I digjet “Benz ML” biznesmenit, denoncimi i fortë në FB që po hetohet si pistë

Feb 13, 2018 | 11:50
SHPËRNDAJE

Digjet gjatë natës makina “Benz Mercedez ML” e biznesmenit nga Vlora. Ngjarja po hetohet si e qëllimshme për shkak se pronari i automjetit, Eduart Alikaj, është bërë edhe më parë objekt i kronikave e deri edhe me arrestimin e tij.

policia-vlore1

Sipas Policisë, djegia e mjetit ka ndodhur dje, rreth orës 01:00, në lagjen “Hajro Cakërri”, ku edhe ishte i parkuar branë banesës së shtetasit Eduart Alikaj. Automjeti me targa AA 777 KP është djegur pjesërisht, ndërsa burime nga Policia bënë me dije se ngjarja dyshohet se ka qenë e qëllimshme.

Nga hetimet paraprake autorët kanë hedhur një sasi lëndë djegëse (benzinë), por flakët janë pikasur në kohë dhe është bërë e mundur shuarja e tyre. Edhe forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në kohë, duke bërë që mjeti të digjej pjesërisht.

Shtetasi Eduart Alikaj, i cili njihet si një biznesmen në qytetin e Vlorës, kryesisht në fushën e ndërtimit, ka deklaruar në Polici se nuk ka pasur konflikte për të shkuar deri në vendosjen e lëndës djegëse në automjetin e tij.

PISTAT

Ai i ka kërkuar grupit hetimor zbardhjen e kësaj ngjarje. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se aktualisht janë përqendruar në dy pista kryesore, por nuk përjashtohen edhe të tjera.

Pista e parë që dyshohet, ka lidhje me një ngjarje të ndodhur më 15 dhjetor të vitit 2016, kur Alikaj u përfshi në një sherr me tre ish-punonjës të kompanisë TIS Park, e cila në atë kohë menaxhonte parkimet me pagesë në qytetin e Vlorës.

Si pasojë e grindjes, për shkak se biznesmeni doli haptazi kundër parkimeve me pagesë e madje nuk pranoi edhe të paguante për makinën e tij, u përdorën edhe mjete prerëse (thikë), ku Alikaj u dëmtua duke u shtruar në spital.

Por ai u arrestua nga uniformat blu, pasi rezultoi se ai kishte goditur i pari punonjësit e kompanisë e më pas mbeti i lënduar edhe vetë.

Një tjetër pistë në të cilën po heton Policia, është edhe ajo e një postimi të fundit të Alikaj në rrjetet sociale, lidhur me një tender në inceneratorin e Elbasanit, shkruan “Panorama”. 

“Ua dhanë për ta ndërtuar një personi pa lidhje (apo lidhje të ‘ngushtë’), 26 milionë € nga lekët e popullit. Na shpjeguan se do hiqte plehrat dhe do gjeneronte korrent, por plehrat janë akoma në Parlament dhe këta, për korrentin, japin leje ndërtimi hidrocentralesh mbi lumenjtë e mrekullueshëm. Na shpjeguan se ishte teknologji e pastër (avull), por personat e zonës që e përjetojnë, thonë se prodhon re të zeza tymi, si shpirti i atyre që e lejojnë. Pretenduan nga bashkia, që të gjitha plehrat të dërgoheshin atje dhe riciklimi të bëhej atje, duke ndaluar fukarenjtë të ‘rrëmbenin’ nga koshat plastikën, metalet, kartonët apo ndonjë copë bukë të mbetur. Tani ankohen se populli nuk prodhon plehra mjaftueshëm për ta mbajtur gjithmonë ndezur dhe rindezja e furrës ka kosto të madhe (këtë kosto mendojnë t’ia faturojnë qeverisë, popullit), por populli i shkretë është në krizë edhe në prodhimin e plehrave, ngaqë nuk konsumon mjaftueshëm. A u bë një studim i mirëfilltë kur u dha leja e ndërtimit dhe me të, paratë e popullit?! A do vazhdojë ky gabim (i provuar), duke ndërtuar inceneratorë të tjerë, d.m.th., duke shpenzuar akoma nga paratë e popullit?!”, thuhej në reagimin në “Facebook” të biznesmenit.

Gjithsesi, Policia bëri të ditur se është duke hetuar edhe në pista të tjera, pa përjashtuar edhe ndonjë konflikt të mundshëm të ditëve të fundit.

makina1 makina2

 

 

Cfare ndodhi ne parking dhe arrestimi i Alikajt 

Më datë 15.12.2016, në lagjen “29 Nëntori” pas një konflikti midis palëve për shkak të parkimit të automjetit, situata është agravuar deri në përdorimin e mjetit prerës “thikë”, ku kanë mbetur të plagosur tre shtetasit F.V, Ç.V dhe F.V, jashtë rrezikut për jetën.

edi-alikaj

Gjithashtu, nga ky konflikt ka mbetur i dëmtuar fizikisht edhe një nga personat e arrestuar, shtetasi Eduard Alikaj, i cili u shrua ne spital.

Burimet thane se shkak i sherrit dhe konfliktit fizik eshte bere bllokimi i makinës së Alikajt në parkingun me pagesë në qytetin e Vlorës. Ndaj mes 44 vjeçarit Alikaj dhe mikut të tij Hënes Dalipaj nisi sherri me punonjësit e kompanisë “TIS Park shpk”.

Alikaj kishte parkuar mjetin e tip ML me targa  AA 777 KP dhe kishte refuzuar të bënte pagesën prej 50 lekësh në orë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura