“I Capuleti e i Montecchi”, një opera në duart e femrave

Mar 15, 2016 | 13:27
SHPËRNDAJE

Një opera që u besohet thuajse e gjitha femrave. Që nga drejtimi i Orkestrës Simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, te regjia, tre nga katër koncertmaestrit, madje edhe një rol mashkulli do të interpretohet nga një femër.

Eva Golemi dhe Vikena Kamenica, në një nga shfaqjet në TKOB
Eva Golemi dhe Vikena Kamenica, në një nga shfaqjet në TKOB

Drejtori i TKOB, Ilir Kerni, ka vendosur t’u shtojë koloritin shfaqjeve që ngjiten në skenën e institucionit që ai drejton. Pas suksesit të “Arrëthyesit”, shkëlqimit të Saimir Pirgut me koncertin e tij recital “Il mio canto” dhe masterklasit që solli në Tiranë sopranon Ermonela Jaho, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit sjell për publikun “I Capuleti e i Montecchi”, operën tragjike me 2 akte nga Vincenzo Bellini, me libret nga Felice Romani, bazuar në veprën me të njëjtin titull nga Luigi Scevola.

Është historia tragjike e dy të rinjve, që urrejtja mes dy familjeve i çon drejt vetëvrasjes, e njohur më së shumti si “Romeo e Xhulieta”. Për të drejtuar Orkestrën e TKOB, vjen në Tiranë pianistja e famshme dhe dirigjentja Elda Laro, e cila prej muajit janar të këtij viti po punon si korepetitore pranë Operës së Berlinit.

PrintNdërsa regjia i është besuar regjisores zvicerano– turke Aylin Bozok, e cila, pavarësisht moshës së re, ka arritur të vendosë vepra në skenën e Operës Nacionale të Turqisë. Ndaj pritet që, nën një baketë dhe regji femërore, si dhe në të tjerë elementë të veprës, varianti belinian i “Romeo dhe Xhulietës” do të sjellë shumë dashuri në skenë.

SOLISTËT

Kanë kaluar shekuj që atëherë, por tragjedia e Romeos dhe Xhulietës vazhdon ende të trondisë. Sepse në çdo kohë do të ketë një Romeo, do të ketë një Xhulietë, që do të dalin të vetëm kundër botës e ndoshta edhe mund të flijohen për dashurinë. Opera tragjike “I Capuleti e i Montecchi” ngjitet në skenë këtë fundjavë nën interpretimin e solistëve të TKOB.

Roli i Xhulietës do të vijë nën interpretimin e sopranos Eva Golemi, ndërsa ai i Romeos do të vijë i luajtur nga një femër. Është mexosopranoja Vikena Kamenica që do të interpretojë rolin e djaloshit nga familja Montecchi.

Bellini e ka shkruar këtë rol pikërisht për një mexosoprano dhe që në vëniet e para të kësaj opere, roli i Romeos është interpretuar nga mexosoprano (Maria Malibra- 1832, Giuditta Grisi, Giuditta Pasta-1833, Wilhelmine Schröder-Devrient,1834 & 1835, etj.). Për këngëtaren-”kameleon”, Kamenica, nuk është hera e parë që interpreton role çunakësh, kjo jo vetëm falë zërit, por edhe aftësive të saj interpretative.

Krahas Golemit dhe Kamenicës, do të ngjiten në skenë, në krahë të Capulet-ëve apo Montecch-ëve këngëtarët Klodjan Kaçani, Armando Likaj, Enrico Marchesini etj. Vepra do të ngjitet si premierë absolute në datën 20 mars.

Aylin Bozok, regjisorja më e re e Operës së Turqisë

Në një pranverë nazike, që duket sikur s’do të vijë, Aylin Bozok u gëzohet atyre pak rrezeve që herë pas here shpërthejnë në qiellin e Tiranës. Regjisorja zvicerano-turke, prej një jave po punon për të vënë në skenë “I Capuleti e i Montecchi”.

Aylin Bozok
Aylin Bozok

Teksa ka hedhur një fotografi nga fasada e TKOB, ku tashmë është vendosur baneri i shfaqjes, ajo shkruan: “Java e parë e provave për ‘I Capuleti e i Montecchi’ në Tiranë, Shqipëri. E dua këtë vend dhe njerëzit e tij”. E lindur në një familje muzikantësh, zvicerano–turkja Aylin Bazok filloi studimin e pianos në moshën 4-vjeçare dhe këndoi si anëtare e korit të fëmijëve në Grand Theatre de Geneve që nga mosha 10 vjeçe.

Trajnuar në Sistemin Stanislavski, ajo diplomohet në degën regjisurë në Bilkent University (Ankara) dhe u bë e njohur si një nga regjisoret më të reja që vuri në skenë një opera në Teatrin Nacional të Turqisë. Me produksionin “Pelleas et Melisande”, Aylin ka fituar në “Whats on stage” çmimin si “Regjisorja më e mirë e re” në skenën operistike britanike për vitin 2014.

Ka qenë regjisore e veprave: “Il tabarro” (Grimeborn Opera Festival London 2012), “Pelleas et Melisande” (Grimeborn Opera Festival London 2013), “Suor Angelica” (Talent Unlimited Festival, St James’s Piçadilly 2014), “Werther” (Grimeborn Opera Festival London 2014), “The Rake’s Progress” (Bury Court Opera 2015), “Lakme” (Opera Holland Park 2015).

Elda Laro, nga Opera e Berlinit në Tiranë

Pas drejtimit të “Carmina Burana”, pianistja dhe dirigjentja Elda Laro, rikthehet në Tiranë për të dirigjuar Orkestrën Simfonike të TKOB në operën “I Capuleti e i Montecchi”. Prej muajit janar 2016, Laro punon pranë Operës së Berlinit si korepetitore. Më parë ajo ka mbajtur detyrën e Drejtorit Muzikor të Skenës për tre sezone në teatrin e Münster-it. Si drejtuese e korit koncertal të Münster-it, ajo ka dirigjuar koncerte të ndryshme, ndër të tjera në verën e vitit 2014 “Deutsche Requiem” nga J.Brahms në një turne në Itali.

Elda Laro
Elda Laro

Elda Laro e filloi karrierën e saj muzikore si pianiste solo dhe punoi ndërkohë me orkestrën e Teatro Regio dhe Orkestrën Filarmonica të Torinos, me Orkestrën “Verdi” dhe Orkestrën Pomeriggi Musicali të Milanos, Orckestrën e Val d’Aosta, Orkestrën “Arturo Toscanini” dhe me Orkestrën e RTSH në Tiranë.

Ka luajtur nën drejtimin e dirigjentëve të mirënjohur, si Marc Soustrot, Konrad Junghänel, Bruno Campanella, Donato Renzetti, Gustav Kuhn dhe Mstislav Rostropovich. Dashuria e saj për Bel Canto-n bëri që të angazhohej me letërsinë operistike. Pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Teatrit të Mailänder Scala, ajo punoi si korepetitore në teatro të ndryshme në Itali e Europë, si 12 vjet në Teatrin “Massimo Bellini” në Catania, në Teatrin Regio të Torino- s, pranë Fondacionit “Arturo Toscanini” të Parmës, pranë Ravenna Festival dhe Festival d‘Aix-en-Provence.

Elda Laro mban një sërë çmimesh si çmimi i parë “Trio” në konkursin “Moncalieri” në Torino (1991), çmimi i parë “Duo” në Rassegna di Vittorio Veneto (1996), çmimi i parë në konkursin Grosseto (2000). Në vitin 2009, ajo merr çmimin e njohur Premio Danzuso të shoqatës “Amici della Musica di Catania”. Vetëm para pak kohësh ka dalë një recital me sopranon Dimitra Theodossiu, veç kësaj është publikuar nga “Chandos” një CD me muzikë dhome nga G. Bottesini, e cila u vlerësua me 5 yje nga gazeta “Financial Times London”.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura