I bllokuan pasaportën, kryebashkiaku në hetim i Rrogozhinës: Abuzimi nisi…

Feb 22, 2018 | 16:43
SHPËRNDAJE

Me dyshimet se është shpërdoruar detyra duke abuzuar me tokat në Spille por edhe projektin e stacionit të plazhit , në bashkinë e Rrogozhinës duket se të gjithë janë të dyshuar që nga kryetari e deri tek sekretari.

Dy prej tyre gjenden nën arrest, ndërsa kryetari i bashkise Beqir Nuredini ndalohet nga gjykata të dalë jashtë vendit. Prokuroria dyshon se në këtë bashki, të paktën 14 banorë të zonës kanë fituar titujt e pronësisë në mënyrë të paligjshme.

BEQIR NUREDINI

Në këtë aferë akuza dyshon të jenë përfshirë që nga kreu i bashkisë deri tek regjistruesi Seit Cikalleshi, hartografi Dritan Kazazi por edhe juristë e kryepleq.

Duke kujtuar se ai vetë e ka kallëzuar abuzimin me tokat, kryetari i bashkisë së Rrogozhinës këmbëngul se historia e tjetërsimit të tokave nis shumë vite më parë.

“Në asnjë lloj rasti nuk kam firmosur kurrë ndonjë AMPT, dhe ndërkohë të gjitha këto AMTP janë të vjetra. Tani vijmë tek pika për të qenë të sinqertë deri në fund, në janë false apo të vërteta, më vjen keq por nuk jam personi përgjegjës për të verifikuar një dokument me firma dhe vula nëse është i saktë, apo i falsifikuar. Nuk më takon mua ta bëj këtë gjë”, thotë Nuredini.

Për dyshimin tjetër që hedh pikëpyetje mbi ngritjen e stacionit të plazhit në Spille, prokuroria konstaton se nuk ka asnjë plan biznesi, dhe se është miratuar në këshillin bashkiak Rrogozhinë pa marre miratimin e urbanistikës. Me të njëjtin qëndrim prokuroria e Kavajës po heton edhe ndertimin e 27 lokaleve përgjatë vijës bregdetare, sepse dyshohet të jenë ngritur sipas preferencave të investitorëve dhe pa një plan zhvillimi. Më tej sipas prokurorisë vetëm katër prej investitorëve janë banorë të zonës.

“Momentin që prisha këto godina të vjetra dhe nuk ishin thjesht godina të vjetra, kishte kontenierë, kishte furgona, ku kam thënë të gjithë atyre njerëzve që kanë pasur këto objekte, ky është projekti që ka bashkia e Rrogozhinës, këto janë kriteret, ky është standarti që do duhet ta zbatoni. Nëse keni kapacitete financiare për ta zhvilluar, bujrum, ja ku jemi për tu dale borxhit, jo janë katër po janë pesë. E në fund fare une nuk jam aspak i detyruar që të zgjedh patjetër njerëz të zonës për të bërë këtë lloj investimi”, vijon Nuredini.

Top Channel

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura