Hyseni bëhet çështje tek Flamurtari, Luftëtari nuk pranon huazimin. Neziraj përfundon tek të rinjtë

Jan 14, 2018 | 15:46
SHPËRNDAJE

Erdhi me bujë sezonin e kaluar, por Haxhi Neziraj është thuajse i larguar nga Flamurtari. Mesfushori i Luzernës doli nga planet e trajnerit Shpëtim Duro dhe vijon që të stërvitet me ekipin e të rinjve të Flamurtarit. Por, administratori Sinan Idrizi tha dje për “Panorama Sport” se Neziraj duhet të largohet përderisa nuk është në planet e Duros.

Sipas administratorit Idrizi nuk është në nderin e Nezirajt që të stërvitet me ekipin e të rinjve. “Neziraj ka qenë një djalë me të vërtetë realist, i civilizuar, i mirë dhe korrekt. Ideja është që, një djalë që vjen nga Zvicra, nëse trajneri nuk e ka në planet e tij, nëse ai do të vazhdojë të qëndrojë në Vlorë sa për të marrë rrogën, është problemi i tij. Unë do të respektoj kontratën. Por nuk i bën mirë atij dhe figurës që përfaqëson që të stërvitet me ekipin e të rinjve sa për të marrë ato para.

Flamurtari

E përsëris, klubi i qëndron çdo lloj detyrimi që ka ndaj tij. Unë nuk kam pse t’i kërkoj largimin në mënyrë të drejtpërdrejtë. Trajneri nuk e ka në plane, nuk e ka marrë në Anatalia. Është një djalë shumë i mirë, por nuk është në planet e ekipit. Kontrata e tij është deri në fund të majit, por nuk është në dinjitetin e tij që të qëndrojë në Vlorë, në një kohë që trajneri nuk e ka në plane”, tha Idrizi.

HYSENI

Alesio Hyseni bëhet çështje te Flamurtari. Klubi vlonjat dhe lojtari kanë rënë dakord që të transferohet te Luftëtari në formë huazimi për pjesën e mbetur të sezonit duke qenë se nuk ka hapësirë te Flamurtari dhe në Gjirokastër mund të marrë më shumë minuta. “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klub se pengesë për këtë transferim po bëhet Luftëtari, edhe pse drejtuesit bluzi e duan me patjetër lojtarin.

Alesio Hyseni

Mësohet se Luftëtari nuk e do lojtarin në formë huazimi, por t’i blejë kartonin ose të firmosë një kontratë afatgjatë. Mirëpo, drejtuesit vlonjatë nuk janë dakord, pasi në këtë mënyrë humbin një tjetër talent, siç ka ndodhur me Dejvi Bregun dhe David Bocajn, që janë pjesë e Luftëtarit. Hyseni vijon të stërvitet me kuqezinjtë derisa dy klubet të bien dakord, por gjirokastritët janë të vendosur për të mos e marrë në formë huazimi. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë. Vetë lojtari pak ditë më parë është shprehur:

“Unë aktualisht jam në Antalia me Flamurtarin, ku po zhvilloj fazën përgatitore. Nuk e di nëse drejtuesit e dy klubeve kanë rënë dakord. Nëse po, unë jam i gatshëm që të vijoj atje karrierën. E gjithë kjo bëhet për shkak të aktivizimit. Për të pasur më shumë minuta, do të shkoj te Luftë- tari”, tha Hyseni. Ndërsa administratori Idrizi ka dribluar për këtë çështje. “Hyseni huazohet? Për këtë çështje nuk kam asnjë informacion të fundit që t’ju jap, pasi ju doni informacione të fundit”, ka thënë drejtuesi i vlonjatëve duke lënë gjithçka të hapur në lidhje me këtë çështje.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura