pleq, fëmijë, foshnja… I përzuri me gaz lotsjellës, që është lëndë helmuese luftarake. Dhe unë e kam trajtuar me ironi gjithë këtë ngjarje, për të cilën dikush sipas meje duhet të japë llogari për atë që është bërë me këta njerëz. Se ç’u bë me ta ku janë nuk dihet. Dihet vetëm që është i filmuar dhe faktet janë aty. Kush të dojë të merret me ta, le të merret. Unë këtë e kam quajtur ‘Blitzkrieg’ (Luftë-rrufe naziste). Kishte në themel me taktikat e ushtrisë hitleriane. Aty u përdor ‘blitzkrieg’ për të përzënë disa gjynahqarë, njerëz të këputur”, thotë ai.

Ndërsa në Astir, siç tregon shkrimtari, politika që u përdor për të zmbrapsur banorët, qe një tjetër, ndonëse jo më pak tinëzare.

“Në Astir u ndoq një taktikë tjetër. U zbatua taktika ‘përça dhe sundo’. Qenka shumë e lehtë për autoritetet ta sundojnë këtë popull duke e përçarë. Kjo ndodhi atje”, tregon ai.

“DEMOKRACIAKARIKATURË”

I tërhequr nga aktivitetet kulturore, sa prej moshës, sëmundjes së vështirë që kaloi, aq edhe prej angazhimit me letërsinë, shkrimtari duket optimist, për prurjen e krijuesve të rinj. Talentet janë sipas tij, ndonëse pandemia ka bërë që ngjarjet kulturore të jenë më të zbehta. Po ashtu edhe interesi i publikut vendas për të marrë prej artit dhe kulturës ndihet, sipas Kongolit.

“Sipas meje publiku është i etur për kulturë dhe politika e politikanët i kanë ardhur në majë të hundës. Ka mbërritur një kohë, ku sipas meje, klasa politike në vendin tonë është shumë e diskretituar. Kjo pasi përreth 30 vjet pas përmbysjes së diktaturës, ne kishim shpresa të mëdha që ta bënim Shqipërinë si gjithë Europa. Unë vetë kam dalë e kam brohoritur bashkë me qytetarët e tjerë me dy gishtat lart, por këtu në vend të demokracisë me ‘D’ të madhe që ne kërkuam u krijua një karikaturë e madhe. Kjo karikaturë ka arritur formën e saj më të shëmtuar, më të neveritshme, prandaj njerëzit janë të mërzitur e nuk durojnë më dot”, thotë Kongoli.

POSTPANDEMIA SIPAS SHKRIMTARIT

“Bota po kalon një periudhë shumë të rëndë, por situata të tilla janë përjetuar edhe më parë. Njerëzimi ka kaluar fatkeqësi të ngjashme me përhapjen e kolerës, murtajës e të tjera sëmundjeve infektive”. Shkrimtari tregon se historitë e këtyre periudhave të bujshme gjenden edhe në literaturë.

“Shumë vite më përpara kam lexuar ‘Dekameronin’, një libër mjaft të bukur që tregon për epideminë e murtajës të plasur në Firence gjatë vitit 1348 dhe që do e sugjeroja”. Përmes këtyre epidemive sipas tij, kanë kaluar edhe historitë e qyteteve të mëdha siç është Parisi. “Njerëzimi ka kaluar gripin e famshëm spanjoll, shumë vite më parë e jo në të njëjtat kushte. Pra, nisur nga këto dhe fakti që po investohen fonde kolosale për prodhimin e një vaksine, mendoj se së shpejti do ta kemi një të tillë. Ose pse jo, edhe më shumë”, thotë ai.

E megjithatë periudha të tilla kufizimesh e bëjnë edhe atë të reflektojë më fort për çfarë ngjet përreth. Sa i përket ndodhive që mbërthyen më tepër vëmendjen e tij, ai thotë:

“Ato ngjarje që më kanë tronditur unë i kam shkruar, por ka edhe të tjera që nuk më hynin në libër. Si për shembull një ngjarje shumë tronditëse, që nuk është pjesë e këtij libri është shembja e Teatrit Kombëtar. Ata që morën përgjegjësi ta prishnin kanë marrë një përgjegjësi që nuk do t’ju shqitet sa të jenë gjallë. Ti bëj çfarë të duash, mund të ngresh kështjella aty po të duash, por ajo nuk harrohet”, shprehet shkrimtari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura