“I çmenduri” Konte e gdhin duke parë video, tekniku studion problemet para derbit

Sep 19, 2019 | 13:05
SHPËRNDAJE

Antonio Konte kthen menjëherë faqe. Trajneri i Interit ka rinisur punën pas barazimit zhgënjyes kundër Slavia Pragës, sepse të shtunën dhe të mërkurën ka dy teste me një koeficient të lartë vështirësie: së pari derbi kundër Milanit, më pas sfida me Lacion.

konte

Për të larguar mërzinë pas debutimit europian dhe të studiojë gabimet e kryera në Ligën e Kampioneve, Konte ka vendosur ta kalojë natën në qendrën stërvitore “Appiano Gentile” pas ndeshjes kundër çekëve, duke riparë videot. “Duhet të rikthehemi në shtëpi të inatosur, – u shpreh trajneri zikaltër. – Askush nuk duhet të ndihet i lumtur nga pika e fituar në fund, sepse unë nuk ndihem i gëzuar dhe ndjesitë duhet të jenë të njëjta”.

NDESHJE KONTROLLI

Humori i Kontes kishte prekur fundin, edhe për këtë arsye dje u programua një ditë pune shumë intensive. Për lojtarët që luajtën kundër Slavias ishte parashikuar vetëm një stërvitje shkarkimi, ndërsa pjesa e mbetur në pasdite u angazhua në një ndeshje kontrolli kundër Komos. Mënyra e duhur, pra, për të pedaluar më fort, pikërisht ashtu siç Konte u ka kërkuar vazhdimisht lojtarëve.

TRE PËR T’U RIKUPERUAR

Mbrëmja e shëmtuar kundër Slavias është e shkuara, por ende nuk është harruar. Derbi i së shtunës në mbrëmje në “San Siro” është e ardhmja, e megjithatë që tani qëndron në plan të parë. Interi duhet të rikuperojë, ndërkohë, tre lojtarë thelbësorë që pas pauzës së kombëtarëve janë paraqitur nën nivel: Shkrinjar, Brozoviç dhe Lukaku ose, më saktë, elementët që formojnë shtyllën kurrizore interiste, të cilët në sfidën brenda qytetit do të paraqiten me bateritë e shkarkuara.

Rikthimi në formë do të jetë vendimtar për Konten. Shkrinjar dhe Brozo tërhoqën skuadrën gjatë sezonit të kaluar dhe e nisën mirë epokën “Konte”, megjithatë tani është i dukshëm një hap prapa. Sllovaku, i zhvendosur në të majtë në mbrojtjen me 3, ka treguar se nuk ndihet në rol si me Spaletin dhe një ulje e tregoi me Udinezen: dobët në markim, disi i shpërqendruar me topin në këmbë. Kundër Milanit, përjashto surprizat, do të luajë në mbrojtje përkrah Godinit dhe De Vrajt. Ndërsa kroati me Slavian ishte më i dobëti në fushë. Luajti 180 minuta me Kroacinë gjatë pauzës së Serisë A, ndoshta edhe lodhja ka ndikuar.

Përgatiti: LEDIO NASE

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura