I biri i akuzuar për atentatin e dështuar ndaj Alban Bruçit, ekzekutohet me armë zjarri Ismet Çekorja

Sep 2, 2022 | 15:19
SHPËRNDAJE

Është ekzekutuar me armë zjarri Ismet Çekorja, babai i të riut të akuzuar si autori i dyshuar i atentatit të dështuar ndaj Alban Bruçit.

Ai u plagos në lagjen Kiras në Shkodër, por nuk ka arritur të mbijetojë. Ismet Çekorja mbërriti në spital pa shenja jete.

Djali i viktimës, Bajram Çekorja akuzohet se i bëri atentat 25-vjeçarit Alban Bruçit mbrëmjen e 25 gushtit, rreth orës 21:30.

Në një deklaratë për mediat 4 ditë më parë, viktima Ismet Çekorja mohoi akuzat ndaj të birit duke thënë se në orën kur ka ndodhur atentati Bajram Çekorja ndodhej në një mjedis të monitoruar nga kamerat e sigurisë gjë e cila hedh poshtë sipas tij akuzat e policisë.

Ismet Çekorja shprehej se prej tri vitesh policia e Shkodrës i ishte vënë në shpinë djalit dhe familjes së tij pasi për çdo ngjarje kriminale banesa e tyre rrethohej nga policia.

58 vjeçari mohoi se djali i tij ishte i përfshirë edhe në ngjarjet e tjera kriminale për të cilat ka qenë i dyshuar.

Atentati i dështuar

Sipas burimeve nga vendngjarja, Alban Bruçi ka qenë në ecje e sipër me automjetin tip “Audi” kur papritur dy persona me motoçikletë janë afruar dhe kanë qëlluar në drejtim të tij në ecje e sipër me 19 plumba.

Menjëherë pas ngjarjes, Alban Bruçi ka lënë automjetin e mbushur me plumba dhe ka shkuar në Policinë e Shkodrës duke kallëzuar për ngjarjen e ndodhur. Kjo ka bërë që efektivët e Policisë të vihen në lëvizje, duke bërë rrethimin e zonës.

“Nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarje. Kam qenë duke shkuar në shtëpi kur dy persona me motoçikletë u afruan dhe qëlluan ndaj meje. Në atë moment u mundova që të shpëtoj dhe eca pak metra me makinë. Pasi u larguan nuk kisha marrë asnjë plumb dhe menjëherë erdha në polici për të treguar ngjarjen. Nuk kam konflikte me persona të tjerë dhe nuk e di se kush mund ta ketë bërë”, mësohet të ketë thënë Bruçi.

“SCORPIONS” ME SILENCIATOR

Policia e Shkodrës mendon se 25-vjeçari është qëlluar me armë zjarri pistoletë tip “Scorpions”, e cila dyshohet se ka qenë me silenciator pasi nuk janë dëgjuar të shtënat në zonën ku ndodhi atentati. Disa prej plumbave kanë përfunduar në xhamin e automjetit dhe në derën e makinës, por objektivi i këtij atentati ka arritur që të shpëtojë pa u plagosur.

Automjeti i tij edhe pasi është qëlluar ka ecur disa metra deri në momentin që është ndalur dhe atentatorët janë larguar dhe më pas 25-vjeçari Bruçi ka dalë nga makina duke u larguar me shpejtësi dhe duke bërë denoncimin në polici.

Zbulimi i autorëve

Dy ditë pas atentatit policia raportohet se autorët e dyshuar që qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit të 25-vjeçarit Alban Bruçi në lagjen “Rus” në Shkodër, ishin 24-vjeçari Bajram Çekorja dhe T. F., 20 vjeç.

“Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Shkodër, si rezultat i një pune të pandërprerë hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasve:

-T. F., 20 vjeç dhe B. Ç., 24 vjeç, të dy banues në Shkodër.

Nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera për këtë ngjarje, ka rezultuar se para 2 vitesh, shtetasi A. B. është konfliktuar për motive të dobëta me shtetasin T. F. Ky konflikt dyshohet të jetë motivi pse shtetasit T. F. dhe B. Ç. qëlluan me armë zjarri, mbrëmjen e datës 25.08.2022, automjetin që drejtohej nga shtetasi A. B.”, informoi policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura