‘Mamurrasi’, i arrestuari në gjykatë me maskë dhe pa avokat mbrojtës

Sep 26, 2015 | 13:21
SHPËRNDAJE

Nën masa të rrepta sigurie, Gjykata e Kurbinit ka caktuar “ arrest me burg” për tre të arrestuarit për masakrën e Mamurrasit, ku një person humbi jetën dhe katër të tjerë u plagosën.

Mamli duke u futur ne Gjykate
Mamli duke u futur ne Gjykate

I pari që është njohur me masen e sigurisë ka qenë 28-vjeçari Enrik Mamli, i cili u soll rrethuar me policë veshur me antiplumb, ndërkohë që vetë në kokë i kishin vënë maskë që të mos identifikohej për arsye sigurie.

Gjatë seances gjyqësore, me dyer të mbyllura prokurori i çështjes Shkelzen Cena, mësohet të ketë lexuar para të akuzuarit dhe gjykates të gjithë dinamiken e ngjarjes.

Në bazë të provave të mbledhura dhe dëshmive të grumbulluara nga oficeret e policisë gjyqësore në dosjen e organit të akuzes thuhet se në momentin kur mjeti me të cilin po lëvizte Enrik Mamli është goditur nga pas nga mjeti me të cilin lëvizte Naim Tafa së bashku me Gentjan Elezin dhe Taulant Bebri(Arjan Tafa) dhe më pas ata kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tij.

Pas këtij momenti Enrik Mamli ju është kundërpërgjigjur me breshëri automatiku në drejtim të mjetit të tyre, dhe për pasoje mbeti i vdekur Naim Tafa si dhe u plagosen dhe 4 persona të tjerë mes tyre dhe dy kalimtarë të rastësishëm.

Vetë i akuzuari për këtë ngjarje Enrik Mamli mësohet të mos ketë folur asnjë fjalë para togave të zeza, ndërsa nuk ka pasur as avokat mbrojtës. Gjithashtu pranë ambienteve të gjykatës nuk ka pasur asnjë nga familjarë të tij.

E njëjta masë sigurie është caktuar edhe për Dorjan Mamlin dhe Gentjan Elezi “Tafa”.  Nga shkëmbimi i zjarrit i cili ndodhi mesditen e së mërkures në qendër të qytetit të Mamurrasit mbeti i vrarë Naim Tafa si dhe u plagosen Altin Çoku, Idriz  Tafa,59 vjeç,Taulant Bebri(Arjan Tafa) si dhe Besim Sali Xhetani, 68 vjeç. Nga hetimet e deritanishme është bërë e ditur se shkak për ngjarjen është bërë prishja e pazarëve të rrjetit të prositucionit mes personave të cilët u përfshinë në konflikt.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura