I besoi 800 milionë lekë mikeshës, 42-vjeçarja nuk ia kthen më

Apr 25, 2015 | 16:13
SHPËRNDAJE

E bindur në miqësinë familjare mes tyre, një grua kryeqytetase i ka besuar mikeshës së saj 42-vjeçare ruajtjen për disa ditë të një shume prej 800 milionë lekësh të vjetër.

Por, kur e porositi “do m’i mbash të sigurta”, ajo nuk e mendoi se nuk do të merrte mbrapsht asnjë qindarkë prej tyre. Për më tepër, pas dy vitesh orvatjeje dhe premtimesh të pambajtura për kthimin e lekëve, mikesha do të fikte telefonat dhe do të zhdukej pa gjurmë. E pashpresë për paratë e saj, Suzana K. ka depozituar një kallëzim në Prokurori. Ky është thelbi i një historie supermashtrimi të ndodhur në Tiranë, për të cilën Prokuroria ka dërguar si të pandehur në gjykatë shtetasen Adriana Çakmak (Kallapodhi) për akuzën e “mashtrimit”. Më 9 prill, Gjykata e Tiranës i dha fund shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje. Çakmak u shpall fajtore dhe u dënua me 16 vjet heqje lirie. Vendimi ndaj 42-vjeçares u shpall në mungesë të saj. Ajo nuk është arrestuar, ndonëse ndaj saj ekziston një masë sigurie “arrest në burg” e dhënë po në mungesë. Në fazën e pretendimeve përfundimtare, përfaqësuesi i Prokurorisë, Genci Qano, ka kërkuar fajësi dhe një dënim me 18 vjet heqje lirie për të pandehurën. 

HISTORIA

Referuar vendimit të Gjykatës, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, historia e supermashtrimit 800 milionë lekë zë fill në vitin 2012. E dëmtuara Suzana K. është njohur me të pandehurën Adriana në prill 2012 për shkak se ajo ishte bashkëshortja e shtetasit turk Haydar Çakmak, i cili paraqitej me profesionin e mjekut. Ky i fundit i kishte premtuar të dëmtuarës Suzana një ndërhyrje kirurgjikale në Turqi dhe pas këtij momenti marrëdhëniet midis dy familjeve janë forcuar. Sipas vendimit, në muajin tetor 2012, e pandehura ka qenë në banesën e Suzanës, kur kjo e fundit ka ngritur si shqetësim se nuk mund të ikte me pushime në Itali, pasi kishte shumë para në shtëpi dhe nuk kishte ku t’i siguronte. E pandehura Adriana Çakmak i ka dalë garant për ruajtjen e tyre, bisedë e konsumuar edhe në praninë e familjarëve të tjerë. “Për vetë rrethanat si është bërë kjo bisedë dhe duke rënë në dijeni se ku mund t’ia siguronte e pandehura shumat e lekëve, e dëmtuara Suzana është bindur dhe me besim të plotë i ka dorëzuar që këtë moment të pandehurës Adriana Çakmak (Kallapodhi) shumën e parave fizikisht, rreth 80 milionë lekë (64.400.000 lekë dhe 103.000 euro)”, thuhej në vendim. Pas dorëzimit të parave, e pandehura ka shkruar me shkrimin e saj një deklaratë, ku pranonte dorëzimin, duke përcaktuar dhe llojin e monedhës dhe prerjet.

MASHTRIMI

Në përfundim të pushimeve në Itali, e dëmtuara ka udhëtuar drejt Turqisë. Pasi ka bërë ndërhyrjen mjekësore, ajo ka qëndruar për 6 muaj në banesën e Adrianës. Në prill 2013, teksa do kthehej në Shqipëri, Suzana ka kërkuar paratë e saj, por e pandehura i ka thënë se do t’ia kthente në Shqipëri. Në maj të këtij viti e pandehura Adriana Çakmak dhe bashkëshorti i saj kanë ardhur në Tiranë. Ata janë takuar disa herë me të dëmtuarën, pa i kthyer paratë duke nxjerrë si pretekst se i kishin në një bankë, duke premtuar se do t’ia kthenin në dhjetor. Moskthimi i shumës as në këtë datë ka bërë që djali i të dëmtuarës në fund të janarit 2014 të udhëtonte drejt Turqisë, por e pandehura Adriana Çakmak dhe bashkëshorti i saj kishin mbyllur telefonat dhe që nga ai moment ata nuk kanë komunikuar me të dëmtuarit. “Shuma e parave edhe sot nuk i është kthyer akoma të dëmtuarës ose familjareve të saj”, thuhej në vendim.

I bleu burrit turk “BMW X5” 9 milionë lekë

TIRANE – Një javë pasi i kishte marrë në ruajtje shumën prej 80 milionë lekësh të rinj, e pandehura ka blerë një automjet “BMW X5”, të cilin ia ka bërë dhuratë bashkëshortit të saj turk. Sipas vendimit të gjykatës, automjeti u ble më 9 nëntor 2012 kundrejt një shume prej 9 milionë lekësh të rinj.

“Nuk ka asnjë dyshim që automjeti është blerë nga e pandehura Adriana Çakmak pikërisht me një pjesë të parave të marra tek e dëmtuara Suzana K. Fakt ky që tregon edhe qëllimin e saj që i ka marrë paratë me qëllim që të mos i kthente më tek e dëmtuara apo familjarët e saj”, citohej pretendimi i prokurorisë në vendimin e Gjykatës.

Automjeti i ka kaluar bashkëshortit të saj turk përmes një kontrate dhurimi që mban datën 5 qershor 2013. Sipas Prokurorisë, ky veprim është kryer me qëllim për të zhdukur çdo gjurmë të sendit dhe për ta fshehur nga të dëmtuarit, që ndërkohë kishin filluar t’i kërkonin asaj shumën që i kishte dhënë.

DO BLININ FABRIKË BIRRE

Nga dëshmitë e dhëna për llogari të gjykimit, familjarët e dëmtuar kanë rrëfyer se shuma e parave ishte grumbulluar nga kryefamiljari për blerjen e një fabrike birre. Po sipas dëshmive, dorëzimi i parave i është bërë të pandehurës në një nga dhomat e banesës së Suzana K. në praninë e disa personave, me qëllim që t’i siguronte ato në një bankë.

Armand Bajrami 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura