I dhuruan një makinë dhe bleu apartament 75 mijë euro/ BIRN: Si u rrit pasuria e ish-ministres Besa Shahini

Jan 15, 2021 | 15:31
SHPËRNDAJE

besa shehini pasuriaBesa Shahini u emërua ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në dhjetor 2018, pas ndryshimeve të kabinetit qeveritar që pasuan protestat studentore të të njëjtit muaj. Shahini zëvendësoi në këtë post Lindita Nikollën, e cila e drejtoi Ministrinë e Arsimit nga viti 2013 deri në fund të vitit 2018.

Besa Shahini ka lindur në Prishtinë në vitin 1982. Znj. Shahini mban titullin Master në Politika Publike nga Shkolla e Qeverisjes Hertie, në Berlin. Studimet Bachelor në Shkenca Politike dhe Administratë Publike i ka kryer pranë Universitetit të Jorkut. Ajo ka studiuar gjithashtu me bursë të plotë “Jean Chrétier” në Kolegjin Lester B. Pearson, në Toronto.

Besa Shahini u emërua zv. ministre e Arsimit në vitin 2017, pas një karriere të pasur profesionale në Kosovë, Gjermani, Kanada. Në shtator 2020, Shahini dha dorëheqjen nga posti i ministres së Arsimit me motivimin se do të largohej nga Shqipëria.

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasuritë e anëtarëve apo ish-anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.

pasuria

Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ish-ministja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini nga fillimi i detyrës publike në vitin 2017 deri në fund të vitit 2018.

Në deklaratën e dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2017, Znj. Shahini deklaronte pasuri me vlerë 10.2 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria kap vlerën e 15.5 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2018, Znj.Shahini zotëronte pasuri të paluajtshme me vlerë 13.3 milionë lekë, likujditete bankare prej 1.4 milionë lekësh dhe një automjet me vlerë 719 mijë lekë.

Të ardhurat e Znj. Shahini për periudhën deklaruese janë 2.4 milionë lekë, nga të cilat 62% burojnë nga paga dhe 8% nga angazhime të tjera profesionale të saj. Ndërsa dhurata në cash nga babai është në masën 29%.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 2 vite të deklarimit, njëra prej të cilave rezultoi me probleme.

Në deklaratën e vitit 2017, ish-ministrja Shahini deklaron shtesë likujditetet bankare prej rreth 151 mijë lekësh, por nuk deklaron asnjë të ardhur nga funksioni apo të ardhur tjetër për vitin. Për shkak të mosdeklarimit të pagës, ajo rezulton me burime të pamjaftueshme financiare për të mbuluar shtesën e likujditeteve.

Dhurata babit

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, vlen për t’u theksuar se gjatë qëndrimit të saj në Tiranë, Znj. Shahini ka marrë dhuratë një automjet në vlerën e rreth 719 mijë lekëve nga babai si dhe ka blerë një apartament në Tiranë.

Në vitin 2018, Znj. Shahini deklaron blerjen e apartamentit me vlerë 75 mijë euro, për të cilën ka paguar vetëm 30 mijë euro me burim pakësimin e një depozite bankare, ndërsa pjesa tjetër prej 45 mijë eurosh do të sigurohej nga një kredi bankare në proces./ BIRN

 

Besa-Shahini-Skeda

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura