“I gjithë mundi i jetës do më shkojë dëm”/ Denoncimi i emigrantit që nuk i jepet leja të investojë në tokën e tij: Kryeministrit Rama që del çdo tri ditë në TV i them…

Jul 19, 2021 | 15:42
SHPËRNDAJE

Pas 30 vitesh emigracion, Gjin Përleka nga Rubiku vendosi të rikthehet dhe kursimet e jetës t’i investojë në vendlindje. Në bashkëpunim me një investitor italian, burri nga Mirdita mendoi të ngrejë një biznes prodhimi pjesësh makinash, në pronën e tij në qytetin e Rubikut.

gjin perleka-emigrant-mirdite

Prej javësh ka sjell të gjitha makineritë në Shqipëri, të cilat kapin vlerën e 150 mijë eurove, por puna ka stopuar, pasi Bashkia Mirditë refuzon të finalizoje lejen për ndërtimin e objektit, me pretendimin se prona e qytetarit është pjesë e një projekti zhvillimor në të ardhmen.

“Kam punuar për 30 vite në Itali me gjithë familjen time dhe meqenëse vetë Kryeministri bën thirrje në vazhdimësi që emigrantët të vinë të investojnë këtu, vendosa që ta bëj diçka të tillë. Në bashkëpunim edhe me një investitor italian vendosem që të bëjmë një linjë prodhimi pjesësh automjetesh këtu në Rubik. Kam sjell të gjitha makineritë nga Italia, të cilat kapin vlerën e 150 mijë euro, duke zbatuar të gjitha rregullat.

I kam magazinuar dhe kam bërë aplikim për leje ndërtimi, në bazë të projektit që kam bërë, duke qenë se kemi pronën tonë këtu me të gjithë dokumentacionin. Por puna me ka stopuar, pasi Bashkia Mirditë ka refuzuar të më japë lejen e ndërtimit, me pretendimin se në token time do zbatohet një projekt tjetër.

Kam të gjithë dokumentacionin në bazë të rregullave me certifikatë pronësie, mundësisht e rifreskuar 10 ditë më parë”, thotë Përleka.

Në këtë sipërmarrje, Përleka ka planifikuar të punësojë 15 persona nga zonat përreth, ndërsa mes lotësh në sy thotë se i gjithë mundi i jetës po i shkon dëm.

“Në këtë investim unë kisha planifikuar të punësoj 15 persona fillimisht e më pas të zgjerohem e të marr edhe 50 punëtorë të tjerë nga zona përreth. Në qoftë se nuk do më jepet zgjidhje për t’i hapur rrugë investimit, i gjithë mundi i jetës do më shkojë dëm sepse tani pjesën më të madhe të investimit e kam bërë, duke blerë makineritë”, shton ai.

Gjin Përleka i bën thirrje qeverisë që të ndërhyje për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit të tij.

“Duke qenë se çdo tri ditë del në televizor që emigrantet të investojnë këtu, i bëj thirrje Kryeministrit që të ndërhyjë e t’i japë zgjidhje problemit që unë kam. Më duket absurditet që pushteti vendor të më pengojë të investoj në token time, të cilën e kam me të gjithë dokumentacionin përkatës. Investimi që unë kam menduar i shërben të gjithë zonës dhe ndihmon në zbutjen e papunësisë”, thotë Përleka.

I kontaktuar përmes telefonit në lidhje me këtë çështje, kryebashkiaku i Mirditës, Ndrec Dedaj, thotë se ky projekt bie ndesh me planin urbanistik të qytetit të miratuar pak kohë më parë, pasi në atë zonë është parashikuar të jetë rrugë ndaj dhe është refuzuar leja e ndërtimit.

“Jam në dijeni të kësaj çështjeje. Por në anë zonë nuk mund të jepet leje ndërtimi, sepse bie ndesh me planin rregullues të qytetit. Pavarësisht se personi në fjalë e ka token me të gjithë dokumentacionin aty është planifikuar të jetë rrugë dhe nuk mund të ndërtohet”, thotë Dedaj.

Ndërkohë, emigranti Gjin Përleka paralajmëron se do t’u drejtohet organeve të drejtësisë, me shpresën se do gjejë zgjidhje. Rubiku dhe e gjithë Mirdita në tërësi është një zonë me nivel papunësie mjaft të lartë dhe investime të tilla shihen si një mundësi mjaft e mirë në zbutjen e papunësisë dhe shmangien e emigracionit, i cili ka marrë përmasa të frikshme gjatë viteve të fundit. e.h.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura