I dërguari i BE-së për bisedimet Kosovë-Serbi, vizitë në Beograd. VOA zbardh axhendën dhe diskutimet me Vuçiç

Dec 5, 2022 | 19:59
SHPËRNDAJE

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak po qëndron sot në Serbi nga ku nesër do të shkojë edhe në Kosovë në kuadër të siç është thënë përgatitjeve për vazhdimin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve.

Capture

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç shkroi pas takimit se me zotin Lajçak ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe siç tha “problemet me të cilat përballen serbët për shkak të veprimeve të njëanshme dhe të paligjshme të Prishtinës”. Presidenti serb tha se gjatë takimit ka ritheksuar domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Vizita e të dërguarit evropian ndodhë në një periudhë kur Bashkimi Evropian u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në mënyrë evropiane dhe të shmangin veprimet dhe retorikën që mund të nxisë tensione.

Këto komente pasuan reagimin e zemëruar të Beogradit ndaj emërimit të ministrit të ri për komunitete në qeverinë e Kosovës Nenad Rashiç, një politikan i moderuar në vend të ish ministrit Goran Rakiç nga radhët e Listës Serbe.

Presidenti serb kishte paralajmëruar madje se do të bojkotonte takimin e së martës në Tiranë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Të hënën ai tha se megjithatë do të shkojë në Tiranë sepse do të ishte e dëmshme mungesa e Serbisë në atë takim.

Qeveria e Kosovës tha se emërimi i ministrit të ri është në pajtim me Kushtetutën e vendit dhe autoritetin e kryeministrit.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar bisedime të dendura ndërmjet palëve për një marrëveshje normalizimi ndërmjet tyre, në bazë të një plani që u bë i njohur si nisma franko-gjermane që ka edhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. /VOA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura