Fatura e dritave 7 milionë, pi helm pas 2 javësh në terr. Gruaja: Më tha ‘më mirë vdes se të më arrestojnë’ (FOTO)

Mar 4, 2015 | 8:54
SHPËRNDAJE

Babai i katër fëmijëve i dha fund jetës pasi e kishte të pamundur të paguante faturën 7 milionë lekë të OSHEE-së, që i kishte ardhur dy javë më parë.

Viktima

Bashkë me faturën e majme, atij i kishin prerë edhe energjinë elektrike, duke i shtuar skamjen barakës në të cilën jetonte në fshatin Tale. Gjovalin Lazri, invalid prej 10 vitesh, jetonte me frikën se nëse nuk do të paguante shumën e parave, do ta arrestonin. Mbrëmjen e së hënës, para se të konsumonte dy kokrra fostoksinë, ai ka rilidhur në mënyrë të paligjshme energjinë, duke lënë në “dritë” gruan e fëmijët e tij. Ka qenë djali i vogël i familjes që e ka gjetur të atin pa jetë dhe ka dhënë menjëherë alarmin. Por, sipas familjarëve, doza e lëndës helmuese ka qenë e madhe dhe ai ka ndërruar jetë në pak minuta. Bashkëshortja e 52- vjeçarit, Bardhe Lazri, u shpreh dje se i shoqi e kishte paralajmëruar vetëvrasjen. “Më tha se nuk mund të jetonte me frikën e arrestimit, pasi 7 milionë lekë nuk kishte se ku t’i merrte për t’i paguar”. Sipas saj, ata kishin tri vite pa paguar pasi nuk kishin mundësi. Por, shtëpiabarakë e tyre kishte veçse një llambë dhe asnjë pajisje elektroshtëpiake që të shpenzonte aq shumë para.

Znj. Bardhe, si ndodhi vetëflijimi i bashkëshortit tuaj?

Ishte ora 19:00 kur ishim të gjithë në shtëpi. Në ato moment ai lidhi dritat që na i kishin ndërprerë prej dy jav- ësh. Na tha i ndeza sa për të mbushur ujë dhe do t’i fik pasi të hamë darkë. Unë e pashë se ai nuk ishte mirë. Më pas shkova për të fjetur. Djali i vogël e ka gjetur pa jetë disa momente më vonë.

 Cila ishte arsyeja që bashkëshorti juaj mori këtë vendim ekstrem?

Ai ishte invalid prej 10 vitesh dhe jetonim në këtë barake. Na erdhi fatura e dritave 7 milionë lekë të vjetër dy javë më parë. Kjo e kishte stresuar atë se nuk kishim me çfarë t’i paguanim. Vetëm unë punoj, kurse ai kishte një pension 5 mijë lekë. Nuk na dilnin as të jetonim, kemi 4 fëmijë, që të gjithë në shkollë.

Ju i keni harxhuar kilovatët e shënuara në faturë?

Ne kishim 3 vjet që nuk paguanim se nuk kishim mundësi. Por 7 milionë si do t’i shpenzonim kur jetojmë në barakë dhe nuk kemi asnjë pajisje veç një llambe?!

Ishte shprehur këto ditë Gjovalini se do t’i jepte fund jetës?

Po, ma kishte thënë gati çdo ditë, prej dy javësh që na kishin ndërprerë energjinë. Kishte frikë se e fusnin në burg dhe më tha më mirë është të mos jetoj më në këtë gjendje. Unë i jepja kurajë se edhe po të të arrestojnë, do të mundohemi që të të nxjerrim nga burgu, ashtu siç kam bërë te spitali kur ke qenë i sëmurë.

Familjaret e te ndjerit ne Lezhe
Familjaret e te ndjerit ne Lezhe

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura