Hysni Koko, 50 vite krijimtari/ Nga ‘Kokoshët e Gremsh Gjogovicës’ te ‘Buzëqeshja e hidhur’! Dramaturgu që ka zgjedhur të rrijë larg vëmendjes mediatike

Apr 25, 2023 | 14:04
SHPËRNDAJE

CANO NORA/ Ka patjetër komoditet metropoli e qyteti për krijuesit, por nuk është e thënë që vetëm aty të ketë shkrimtar e artist. Mund të jesh dhe nga Picari i largët i Kurveleshit dhe “të të këndojë” pena e të spikasësh në fushën e artit, madje dhe në gjininë delikate të dramës e komedisë. Rasti i Hysni Kokos, dramaturgut 75-vjeçar, nuk është i vetmi, por sidoqoftë ka specifikën e vet me koloritin e krijimtarisë dhe veçantinë e jetesës përtej bulevardeve të zhurmshme plotë vezullime e dritë.

hysni koko

Faktin që pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në fshat, aty ku ka realizuar veprat më të shumta, dramaturgu Koko, e quan privilegj, pasi, sikundër thotë me qesëndi, produktet e tij krijuese kanë lëndë të parë bio. Ka 50 vite që shkruan dhe ka një galeri të gjerë personazhesh, po me mungesën e atij heroit kryesor që duhet të edukojë e të rrezatojë frymëzim për masat e gjëra. Madje ky “defekt” e ka penalizuar shumë herë në regjimin e kaluar. Se Hysni Koko preferonte të merrej më shumë me atë “heroin” që shëmton, që cenon vlerat morale, që shtrembëron të bukurën, se sa me idhujt e rremë të shumë prej krijesave militantë partiakë.

Atij i pëlqente të merrej më shumë me “Kokoshët e Gremsh Gjogovicës” se sa me “heronjtë” që prodhonte politika. Ata që e njohin veprën e tij e veçojnë për një qasje tjetër ndaj realiteteve dhe dukurive të kohës dhe mbi të gjitha për një mprehtësi në zbulimin e karaktereve të personazheve që shpërfill shoqëria. Krijimtaria e Kokos nis qysh në moshën 17 vjeçe kur ishte mësues në zonat e thella të Tomoricës së Skraparit dhe vijon në tërë shtegtimin e tij profesional si mësues, metodist kulture, ushtarak e së fundi pensionist. Si me rrallë të tjerë, te Koko dallon modestia, po mbi të gjitha zgjedhja për ti qëndruar larg vëmendjes publike. I vetmi rast kur bashkëqytetarët e identifikojnë, është momenti kur ngjitet në skenë në përfundim të shfaqjes, si autor i dramës sikundër e do rregulli i veprimtarisë.

Shumë syresh, komshi të tij në qytetin e gurtë, i befason kjo paraqitje, pasi nuk e dinë e nuk u shkon në mëndje që ai burri me flokë të borëruar herët me të cilin përballen për ditë qenka i “kalemit”, madje bën dhe drama. Po kush është dramaturgu Koko, cili është jetëshkrimi i tij dhe pse ka preferuar ti qëndrojë larg medias dhe publikut. Në pamundësi për ti marrë një intervistë, iu “qepëm” për të konsumuar një kafe të zakonshme dhe aty ta ngacmojmë bisedën për të mësuar diçka më shumë nga pasionet dhe jeta e tij…

Është mëngjes i freskët maji. Përballemi me Hysniun në një lokal të zakonshëm në pazarin e qytetit.. Pi kafen e mëngjesit si përherë me njeriun e letrave Skënder Korkutin. “Këtë klub do ta lëmë ditën kur të na lërë ai, d.m.th., kur të rris çmimet”, thotë Skënderi. Për mua porositën një gotë raki. “Ua rrita shpenzimet”, ngava bisedën. Dje isha dëshmitar i një episodi jo fort të këndshëm, e mori fjalën Hysniu Një shokun tonë, te dera e këtij klubi, e rrethuan një grumbull fëmijësh.

Nipër e mbesa. Mes cicërimash kuptova se i kërkuan të zgjidhte qesen. Gjyshi kroi xhepat një copë herë të mirë. Gjeti vetëm katër monedha njëqindëshe (të vjetra). Si t’ua ndante! Ata ishin pesë. I duhej edhe një monedhë. Të pestit tregoi ndonjë përrallë, i thashë. Përrallat na i zhvleftësoi “Big Bradher”, “Përputhen” e soji i tyre.

“Gëzuar!”, i urova aty për aty. Drama më pëlqeu, iu ktheva Hysniut. Dhe kujtova mbresat e mira që kishte lënë shfaqja e dramës së tij ato ditë në teatrin e qytetit “Buzëqeshja e hidhur”.

Ke të më thuash ndonjë vërejtje. Jo? Atëherë hidhemi te gota tjetër e rakisë. As unë nuk e pranova dhe as ata nuk ma dhanë. Ishin fjalë në erë.

Një gazetë, hyra nxitimthi në temë, më ka kërkuar të shkruaj diçka për dramën tuaj. Dhe papritur miratimin e tij, i drejtova pyetjen: Keni qenë mësonjës, punonjës e drejtues kulture, ushtarak, biznesmen e së fundi edhe dramaturg…

Dhe shumë kam rrojtur. Shtatëdhjetë e pesë vjet. Ato dy të fundit, biznesmen dhe dramaturg largomi nga supet. Ja biznesi im, ngela pa punë dhe shita legenë, fshesa, kova etj. Dramaturg! Kam shkruar ndonjë dramë dhe kaq.

TA FILLOJMË ME MËSUESINË.

Pesë vjet punova, por për të mund të të flas me orë të tëra. Më emëruan në Tomoricë. I vetëm në shkollë. Shtatëmbëdhjetë vjeç. Po ato pesë vite më mbushën me jetë sa për pesëdhjetë vjet. E hapët këtë bisedë, do të më dëgjoni. Ishin të përsosur. Dhuronin dashuri. Po punëtor? E sfidonin varfërinë. Për të jetuar, ishin vitet gjashtëdhjetë, na jepej racion dymbëdhjetë kg misër…

E thanim, e bluanim, e sitnim, e nisnim për ta bërë bukë…Mielli duke kaluar në këto stacione shtohej. Të gjithë shtonin nga një dorë miell për mësuesin. Mësuesit të mos i afrohet uria, i thoshin njeri tjetrit. Më tej. Pjatën e fasuleve, me thelën e vetme të mishit pastërma në mbrëmje ja sillnin mësuesit njomëzak… Ka nevojë, është në rritje e sipër, mëmën e ka male kaptuar…

Pati rastin që erdhi e më vizitoi aty dhe babai. Pasi kish udhëtuar dy ditë, Këlcyrë, Prishtë, Çorovodë, Qafë Dëvri, mbërriti në Grëmsh, fshati ku unë jepja mësim. Grëmshi i arkitekt Kasëmit. Te çezma që kish projektuar ai, ne nxirrnim rakinë në netët e vjeshtës me burrat e fshatit. Deri në mëngjes. Arkitektin kërkojnë të na e marrin ata të qytetit të Gramshit, më thoshin, por ne nuk jua lëmë. Një ditë do të dalin të dënuar edhe nga fshati ynë. E kishim fjalën tek babai.

Nesër, më tha, do të ikim të dy, nuk të kemi të tepërt. Nuk i fola. Pasdite na erdhi ftesa e parë. Nga Subi Goduni. Plot oda me burra. Këngë, raki dhe valle. Po kështu edhe të nesërmen. Na ftoi Elmazi, Novruz Çeta. Babai ditën e tretë u largua me mendje të mbledhur. Kujtova Novruz Çetën. Një burrë i gjatë, katana. Në shkollë kish të tre fëmijët. Dy vajza, Shpresën e Mbaresën dhe djalin, Pashain. (Kanë shkuar gjashtëdhjetë vjet, por ata emra nuk i harroj.) Një mëngjes, Pashai nuk erdhi në mësim. Në vend të tij më erdhi një ftesë nga i ati, të shkoja për darkë. Nga mezi i muhabetit, Novruzi qetë më tha se Pashai ishte pakëz pa qejf… Pashain e godita unë me pëllëmbë, i thash…

Gabimi im xha Novruz, nuk qëllohen skraparllinjtë me pëllëmbë… E aq më shumë pashallarët, qeshi Nokja. Detaje të pafundme, interesante. Poshtë këmbës më ngriti krye një kallo. Nuk hidhja dot hap tutje. Nga dikush kisha dëgjuar se duhej lyer me permanganat argjendi dhe pastaj prerë me brisk. E provova. Plaga në pengoi të shkoja dhe në klasë. Subiu më merrte në duar e më çonte në klasë. Një tjetër në drekë. (Ju përshëndes tomorricarë, ku do që jeni. Dhe nga do që jeni, jam i sigurt që keni bërë prokopi).

Këtu Hysniu stepet pak si për të sistemuar kujtimet e tjera për njerëzit e Tomorricës. E pyes për rrugëtimin e tij drejt në krijimtari.

Libri i pare që kam lexuar ishte “Don Kishoti” i Servatesit. Dhe unë isha në klasën e pestë. Me mësonjësin e ndjerë Fadil Haruni shkarravitëm një recesion për klasën. Mbaj mend se në shkollën e mesme nuk më fusnin në provim se nuk dorëzova “Makbethin” e marrë në bibliotekën e shkollës. Siç tregova edhe më lart, atje në Tomorricë, njoha njerëz të mrekullueshëm… Një ditë në fshat zhvillohej mbledhja e asamblesë së kooperativës. Po binte mbrëmja.

Presidiumi i mbledhjes urdhëroi që gratë të shkonin të merren me punët e darkë. Mbledhjen e vazhduan burrat. Tërë natën përpëlitesha në krevat. Si nuk thashë një fjalë në mbledhje! Si t’i ndihmoja ato të uruara, që më donin më shumë se fëmijët e tyre. Mëngjesi më gjeti të shkruar fejtonin e pare “Kokoshët e Gremsh Gjogovicës”. Ia përcolla revistës “Hosteni” me firmën Niko Hysa. Fejtoni u botua në faqen e pare. Prita të nisnin bubullimat nga burrat e dy fshatrave. Kryetari i kooperativës babaxhani Hasan Cela, më zgjati dorën dhe tha: Faleminderit djalë.

Edhe na ndihmove. Ato vite botova një sere skica e tregimesh humoristike, fejtone etj. Gjithmonë në revistën “Hosteni” Në atë kohë shkrova e botova dramën e pare “Diploma”, e cila, kjo me të thënë, u vu në skenë nga ylli i kohës aktori Naim Frashëri me pedagogët dhe nxënësit e shkollës Sami Frashëri…

Fundgushti i vitit 1969. Ne mësonjësit jabanxhinj, para se të shkonim në fshatrat e caktuara kalonim tre katër ditë në Çorovodë. Në njërën prej këtyre ditëve, Novruz Greva, kuadër i lartë në Skrapar, më mori nga krahu dhe u çapitën drejt shtëpisë së kulturës, e cila sapo ishte inauguruar. Asqeri, i tha drejtorit, po të sjell metodistin e kulturës. Që nga ajo ditë u shkëputa nga profesioni i mësuesit dhe nga njerëzit aq të përsosur të Tomorricës.

Me dramën, humorin si shkoi puna?

Me dramën? U bëra spektator i zellshëm i saj. Në vitet e shërbimin ushtarak më morën në Shtëpinë Qendrore të ushtrisë, në një redaksi. Këtu mu dha mundësia të ndiqja shfaqet e mrekullueshme të viteve të Teatrin Kombëtar. Bashkëpunimin me revistën “Hosteni” e vazhdova, ku u vlerësova me disa çmime. Nisur edhe nga vlerësimet e bëra, përgatita një vëllim. Përgjigja nga shtëpia botuese nuk vonoi: Vëllimi është i pabotueshëm. Ke nxirë realitetin, jetën tone . Ku i çon tërë ata personazhe negativë?! “Mbase e lënë me kaq, më tha kolegu, poeti Petrit Llano. Me aq ngeli, por lapsit tim maja iu trash…”

Gjeta momentin për t’i drejtuar pyetjen, e bërë tashmë hit, ke qenë ndonjëherë i ndëshkuar?

Jo, u përgjigj. Kam qenë i vlerësuar. I ndëshkuar ka qenë im at. Me bagëtitë e shumta, që rridhnin si gurra e Picarit, ushqeu partizanë, ballistë, italianë e gjermanë, dorëzoi në reformë dy kope me të imta, ara, kullotë… Me pasurinë e tij e të vëllezërve u krijua kooperativa. Dhe përfundimi? Shpëtoi në presë të briskut nga damka e kulakut. U dëgjua fjala e Shefqet Peçit: Më avash muhabeti, vëllai i tij luftoi deri në Vishegrad. Ç’dyzim! Edhe mirë, edhe keq. Shqipua tërë jetën nëpër drama të tilla! Dhe sot… ca na quajnë familje komunistësh, ca të tjerë familje e deklasuar. Vazhdojmë miku im, të jemi personazhe dramash. Pyll i begatë me subjekte dramash.

Lapsi yt…?

Edhe shkrova. Por rrallë e për mall. Në konkursin e 40 vjetorit të çlirimit të Atdheut u vlerësova me çmim të tretë për dramën “Rilindja” dhe një të dytë për libret estrade, me bashkautor Tasim Gjokutën. Dhe po atë vit paraqita një dramë në teatrin profesionist të Gjirokastrës. Drama do të jetësohej në skenë, po t’i bëja një varg ndryshimesh. Që në titullin e saj. Nga “Nata e familjes Shtino”, në “Pranvera e vonuar”. Netët e errëta të familjes do të zëvendësoheshin nga ditët e bukura të prillit.

Vitet nëntëdhjetë…

Mbeta pa punë. Si tërë ushtarakët e tjerë. Dolëm në ledh. Fillova tregtinë. Shisja kova, fshesa, legenë. Portofoli im i grisur aq mund të përballonte.

Dhe…?

Kur u rregulluan disi problemet ekonomike dhe na u dha ajo copa e pensionit, ritrokita në dyert e dramës dhe komedisë. Ishte fat, u takova me dashamirësin Milto Kutali. Teatri miku im ka humbur shumë spektatorë. I ka rrëmbyer vëllai i madh, lodrat e Luanës… Teatrot u lëshuan terren shfaqjeve limonadë. Shumë aktor, edhe me emër heqin të shumtat e teshave, vendosin nga një pale mustaqe, mbushin gojën me fjalë të pista dhe hipin në skenë. Po nuk ndryshoi kjo gjendja sirtarët e R. Pulahës, B. Kozelit, S. Çapalikut etj., do të mbushen me drama të pajetësuara. Kaq i dashuri Çano. I dhamë shumë gojës. Jepi edhe ti, na porosit nga një teke. Folëm shumë. Ca do të thonë: Filloi të llap përsëri ai pensionisti. Të tjerët: E thirri origjina. I pangopur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura