I dënuari për vrasje kanos nga burgu vajzën e mitur. I kërkoi lidhje nga Facebook

May 6, 2015 | 20:23
SHPËRNDAJE

Një i dënuar për vrasje kërcënon nga burgu një vajzë të mitur banuese në Tiranë. Ngacmimet dhe kërcënimet kanë ndodhur nëpërmjet rrjetit social “Facebook” që përdoret edhe përmes telefonave celularë. Ngjarja është denoncuar në Komisariatin nr.1 nga shtetasja 16-vjeçare me iniciale K.D., e cila pretendon se një i burgosur, me të cilin kishte komunikuar me mesazhe në Facebook, e kishte kërcënuar se do ta vriste.

Burgu i Shënkollit

Nga verifikimet e Policisë ka rezultuar se ky person është shtetasi Besmir Uka, 27 vjeç, nga Laçi dhe është i dënuar me vendim të formës së prerë për vrasje, thuhet në komunikatën e policisë. Uka akuzohet për vrasjen e shtetasit Edmond Mullai, 31 vjeç, me të cilin kishte pasur një grindje në një kazino në Sarandë për çështje femrash. Ngjarja për të cilën është shpallur fajtor dhe po vuan dënimin 27-vjeçari ka ndodhur në Sarandë më 20 dhjetor të vitit 2010.

Tashmë Besmir Uka do të procedohet edhe për kanosjen e shtetases së mitur, e cila e ka denoncuar mëngjesin e së dielës në Policinë e Tiranës. Vajza 16- vjeçare pretendon se Ukën e ka njohur në rrjetin social “Facebook”. Ai i kishte dërguar ftesë dhe ajo e ka pranuar. Më pas ka nisur t’i shkruajë mesazhe duke u shprehur se e pëlqen shumë dhe kërkonte të kishte një lidhje me të.

Vajza ka deklaruar se fillimisht ai nuk i ka treguar se ndodhej në burg, ndërsa në momentin që e ka marrë vesh këtë fakt, ajo ia ka shprehur duke i thënë se nuk mund ta vazhdonte më komunikimin me të. Në këtë moment kanë nisur edhe kërcënimet nga ana e të dënuarit.

Vajza e ka fshirë nga lista e saj e miqve të Facebook, por pas këtij veprimi, kërcënimet e 27- vjeçarit janë bërë edhe më të ashpra, duke i thënë se do ta vriste. Policia tha se bashkë me kallëzimin ka marrë në cilësinë e provës materiale edhe të gjitha mesazhet që i dënuari i ka dërguar në Facebook vajzës së mitur, ndërsa ka nisur procedim penal ndaj tij për kanosje. 

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura